Albatros Rexhaj ka reaguar pas përplasjes fizike mes tij dhe Berat Buzhalës në emisionin “Opinion”. Ai ka sqaruar momentin e videos duke thënë se nuk ka pasur kontakt mes tyre, thjesht analisti ka larguar kokën.
Rexhaj thotë se arma e tij është fjala dhe qëllimi ishte vetëm të diskutonte e debatonte. Ai shton se konfliktet i ka lënë pas (gjatë publicitetit ai dhe Buzhala i dhanë dorën njëri-tjetrit), dhe e sheh të mbyllur këtë çështje.
P.J/I.M/Shqiptarja.com“Pavarësisht sesi duket aty në video, situata në studio ishte ndryshe. S’ka pasur kontakt mes meje dhe Beratit. Ai thjesht i nervozuar, ngrihet nga karrigia e tij, vjen në drejtimin tim dhe rri aty nja dy sekonda, thjesht e largoj pak kokën anash. Ju e keni parë që unë nuk kam lëvizur nga vendi fare, nuk jam turbulluar fare, fatmirësisht ishte ashtu. Në video dëgjova disa të shara, në studio s’kam pasur mundësi t’i dëgjoj, më mirë që s’i kam dëgjuar. Edhe pse s’i kam dëgjuar, uroj që do të isha sjellë njësoj. Pse po e them këtë? Ne jemi intelektualë, unë jam intelektualë, arma ime është fjala, është mendimi, në studio kam shkuar për të debatuar, diskutuar. Unë e konsiderova që nuk ishte vendi aty që të diskutohej për Albin Kurtin, u bë temë, Berati e mori në mënyrë emocionale, ajo është çështje e tij. Unë nuk kisha aty ndonjë arsye që të insistoja më tutje në konflikt. Kur ndodhi pauza, pati një sqarim dhe kjo ishte arsyeja pse unë ia shtriva dorën. Nuk jam njeri i konflikteve, koha e tyre dhe e përplasjeve fizike i takon rinisë sime dhe unë dua të them edhe dy fjalë të tjera. Të gjithë kemi probleme, edhe unë kam probleme, kërkoj ndihmë për to, trajtohem dhe përpiqem që kur të dal në studio të jem sa më i qetë dhe i përmbajtur. Debati duhet të vazhdojë, diskutimi duhet të vazhdojë, njerëzit duhet të shkëmbejnë mendime, të jenë të lirë të shprehen siç mendojnë, të mbajnë qëndrimet që kanë dhe për gjithë ata njerëz që më kanë shkruar të shqetësuar, me mendime nga më të ndryshmet, u them që kjo për mua është çështje e mbyllur dhe nuk kam ndërmend që këtë gjë ta shtyj dhe diskutoj më tutje”, tha Rexhaj duke falënderuar edhe të gjithë ata që kanë shprehur mendimin e tyre lidhur me çështjen.







