TIRANË- Në një kohë kur Partia Demokratike ka dalë hapur kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor me argumentin se kërkon shumë kohë dhe se duhet të largohet fillimisht 'qeveria Rama', Aleanca për Teatrin i kërkon të mbaj premtimin që kryedemokrati Basha u ka dhënë para 10 muajsh: listat e hapura.

Me anë të një letre dërguar ditën e sotme në adresë të Bashës, Aleanca thekson se kur kanë kaluar 10 muaj nga premtimi i dhënë, konsultimet nuk kanë nisur ende dhe pse afati i përfundimit të Refomës Zgjedhore është drejt fundit (31 maj). 

Aleanca i referohet këtu kontratës të nënshkruar nga Basha dhe artistëve 25 korrik të vitit 2019, ku Basha u premtoi se me ardhjen në pushtet të PD-së do të shfuqizohet ligji për shembjen e Teatrit, se ky i fundit do të shpallet monument kulture dhe ndryshim sistemi. Duke qenë pika e parë ra, pasi Teatri u shemb, nuk është mbajtur as premtimi i dytë.

"I nderuar z. Basha,më 25 korrik 2019, ne, anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT), kemi nënshkruar një kontratë me ju, si kryetar i PD dhe Opozitës së Bashkuar. Në paragrafin 5 të kësaj kontrate shkruhet:

“Partia Demokratike angazhohet për një sistem zgjedhor, që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese, që synon rritjen e kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve apo forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit. Diskutimi mbi këtë çështje duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë në hartimin e tyre përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.”

Sot mbushen 10 muaj nga nënshkrimi i kësaj kontrate dhe ky konsultim nuk ka nisur ende, ndërsa mbetet më pak se një javë nga afati për miratimin e reformës zgjedhore. Në këto kushte, ne gjykojmë se zgjidhja e vetme është miratimi i sistemit proporcional kombëtar, me lista të hapura, si e vetmja alternativë për ndryshimin e sistemit, pa ndërhyrje në Kushtetutë. Ne kërkojmë gjithashtu hapjen e debatit kombëtar për një Kushtetutë të re, hartimin brenda vitit dhe miratimin me referendum në pranverë 2021", shkruhet në letër.