Albin Kurti, serbët, 'Sindromi i Stokholmit' dhe armiqësia me Shqipërinë

Albin Kurti, serbët, 'Sindromi i Stokholmit' dhe armiqësia me Shqipërinë

Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti

Nëse hedh një vështrim diagonal mbi zhvillimet në Kosovë, sheh me sy të lirë se aty duket sikur nuk qeveriset, nuk punohet, nuk shërbehet por vetëm “luftohet” me armiqtë.

Njerëzit sikur janë të zënë të gjithë ose duke udhëtuar drejt Shqipërisë për të pushuar në bregdetin Adriatik dhe Jon, ose janë mbyllur nëpër shtëpi dhe të “armatosur” me fjalorin më të rëndë, po luftojnë “armikun” e madh që është Shqipëria.

Duket sikur sytë dhe veshët i kanë të drejtuar drejt shtetit amë, jo për të mbështetur apo kritikuar zhvillimet atje, në funksion të mbarëvatjes së punëve e bashkëpunimit të shqiptarëve në Ballkan, por nëse në “brezin e butë” të kufirit shqiptar ka shkelur ndonjë këmbë serbi apo ka kaluar ndonjë “mizë” që kishte bujtur më parë në Serbi.

Anipse pjesa më e madhe e këtyre “patriotëve” që “vigjëlojnë” mbi hapësirën mbarë shqiptare kanë dhe pasaportë serbe e lëvizin lirisht në Beograd për të bërë vaksinën, për të bërë tregti apo dhe për të bërë shooping e për të parë koncerte në kryeqytetin e ish-Jugosllavisë.

Albin Kurti dhe qeveria e tij në vend që të funksionojë si një organizëm që ka marrë votat për t’i shërbyer shqiptarëve të Kosovës, për të marrë masa kundër pandemisë, e cila vetëm në ditën e djeshme shënoi 17 viktima dhe mbi 1200 të infektuar, duke rrezikuar seriozisht dhe Shqipërinë me variantin e ri Delta pasi mbi 50 mijë qytetarë të Kosovës kalojnë çdo fundjavë kufirin shqiptar për të pushuar në bregdet, po merret me këngëtarin kroato-serb Goran Bregoviç që performoi në festën e Birrës në Korçë, i ftuar mes këngëtarëve të tjerë nga bashkia e këtij qyteti.

Albin Kurti dhe “ushtarët” e tij që tashmë kanë zaptuar tërë administratën e Kosovës, bashkë me farefisin e zyrtarëve, më shumë se me qeverisjen e vendit dhe garantimin e tërësisë territoriale të Kosovës po merren me Shqipërinë, të cilën tashmë e kanë shpallur armike.

Dikush mund të thotë se Albin Kurti e ka gjithë inatin me Edi Ramën, dhe në rastin e një ndryshimi eventual të qeverisjes së vendit në shtetin amë, për të ardhur në krye të shtetit Sali Berisha, Ilir Meta e njerëzit e tyre, marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës do normalizoheshin.

Në krye të herës, pavarësisht përpjekjeve të Albin Kurtit për të qënë prezent me deputetë në politikën shqiptare përmes Vetëvendosjes në Tiranë duke marrë 0.000001 të votave, lidershipi aktual qeverisës në Prishtinë nuk mund të ndikojë në zhvillimet politike në Shqipëri.

Arsyet janë të thjeshta. Shqipëria është shtet i konsoliduar, me burime dhe fuqi ekonomike më të madhe se Kosova, me dalje në det dhe pjesëmarrëse në të gjitha aleancat e mundshme euro-atlantike, me një sistem politik të konsoliduar dhe konservative, duke shmangur luhatjet e mëdha politike.

Ndërsa Albin Kurti është peshë e lehtë politike, nuk ka “kartabiankën” që të jep të qenit pjesë e rëndësishme e drejtimit të UÇK që çliroi Kosovën dhe mbi të gjitha nuk ka as durimin për të qënë një politikan i matur që pret momentin për të marrë atë që pretendon, veç “shet” dogma.

Përkundrazi këtë pjesë të jetës Albin Kurti e ka “dhimbje” dhe mundohet ta kalojë sa më në heshtje, pasi si ish zëdhënës i përfaqësuesit politik të UÇK Adem Demaçi, ai ishte kundër bombardimeve të NATO-s mbi Serbi, bombardim që solli dhe çlirimin e Kosovës.

Ndaj hesht Albin Kurti për këtë pjesë të historisë, ndaj ish komandantët që nga Hashim Thaçi e deri tek Ramush Haradinaj kanë “parakaluar” dhe po qëndrojnë në qelitë e ftohta të Hagës për akuza që më shumë janë politike dhe fryt i ambicieve të ardhura nga vetë Kosova se sa Haga.

Vakumi i krijuar në prag të zgjedhjeve nga mungesa e ish komandantëve të luftës, të cilët i dhanë tonin politikës mbi 20 vjeçare të Kosovës së pasluftës, refelektoi dhe mbi rezultatin e zgjedhjeve të fundit e rritjen e Vetëvendosjes së Albin Kurtit që tani qeveris vendin.

Njëherësh reflektoi dhe mbi ndodhitë e fundit në Kosovës por dhe në qasjen e Prishtinës zyrtare ndaj Tiranës zyrtare.

Për hir të së vërtetës Aleksandër Vuçiç nuk ka pse ushtron presion mbi Albin Kurtin për të marrë atë që pretendon në Kosovë. Ai ka marrë gjithçka ka dashur pa asnjë përpjekje për negociata.

Siç tregojnë pjesëmarrësit në takimin e presidentit serb me kryeministrin aktual të Kosovës, sa herë që Vuçiç dhe Kurti ishte pa shoqërinë e të tjerëve e shihnin në “kokërr të syrit” njëri tjetrin, për të shtuar retorikën e debatit e deklaratat patriotike kur afroheshin interlokutorët dhe kamerat sidomos. Lojë politike për përfitim politik, duke bërë “patriotin” me një fjalë.

E vërteta e kulluar është se Serbia ka arritur të fusë në dorë dhe ka bërë të varur nga Beogradi të gjithë ekonominë e Kosovës, duke filluar nga mielli, cilësia e të cilit ka vend për të diskutuar, qumështi e deri tek produktet e tjera të nevojshme. Pra rreth 80 përqind të importeve në Kosovë vijnë nga Serbia.

Dhe nuk ka asgjë të keqe, nëse ky fakt nuk do të rezononte me deklaratat “patriotike” të Kurtit, qeveritarëve të Vetëvendosjes dhe të armatës së “paramiltarëve” të rrjeteve sociale dhe të terrenit që sulmojnë “Open Balkan” ku Kurti refuzon pjesëmarrjen, sulmojnë Edi Ramën dhe Shqipërinë që janë pjesë e saj por dhe turistët serbë që kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të pushuar apo këngëtarin Bregoviç që zgjodhi Korçën për të performuar.

Eshtë ironik fakti që pikërisht në kulmin e debatit dhe të akuzave të “armatës” së Kurtit ndaj Bregoviç, pikërisht në territorin e Kosovës kishte zbarkuar për të kënduar çetniku më i madh serb dhe mbështetës i Milosheviçit e Karaxhiçit, Bora Gjorgjeviç.

Ai e mbajti koncertin në Leposaviç pa asnjë leje nga organet vendore e qëndrore të Kosovës  dhe Albin Kurti nuk e kundërshtoi grupin serb “Riblja Corba”, i cili quhet çetnik, emërtesë që as vetë lideri Gjorgjeviç nuk e ka kundërshtuar. Madje e quan krenari.

Këngët e tij jo vetëm që janë dëgjuar nga serbët që vinin për të bërë masakra në Kosovë, ose që përdoreshin për të kundërshtuar bombardimet e NATO-s (“Avion do të t’i thyej krahët”), por edhe përqeshnin shtetin e Kosovës dhe politikanët kosovarë.

Madje Bora Gjorgjeviç, e kishte quajtur disa herë Kosovën shtet i trilluar. “Zgjedhjet që po mbahen atje në thelb e legalizojnë shtetin e Kosovës. Ai shtet nuk ekziston , ai shtet është i trilluar. Nuk përzihem në punët e atjeshme sepse unë nuk jetoj në Kosovë. Qëndrimi i partisë sime(partisë së mikut të tij Sheshel) është i drejtë nuk duhet të dilet në këto zgjedhje sepse kështu legalizohet shteti i shqiptarëve”, pati thënë Gjorgjeviç më 2013. Dhe ai shkoi në Leposaviç të “shtetit të trilluar” e dha koncert.

Jo vetëm që nuk u lëshua nga “patriotët” asnjë “fishek” gazi lotsjellës si në Korçë por nuk guxuan as të afroheshin në perimetrin ku ky çetnik jepte koncert. Ndërsa në media apo rrjetet sociale vetëm dy tre zëra ishin ata që akuzuan Albin Kurtin për koncertin e Gjorgjeviçit.

Pjesa tjetër ishin të zënë me Bregoviçin në cepin jugor-lindor të Shqipërisë në Korçë, duke akuzuar Shqipërinë për “shkeljen mbi gjakun e të rënëve në Kosovë”. Por dhe duke u kujdesur që të mos përmendin UÇK-në, udhëheqësen e luftës për çlirim të Kosovës. “Lëndohej” Kurti!

Dhe si të mos mjaftonte koncerti i çetnikut serb në Kosovë, njeriut që është deklaruar publikisht kundër shqiptarëve dhe ka mbrojtur gjenoncidin serb, u hodhën themelet e universitetit serb në veri të Kosovës, pa pyetur askënd, por me dijeninë e plotë të Albin Kurtit, i cili jo vetëm që nuk e kundërshtoi as atë ditë dhe as më pas, por nuk ka thënë asnjë fjalë deri më tani. Dhe si me komandë ka heshtur dhe “armata e patriotëve” të rrjeteve sociale dhe qeverisë së Kosovës.

Heshtin për koncertin e Gjorgjeviç në Leposaviç dhe për ngritjen e universitetit paralel serbe me atë të Prishtinës në veri të Kosovës sepse s’kanë fuqi dhe as vullnet në ruajtjen e sovranitetit.

Qeveria e Kurtit ka përgjegjësi që lejon strukturat shtetërore të Serbisë të bëjnë inaugurimin e investimeve të qeverisë serbe në Kosovë. Albin Kurti nuk shqetësohet se si serbët vijnë në mes të ditës me patriarkun serb dhe bëjnë lutje në kishën e pa përfunduar në oborrin e korpusit të Universitetit të Prishtinës, vijjnë dhe inaugurojnë po ashtu universitetin paralel të Prishtinës në Veri, vërshojnë dhe me grupet e muzikës së tyre me motive çetnike, shkojnë me ekipe futbolli dhe hendbolli e sporte tjera, sepse ne nuk i pengojnë, i lejojnë të vijnë udhëheqësit e tyre.

Nuk quhet tradhëti kjo, as shkelje mbi gjakun e derdhur për çlirimin e Kosovës dhe as autorë të masakrave në popullsinë civile dhe zhdukjen e mijërave shqiptarëve të vrarë dhe të mbuluar në varrezat e përbashkëta në Serbi nga regjimi i Milosheviçit.

Ironik është fakti se Hashim Thaçi në Mitrovicë ka ndërtuar Universitetin “Isa Boletini”, kurse Albin Kurti po lejon Serbinë të marrë pa luftë e marrëveshje 17 përqind të territorit të Kosovës.

Pse hesht Albin Kurti?!

Ka një shpjegim psikologjik por dhe përmes shembujve dhe fakteve të përjetuara. “Sindromi i Stokholmit”, me sa duket ka zënë vend mirë tek Kurti, qeveritarët dhe mbështetësit e tij. Albin Kurti nuk ka shkrehur një pushkë për çlirimin e Kosovës dhe jemi të bindur që as nuk di ta mbushë armën, ndaj nuk i dhemb territori i Kosovës që po merret hap pas hapi nga Serbia.

Duke qënë një veprimtar që pjesën më të madhe të jetës politike që në rini e ka kaluar duke u përballur me policinë, gjatë regjimit serb por dhe më pas me policinë e Kosovës, që nuk e njohu kurrë si shtet, madje as flamurin, ka një aftësi të jashtëzakonshme të durojë dhunën. Kjo me sa duket e ka bërë të pandjeshëm ndaj dhimbjes, por dhe ta admirojë dhunuesin e pengmarrësin.

Një miku im, ish i përndjekur politik që pas rënies së komunizmit u bë një biznesmen i suksesshëm, na rrëfeu kohë më parë një ndodhi të rrallë që i kishte ndodhur atij vetë.

“Isha në një lokal dhe përballë kisha një ish polic burgu, që me kishte nxjerrë shkumën në burgun e Spaçit. Me veten time isha betuar se sapo ta takoja të paktën do ta rrihja, se për ta vrarë nuk kisha zemër ti merrja jetën një njeriu.

Por do shfryhesha duke e rrahur, për t’i kujtuar vitet kur më dhunonte në burg. I fola nuk më njohu dhe vijoi i qetë të konsumonte drekën. U ngrita dhe iu ula në tavolinë, e pyeta nëse me njeh. Jo më tha. Ishte 1 metër e 60 cm burrë por i tmerrshëm”, më tha ish i përndjekuri politik. Për të së vërtetës e njihja dhe unë atë ish polic, që tashmë është ndarë nga jeta.

Ai vijoi më tej. “E di çfarë me ndodhi? Në vend që të bëja atë që kisha në mendje, s’bëra asgjë. Thjeshtë i kërkova leje, nëse mund të shkoja në tualet. Një ripërsëritje e ritualit të burgut. Kur erdha më pyeti nëse kam qënë me ‘pushime’ në Spaç. Ishte i zgjuar! Po i thashë dhe i tregova gjithçka. Madje dhe po e admiroja, pasi qëndroi shumë qetë, teksa më tha: ashtu ishin rregullat, unë thjeshtë i zbatova. Isha qen i ligjit, i keq por ishte ligji”!

Me këtë shembull desha të them se “Sindromi i Stokhomit” i kap shumë shqiptarët. Ndaj mos i vini shumë faj Albin Kurtit që sheh si “armik” vetëm Shqipërinë dhe jo Serbinë që tashmë është dominuese në Kosovë dhe nuk thotë asnjë fjalë.

Thjeshtë duhet të lusim Zotin që shqiptarët e Kosovës ta kuptojnë shpejt se ku do t’i çojë Albin Kurti në raport me shtetin amë. Pasi mund të jetë shumë vonë dhe “helmi” i armiqësisë mund të ketë depërtuar thellë. Gjtihsesi shqiptarët e Kosovës e duan Shqipërinë, kjo nuk ka diskutim!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Redi: 27/08/2021 13:02

    Nuk e dinim qe Mero Baze kishte sozi. Si duket do jete me pushime dhe ne vend te tij paska caktuar Baze.2.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën