Akademia e Shkencave kishte ambicien që ta merrte këtë post, ç’ka nënkuptonte mundësi të arta për studiuesit shqiptarë dhe tezat e tyre të studimeve. Por nga Komiteti Qëndror dhe nga Ministria e Jashtme, kësaj iniciative ju dha përgjigje negative. Madje Aleks Buda nuk u lejua fare të shkojë as në Konferencën e Ankarasë, ku do të diskutohej çështja e presidencës së Shoqatës së Studimeve të Evropës Juglindore. Për të mësuar gjithë peripecitë e kësaj ngjarjeje, ndërhyrjet nga Komiteti Qendror përmes shënimeve të shkurtra dhe raportimin e dy të dërguarve në Ankara Androkli Kostallari e Stefanaq Pollo, do të sjellim në Shqiptarja.com, gjithë letërkëmbimin e ruajtur mbi këtë çështje.
Letërkëmbimi
PROMEMORIE
– Shoqata e studimeve të juglindjes evropiane (AIESE, liale e UNESCO-s) do të mbledhë komitetin e saj drejtues në Ankara më 13 tetor. Ne kemi dy vende në këtë komitet: Zv. President (Aleks Buda) dhe anëtar (Androkli Kostallari). Shoqata u ka bërë ftesën përkatëse shokëve tanë dhe në një telegram të veçantë insiston për prezencën e tyre në mbledhjen e Ankarasë. Qëllimi i mbledhjes është:
a- Për t’i dhënë dorën e fundit organizimit të Kongresit III të Studimeve Ballkanike që do të mbahet vitin e ardhshëm në Bukuresht: çështja e referateve, bashkëreferateve, kumtesave etj.
b- Për të shkëmbyer mendimet mbi zgjedhjen e presidentit të ri të shoqatës në kongresin e ardhshëm. Si rregull, presidenti duhet të jetë një ballkanas dhe ne jemi shprehur gjithnjë për këtë tezë. Gjithë vendet ballkanike e kaluan radhën e tani vjen radha jonë prandaj ata kërkojnë mendimin, së pari nëse pranojmë të marrim presidencën dhe, së dyti, cili do të ishte kandidati, që, rregullisht del nga zv.presidentët e Komitetit, d.m.th. në rastin tonë do të qe Aleks Buda.
2. – Shoqata menjëherë pas mbledhjes së Komitetit në Ankara organizon dhe një simpozium shkencor në Stamboll me temën qendrore: Stambolli qendër takimi kulturor midis lindjes e perëndimit. Janë ftuar nga ne 5 veta për të kumtuar, midis të cilëve prof. Buda dhe Kostallari, mbasi anëtarët e Komitetit të shoqatës, rregullisht, marrin pjesë në këto lloj simpoziumesh. Shpenzimet e udhëtimit si në Ankara dhe në Stamboll janë në ngarkim të shoqatës.
Për sa më sipër mendojmë: a- Të merret pjesë në mbledhjen e Ankarasë pse kemi interes të zëmë sa më tepër vende në referatet, bashkëreferatet etj. Ministria e Jashtme është dakord, por nuk mendon të shkojë prof. Buda për postin që ka pse është Kryetar i Akademisë. Meqenëse në këto lloje mbledhjesh luan një rol edhe personaliteti i atij që përfaqëson vendin themi se do të ishte mirë që ai të shkonte për këtë radhë. b- Çështja e Presidencës: Ne deri tani e kemi refuzuar pse ka pasur kush ta merrte nga vendet e Ballkanit.
Mund ta refuzojmë prapë dhe të themi, e të insistojmë, që të llojë turni i Presidencës nga e para me vendet ballkanike (pse mund të ketë edhe mendime për kandidatura jashtë ballkanike – sovjetikët janë edhe ata anëtarë të Komitetit Drejtues). Ky qëndrim do të duket pak i argumentuar e i njëanshëm por ne mund ta shpjegojmë me atë që Presidenca e një shoqate të tillë kërkon një angazhim të madh në punët e saj e ne nuk do të jemi në gjendje t’i kushtojmë kohën e duhur.
Po ta pranojmë Presidencën, gjë që për vendin tonë do të ishte një gjë e merituar, aq më tepër kur është fjala për një shoqatë studimesh, duhet menduar për kandidaturën. Më i përshtatshëm do të ishte prof. Buda që është sot edhe zv.president i Komitetit të Shoqatës, vend të cilin mund ta zinte një nga shokët tanë, shoku A. Kostallari.
Shënojmë se pranimi i Presidencës natyrisht do të angazhojë me një farë mase prof. Budën me problemet e shoqatës, megjithëse ajo ka një sekretariat të plotë, me seksionet përkatëse, që drejtojnë në praktikë gjithë veprimtarinë. c- Në mbledhjen e Stambollit Ministria e Jashtme mendon që të mos merret pjesë. Edhe ne mendojmë se ndonjë gjë e domosdoshme nuk është, por aq sa na ftojnë me shpenzimet e shoqatës për të folur ne për vendin tonë, mund edhe të merrnim. Fundja le të qëndrojnë e të asin vetë, 2, prof. Buda dhe Kostallari në kthim nga Ankaraja. 1.10.1973
K. Ylli
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Shtator 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)