TIRANË - Poezia e Violeta Allmuçës është lirike dhe kuptimplote, ndonjëherë prekëse deri në surrealizëm. Lexuesi gjen fjalë të dashura që xixëllojnë anë e kënd në këto poezi, të cilat e çojnë mendjen dhe zemrën në një botë ëndrrimtare plot me frymëzim meditimi. Poezitë kanë një realitet surrealist edhe nëpër situatat më të thjeshta apo imazhet e kësaj bote të shpalosura në vargje. Ashtu si në poezinë “Sa Pak” poetja bën një lidhje të magjishme midis brendësisë së trupit të njeriut dhe dukurive duke shtjelluar vargjet: “…Jetoj e vdes në paqe/ Trupi i lidhur rreth gjakut/ Me rruaza të kuqe e të bardha/ Nëpër shëtitoren e kripur/ Nguliten valët dhe rëra/ Pastaj mbyten afër bregut/ E, sa pak ngjaj me veten/ Që mrekullisht më dhurohet.

          Ne gjithashtu gjejmë tek poezia e Allmuçës shprehje alegorike që e gllabërojnë plotësisht imagjinatën e lexuesit, duke e bërë atë të mendojë në mënyrën më të mirëfilltë e të vërtetë artistike mesazhin që poetja do të përcjellë. Në kuptimin më të mirë të fjalës, poetja mundohet të lidhet medoemos me lexuesin e gjerë. Natyra supozuese e Allmuçës është e përjetëshme dhe jo e ndarë nga ndjenjat, sepse çdo lexues mund të skicojë vetë atë kuptim të vërtetë që e pëlqen më shumë, si tek poezia: