Nuk mund të ketë asnjë Gjykatë Kushtetuese duke përfshirë edhe atë të Maqedonisë së Veriut që me një vendim të mohojë gjuhën që e flasin thuajse gjyma e qytetarëve të kësaj Republike, një gjuhë që është folur aty si gjuhë autoktone edhe para se të ishte gjuha aktuale e sllavo-maqedonasve!
Nuk ka vendim që mohon ekzistencën, identitetin e një populli që është aty para se të ishin “këta” dhe që ka qenë vazhdimisht aty!
Nuk ka Gjykatë Kushtetuese që ka parimet e lirive dhe të drejtave themelore që mund të dal kundër frymës së të drejtave ndërkombëtare për minorancat e sidomos për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, që janë shtetformues dhe garancia më e madhe për paqes sociale dhe jetëgjatësinë e Shtetit.
Tentativat për të hequr Shqipen si gjuhë zyrtare, e cila në fakt edhe sot, nëse vizitoni Maqedoninë e Veriut, në pikat kufitare, në sinjalistikat rrugore apo edhe në shumë forma të tjera nuk është e aplikueshme nuk është e respektueshme me statusin që i takon, do të thotë se janë iluzione dashakeqëse që kanë një kosto më të madhe së parë për vetë sllavo-maqedonasit që kanë probleme të hapura më Bullgarinë e jo vetëm, sesa realisht për shqiptarët.
Një gjuhë dhe një popull nuk mohohen dhe as nuk fshihen me vendime gjykate apo me modele shtetërore, të paktën kjo nuk funksion me shqiptarët dhe këtë eksperiencë e kanë të gjitha ish republikat jugosllave.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të lëshojnë më asgjë nga të drejtat e tyre e nëse forcat politike që kanë besimin e tyre nuk e bëjnë dot të mbrojnë të drejtat që u takojnë me Kushtetutë, atëherë këtë duhet ta bëjnë vetë qytetarët.
Shqiptarët kanë lëshuar shumë duke shprehur dëshirën dhe vullnetin për të jetuar së bashku në shtetin me të cilin në aspektin historik e kulturor thuajse nuk identifikohen fare.
Shqiptarët kanë tejkaluar barrierat e tyre historike me dëshirën për të jetuar në paqe e bashkëpunuar me të gjithë elementët etnikë me qëllimin për të ndërtuar një Republikë demokratike e multietnike.
Nëse këtë sjellje pozitive të shqiptarëve të “tjerët” e konsiderojnë dobësi ose pamundësi për alternativa të tjera, do të thotë se nuk kanë mësuar asgjë nga historia e para së gjithash nuk janë as patriot të Republikës.
Forcimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe konsolidimi i Shtetit të së Drejtës është në interesin e të gjithë qytetarëve.
Vazhdimësia dhe jetëgjatësia e saj varet nga vullneti i palëve dhe nga frymë për të respektuar identitetet kombëtare bashkë me të drejtat që ju takojnë.
Gjuha Shqipe është pasuri e patjetërsueshme, elementi më i rëndësishëm identifikues i gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë dhe jo vetëm të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Cenimi apo mos respektimi i gjuhës Shqipe është diçka që cenon dhe prek shqiptarët kudo ku jetojnë.
Gjuha Shqipe është vetë ADN e shqiptarëve dhe si e tillë ajo është vitale për të gjithë, pavarësisht se ku jetojnë dhe në çfarë forme shteti jetojnë.
Komento