Aleksandër Filipi rikthehet pas
24 vjetësh në Galerinë e Arteve

Aleksandër Filipi rikthehet pas<br />24 vjetësh në Galerinë e Arteve
Aleksandër Filipi një nga piktorët më të njohur të traditës rikthehet pas 24 vjetësh mungesë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ekspozita vetjake e piktorit e përbërë prej 21 tablosh në teknikën e vajit, do të mbahet më 15 shtator.

Veprat e tij kanë si motiv kryesor peizazhin urban të Tiranës, por në këtë ekspozitë do të ketë edhe disa kompozime nga jeta e kryeqytetit shqiptar. Punimet e kësaj ekspozite janë realizuar gjatë viteve 2011-2016. Kjo është ekspozita e dytë vetjake që artisti çel në Galerinë Kombëtare të Arteve, për të cilën për shkak të burokracisë në këtë institucion i është dashur të pres jo pak, por plot 24 vjet. 

Piktori Aleksandër Filipi është një nga piktorët më të mirë shqiptarë. Ai bën pjesë në grupin e piktorëve që lëvrojnë pikturën e traditës dhe atë bashkëkohore. Kuratorët e kësaj ekspozite shprehen për piktorin se ai “gjithmonë prezantohet në mënyrë të figurshme dhe me mjete të veçanta komunikuese në veprat e tij. Aleksandër Filipi në vazhdimësi mbetet një piktor i rëndësishëm bashkëkohor i tablosë kompozicionale në Shqipëri, ku vendin kryesor e zë figura njerëzore.”

Veprat e artistit Filipi janë ekspozuar në ekspozita e konkurse brenda dhe jashtë Shqipërisë, e janë gjithashtu pjesë e koleksioneve private në Shqipëri, Kosovë, Gjermani, Greqi, Itali, Francë, Venezuelë, Spanjë dhe SHBA. Vepra me titull ”Deklarimi i Aktit të Pavarësisë”, ndodhet në selinë e Kuvendit të Shqipërisë. Sipas vlerësimit të kritikëve: “Tablotë e Filipit kanë brenda tyre dinamikë të brendshme, por edhe magji.

Filipi me mjaft kujdes i gdhend figurat e tij që rrinë në grup pranë njeri tjetrit e që edhe pse kanë individualitetin e tyre, grupohen bukur dhe komunikojnë me njëri-tjetrin. Ngjarjet e tranzicionit shqiptar, tragjeditë familjare dhe ajo kombëtare, energjia njerëzore shqiptare e mbijetesës dhe e shpresës kanë lënë gjurmët e tyre në veprën piktorike të piktorit Aleksandër Filipi.”

Kush është Aleksandër Filipi

Duke filluar nga viti 1977 me diplomimin e tij në Institutin e Lartë të Arteve ai nisi të realizonte tablo kompozicionale me tema historike, legjenda shqiptare dhe motive nga jeta e përditshme.

Artisti Filipi është edhe bashkautor me artistët V. Kilica, A. Kostandini, A. Nebiu dhe J.Dobroniku në realizimin e mozaikut në Tirane me titull “Shqipëria”, për fasadën e Muzeumit Historik Kombëtar, Tiranë me sip. 440 m2 (1978-1981). Student i shkëlqyer i Ateliesë së piktorit Danish Jukniu, i cili e mbajti si asistent pedagog në atelienë e tij, Filipi më pas punoi disa vjet si piktor i dizajnit industrial në Berat, restaurator i veprave të artit mesjetar, inspektor kulture dhe pedagog i shkollës artistike të qytetit të tij të lindjes deri në vitin 1997, kur i tronditur nga ngjarjet dramatike që ndodhën në Shqipëri emigron familjarisht në Venezuelë.

Në vitin 2000 kthehet përsëri në Shqipëri dhe vendoset në Tiranë, pasi ka realizuar disa vepra të rëndësishme arti në Venezuelë, si në aeroportin La Chinita, afresku 25 m2, me titull Vision mbi Marakaibo, tablonë Dielli i parë i jetës, për Fondacionin e fëmijëve të sëmurë me kancer dhe tablonë Familja e shenjtë, për Fondacionin Jose Felix Rivas. 

Gjithmonë i prirur në realizime të tablove kompozicionale, Filipi ka realizuar tema nga ngjarje historike, legjenda e motive nga jeta e përditshme duke filluar që në vitet ˜80. Mund të kujtojmë veprën Tafil Buzi me kryengritësit në Berat (1984), dy piktura murale për Muzeun e fshatit Sinjë, Berat (“Gjyqi i Sinjës”dhe “Lufta e Rrapo Hekalit”).

Ai priret t’i paraqesë figurat njerëzore në grupe dinamike, në lëvizje, kryesisht herë si elemente formale ku spikat energjia e brendshme e tyre, e herë si personazhe të tablove të tij historike, filozofike e simbolike.

Të kësaj periudhe janë tablotë: Rozafa,Maratonomaku, Prometeu, Njeriu dhe koha,etj. Gjithmonë në kërkim të formave të reja shprehëse, të një koloriti të harmonizuar e delikat, edhe duke përdorur ngjyra spektrale Filipi, shpesh largohet nga atmosfera realiste duke marrë frymëzim nga ikonografia, arti Italian i ˜500 dhe piktorët modernë të shekullit XX.

Në vitin 1996, cikli prej 15 tablove të ekspozitës vetjake të çelur në sallën e ekspozitave të Delegacionit të Komisionit Europian, Tiranë, tërhoqi vëmendjen e kritikës për situatat interesante dhe të papritura, që krijonte artisti, duke prezantuar tablo me personazhe të shumtë e tematikë biblike, sociale e nga antikiteti.

aleksander filipi piktura

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë