Humbja në referendum përfaqëson një moment politik delikat për qeverinë e drejtuar nga Giorgia Meloni, jo aq për pasojat institucionale të menjëhershme, të cilat nuk ekzistojnë, por për kuptimin politik që merr vota në kontekstin e legjislaturës. Rezultati i referendumit nuk ndryshon numrat e shumicës në Parlament dhe nuk e detyron qeverinë të japë dorëheqjen, por ndryshon klimën politike dhe forcon idenë se koalicioni i qendrës së djathtë duhet të përballet me një fazë më të ndërlikuar dhe më pak lineare krahasuar me vitet e para të qeverisjes. Në politikë, konsensusi popullor shpesh është më i rëndësishëm se numrat parlamentarë, dhe një humbje në referendum mund të shndërrohet në një sinjal alarmi që e detyron shumicën të rishikojë strategjitë, prioritetet dhe komunikimin, sidomos kur referendumi perceptohet si një test për lidershipin dhe aftësinë për të drejtuar vendin.

Shumica mbetet formalisht solide, por politikisht më e ekspozuar ndaj presioneve të brendshme dhe të jashtme, dhe lidershipi i kryeministres do të duhet të tregojë se është në gjendje të menaxhojë një fazë të re në të cilën opozita duket më e bashkuar dhe koalicioni qeverisës duhet të shmangë tensionet që mund të dobësojnë stabilitetin e përgjithshëm. Në këtë kontekst, roli i aleatëve bëhet qendror, sepse Matteo Salvini dhe Antonio Tajani mund të shtyjnë për një rishikim të agjendës politike, duke u fokusuar më shumë te siguria, ekonomia, autonomia dhe marrëdhëniet me Europën, duke kërkuar të forcojnë identitetin e tyre politik brenda koalicionit pa rrezikuar stabilitetin e qeverisë. Sfida kryesore për Melonin do të jetë ruajtja e ekuilibrit mes lidershipit dhe ndërmjetësimit, duke shmangur që humbja në referendum të kthehet në pikënisje të një gare të brendshme mes partive të shumicës.

Gjasat janë që me ndryshimet e qeverisë dhe jo vetëm, por edhe në tre partitë kryesore që përbëjnë shumicën, të konceptohen si sinjal force për lidershipin e Melonit, e cila po përgatitet për një imazh të ri politik për një mandat të ri pas mbarimit të kësaj legjislature. Kjo do të thotë se riorganizimi i brendshëm, rishikimi i komunikimit politik dhe rifreskimi i strukturave qeverisëse mund të përdoren si instrument për të forcuar figurën e saj dhe për të krijuar një perceptim të ri stabiliteti dhe kontrolli politik. Në këtë këndvështrim, referendumi nuk shihet vetëm si një pengesë, por edhe si një mundësi për të rindërtuar narrativën politike dhe për të përgatitur terrenin për zgjedhjet e ardhshme.

Në të njëjtën kohë, opozita përballet me probleme të mëdha që lidhen me debatin e brendshëm për zhvillimin e primareve dhe për gjetjen e një lideri që do të ishte në garë përballë Melonit. Përçarjet politike dhe dallimet strategjike e bëjnë të vështirë ndërtimin e një lidershipi të përbashkët, ndërsa sondazhet tregojnë se kandidati më i votuar mbetet Giuseppe Conte i Lëvizjes Pesë Yjet, edhe pse partia që ai përfaqëson nuk përfaqëson shumicën e elektoratit opozitar. Kjo krijon një paradoks politik: lideri më i fortë në sondazhe nuk është domosdoshmërisht ai që mund të bashkojë të gjithë opozitën, ndërsa figurat e tjera politike, përfshirë Elly Schlein, nuk arrijnë të krijojnë një konsensus të plotë për një kandidaturë të përbashkët.

Zgjedhja e një lideri si kandidat për kryeministër përballë Melonit mbetet një çështje pothuajse e pamundur në këtë fazë, sepse ndarjet janë të mëdha dhe interesat politike të partive opozitare shpesh janë të kundërta. Kjo e bën opozitën aktualisht të papërgatitur për zgjedhje të parakohshme dhe i jep shumicës një avantazh strategjik në aspektin e stabilitetit politik. Në mungesë të një lidershipi të qartë dhe të një programi të përbashkët, opozita rrezikon të mbetet e fragmentuar dhe e paaftë për të përfituar plotësisht nga dobësimi i përkohshëm i qeverisë pas referendumit.

Një element tjetër që duhet theksuar është fakti se një vend duhet të bëjë vazhdimisht reforma për të garantuar zhvillim dhe stabilitet institucional, por stili i komunikimit dhe klima politike në të cilën ato prezantohen mbeten faktorë vendimtarë për suksesin e tyre. Reformat që propozohen pas konflikteve politike, siç ishte rasti i fundit në Itali, shpesh nuk arrijnë suksesin e pritur, sepse perceptohen nga qytetarët si sinjal frike dhe alarmi, dhe jo si një proces i qetë dhe i menduar mirë për përmirësimin e sistemit. Kjo tregon se përveç përmbajtjes së reformave, mënyra se si ato komunikohen dhe momenti politik në të cilin prezantohen janë po aq të rëndësishme sa vetë reformat.

Në përfundim, lidershipi i Giorgia Melonit mbetet i padiskutueshëm brenda shumicës, pavarësisht rezultatit të referendumit për reformën në drejtësi, dhe kjo përbën elementin kryesor të stabilitetit të qeverisë në këtë fazë politike. Shumica hyn në një periudhë të re, ku presioni politik rritet dhe opozita kërkon të organizohet, por mungesa e një alternative të qartë dhe e një lideri të përbashkët i jep Melonit hapësirën e nevojshme për të konsoliduar pozicionin e saj dhe për t’u përgatitur për një mandat të ri pas përfundimit të kësaj legjislature.