Në realitetin aktual ndërkombëtar po flitet gjithnjë e më shpesh për ndryshime të rëndësishme në strukturën e rendit global. Disa analistë kanë filluar të aludojnë për lindjen e një rendi të ri botëror, ndërsa të tjerë e përshkruajnë situatën si një formë të anarkisë ndërkombëtare, e cila shpesh konsiderohet si një fazë tranzicioni drejt krijimit të një status quo-je të re globale, që në fund mund të marrë formën e një “rendi të ri”.
Megjithatë, në analizën time nuk mund të flitet ende për një rend të ri botëror. Rendet e reja ndërkombëtare zakonisht lindin pas tronditjeve të mëdha historike, të cilat prekin drejtpërdrejt fuqitë dominuese të sistemit ndërkombëtar. Në këto momente historike disa fuqi bien, ndërsa të tjera ngrihen duke zëvendësuar balancat ekzistuese. Aktualisht nuk kemi një zhvillim të tillë.
Ekuilibrat ndërkombëtarë mbeten në thelb të njëjtë. Sistemi ndërkombëtar vazhdon të dominohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat mbeten fuqia më e madhe dhe më e padiskutueshme globale. Për ta kuptuar këtë mjafton të shohim disa tregues themelorë: SHBA kanë rreth 800 baza ushtarake në afro 80 vende të botës, buxheti i tyre ushtarak është më i madh se ai i dhjetë shteteve që vijnë pas saj të marra së bashku dhe ekonomia amerikane vazhdon të jetë një nga motorët kryesorë të ekonomisë globale. Po ashtu, një pjesë e madhe e transaksioneve ndërkombëtare për naftën dhe lëndët e para kryhet në dollar amerikan.
Këta faktorë tregojnë se sistemi ndërkombëtar nuk është as bipolar dhe as multipolar, siç pretendojnë disa analistë, por në thelb mbetet unipolar, megjithëse me një rritje graduale të fuqisë së disa aktorëve të tjerë si Republika Popullore e Kinës dhe disa fuqi rajonale që megjithatë mbeten ende larg dimensioneve gjeopolitike të SHBA.
Nëse rendi botëror nuk ka ndryshuar në mënyrë strukturore, atëherë çfarë ka ndryshuar? Ajo që ka ndryshuar është qasja e politikës së jashtme amerikane nën drejtimin e presidentit Donald Trump.
Politika e jashtme amerikane nën Trump është larguar ndjeshëm nga tradita klasike e SHBA, e cila historikisht është bazuar në mbrojtjen e demokracisë, të drejtës së vetëvendosjes së popujve dhe në mbështetjen e vendeve të vogla që synonin zhvillimin demokratik. Historikisht, SHBA kanë lidhur shpesh marrëdhëniet strategjike me orientimin demokratik të vendeve partnere. Një shembull simbolik i kësaj politike ka qenë Plani Marshall, i cili ndihmoi rindërtimin dhe demokratizimin e Europës pas Luftës së Dytë Botërore.
Sot situata duket ndryshe. Edhe pse Trump erdhi në pushtet me një retorikë që premtonte një politikë më paqësore dhe më pak ndërhyrëse, në praktikë politika e tij nuk e ka më si kriter qendror promovimin e demokracisë në vende të tjera. Për shembull, lufta e tarifave ndaj vendeve të Bashkimi Evropian nuk lidhet me ndonjë përpjekje për demokratizim, pasi bëhet fjalë për vende me demokraci të konsoliduara. Po ashtu, diskutimet për Groenlanda nuk lidhen me parime demokratike, por me logjikë gjeostrategjike dhe ekonomike.
Në këtë kontekst, presidenti Trump shpesh duket se sillet më shumë si drejtues i një sipërmarrjeje private sesa si president i një superfuqie me një traditë të gjatë në mbrojtje të demokracive në botë. Kjo qasje e re ndryshon edhe kriteret e aleancave ndërkombëtare.
Historikisht, SHBA kanë preferuar të ndërtonin marrëdhënie të forta me vende me orientim demokratik, duke bërë vetëm përjashtime të kufizuara për arsye strategjike. Por në qasjen e Trump duket se kriteri kryesor për të qenë aleat i SHBA nuk është më cilësia e demokracisë së brendshme të një vendi, por niveli i besnikërisë ndaj politikave të tij. Me fjalë të tjera, për Trump ka më shumë rëndësi sa i gatshëm është një lider të mbështesë politikat amerikane pa hezitim, sesa sa demokratik është sistemi i tij politik.
Kjo qasje pritet të ketë ndikim edhe në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Në të njëjtën kohë, diferencat midis SHBA dhe BE janë bërë më të dukshme, veçanërisht pas tensioneve ndërkombëtare dhe politikave ekonomike të administratës Trump.
Ndryshe nga SHBA, BE mbetet e lidhur fort me kriteret e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe ndarjes së pushteteve për vendet që synojnë anëtarësimin. Si një strukturë sui generis, BE nuk mund të ndërtojë marrëdhënie mbi bazën e besnikërisë personale ndaj një lideri, por mbi respektimin e standardeve institucionale dhe demokratike.
Për këtë arsye, vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin në BE duhet të përmbushin kriteret e demokracisë, funksionimit të institucioneve dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Megjithatë, divergjenca mes qasjes amerikane dhe asaj europiane u jep një hapësirë manovrimi liderëve të rajonit që kanë tendenca autoritare.
Në të kaluarën, një “vallëzim diplomatik” midis SHBA dhe BE ishte pothuajse i pamundur, sepse politikat e tyre ishin kryesisht të harmonizuara. Sot kjo është më e mundur, sepse qasja e administratës Trump ndryshon ndjeshëm nga filozofia politike dhe institucionale e vendeve europiane.
Ky realitet i ri mund të mos kontribuojë në demokratizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përkundrazi, ai rrezikon t’u japë më shumë jetëgjatësi liderëve që në një kontekst tjetër politik do të ishin tashmë në prag të rënies.
Komente








