Ali Dhrimo, si i zbuloi 4 mijë
fjalët e reja të shqipes

Ali Dhrimo, si i zbuloi 4 mijë <br />fjalët e reja të shqipes
Gjuhëtari i shquar u nda nga jeta më 16 nëntor 2011

Profesioni i gjuhëtarit, i cili e shkon jetën duke u marrë me gjuhën, është një ndër mjeshtëritë e shumta të botës. Po ndryshe nga disa mjeshtëri ku puna e përditshme e zejtarit merret vesh nga zhurma e veglave, puna e përditshme e gjuhëtarit nuk bie në sy. Ai bie e ngryset me librat e vet, derisa të arrijë që mundin shumëvjeçar të tij ta derdhë në artikuj e libra.

E tillë ka qenë edhe jeta e prof. A. Dhrimos, i cili u nda prej familjes dhe kolegëve një vit më parë. Gjatë gati një gjysmë shekulli ai u mor me probleme të ndryshme të gjuhës; 20 vjetët e fundit lëvroi edhe publicistikë, duke u shfaqur si një penë e fortë në rrahjen e çështjeve kombëtare dhe të ndërtimit të demokracisë. Ndër fushat që lëvroi, tri qenë më kryesoret: morfologjia, norma dhe kultura e gjuhës si dhe hartimi i fjalorëve, ku la një numër të madh veprash. Duke vlerësuar krijimtarinë e tij të pasur, akademiku Sh. Demiraj ka shkruar se A. Dhrimoja “është një ndër ata studiues të suksesshëm që numërohen me gishta në vendin tonë”.
Nga fusha e morfologjisë, prej prof. Dhrimos kemi dy monografi, njërën për mbiemrin, e para për këtë pjesë të ligjëratës në gjuhën shqipe, me mjaft ndihmesa si për çështje të formës, edhe të klasifikimit të mbiemrit, po edhe me një varg propozimesh me interes për drejtshkrimin e tyre. Monografia tjetër trajton aspektin dhe mënyrat e veprimit foljor në gjuhën shqipe, një temë edhe kjo e patrajtuar në gjuhësinë tonë, për shkak të vështirësisë që paraqet. Me shumë interes janë analizat në këtë monografi të kuptimeve aspektore të kohëve të foljes dhe të mjeteve që përdoren për shprehjen e këtyre kuptimeve. Sikundër e thotë edhe vetë autori në parathënien e saj, mjetet e shumta që vihen në dukje në punim, duhet të njihen dhe të shtihen në punë në mënyrë të vetëdijshme nga të gjithë njerëzit e penës, shkrimtarë, gazetarë, e veprimtarë të ndryshëm të fjalës.

Me interes për lexuesin është historia e kësaj monografie. Ajo zë fill që në vitet studentore, si një përvojë që e nxiti t’i rivihej kësaj çështjeje kur punonte në Institutin e Gjuhësisë dhe ta përfundonte si studim, por pa pasur kohë ta ripunonte. Iu rikthye vetëm më 1988, kur, falë një burse njëvjeçare në Gjermaninë Perëndimore, iu dha mundësia të merrej me të duke i dhënë formën e një monografie. Një pjesë të saj e përktheu në gjermanishte, që të dëgjonte edhe mendimet e profesorëve gjermanë, të cilët e vlerësuan dhe e nxitën që ta përfundonte me sukses.

Studimet në Gjermaninë Lindore

Si njohës shumë i mirë i gjermanishtes (studimet e larta i pat filluar në Gjermaninë Lindore, po pa arritur t’i mbaronte për shkak të prishjes ideologjike) dhe pastaj si pedagog i kësaj gjuhe në Universitetin e Tiranës, ai kishte edhe përgatitjen e duhur filologjike për të kontribuar në hartimin e fjalorëve të kësaj gjuhe. E nisi me Fjalorin gjermanisht–shqip me 82 mijë fjalë, që u botua më 1996 në Gjermani. Ky fjalor me bashkautorësi, më i madhi fjalor gjermanisht–shqip i botuar gjer më sot dhe ndër të paktët fjalorë të këtij lloji që kanë si gjuhë përgjegjëse shqipen, ka një lëndë shumë të pasur gjuhësore. Pas kësaj vepre të madhe, ai botoi në Shqipëri edhe dy fjalorë të tjerë gjermanisht–shqip, përkatësisht me 45 mijë dhe 30 mijë fjalë, për t’u ardhur në ndihmë atyre që mësojnë gjermanisht, në radhë të parë studentëve të gjuhës gjermane dhe specialistëve të kësaj fushe.

Ka qenë një punë e tij plot pasion e shumë e lodhshme, që rrallë ndodh ta përfundojë me sukses një autor i vetëm. Tregonte se kur shkoi në Gjermani për të punuar për hartimin e fjalorit të parë, kishte marrë një valixhe plot me skeda. Në takimin me drejtorin e Institutit ku do të punonte, ky filloi t’i tregonte se si duhej bërë skedimi e të tjera hollësi teknike, por, kur Aliu i tha se ishte gjuhëtar dhe i rrëfeu skedat që kishte bërë, ky autoritet e kuptoi menjëherë se me kë kishte të bënte, i ndërpreu shpjegimet dhe i vuri në dispozicion pajisjet kompjuterike e literaturën e nevojshme si dhe konsulentë. Pas botimit të fjalorëve gjermanisht–shqip, ai iu vu punës për hartimin e një fjalori shqip–gjermanisht me 45 mijë fjalë, i cili u botua më 2005. Pasioni i tij për gjuhën shqipe i dha një impuls të fuqishëm hartimit të fjalorëve dygjuhësh me shqipen dhe gjermanishten në mënyrë që të plotësonte sa më shumë hapësirat aq të nevojshme për përdoruesin popullor dhe intelektual, një detyrë sa e lehtë, aq edhe e vështirë.

Me botimin e këtyre fjalorëve, Aliu ka dhënë për njohjen e gjuhës gjermane sa askush tjetër. Por këta fjalorë përbëjnë edhe një ndihmesë me vlerë të madhe për leksikografinë shqiptare. Duke u gjetur 82 mijë fjalëve të gjermanishtes fjalët përgjegjëse shqipe apo duke hartuar një fjalor shqip–gjermanisht me 45 mijë fjalë në një kohë kur fjalori më i madh i shqipes kishte 41 mijë fjalë, ai kontribuon në pasurimin e leksikut të shqipes me fjalë të reja. Hartuesit e fjalorëve njëgjuhësh të shqipes do të gjejnë në ta lëndë për të pasuruar fjalësin e fjalorëve të rinj.

Hartimi i fjalorëve gjermanisht-shqip

Përvoja e grumbulluar nga hartimi i fjalorëve dygjuhësh e shtyu Aliun të përfshihej në një projekt të përbashkët me dy kolegë të tjerë për hartimin e një fjalori sinonimik, i cili e pa dritën e botimit në vitin 2003. Me këtë vepër nis kontributi i tij në fushën e fjalorëve të shqipes, që nuk u mbyll me kaq. Njohja e thellë, nga njëra anë e morfologjisë dhe e drejtshkrimit të shqipes dhe nga ana tjetër e leksikut të saj, e nxitën të përfshihej si bashkautor edhe në një projekt tjetër të guximshëm për hartimin e një fjalori të ri drejtshkrimor të shqipes. Në këtë fjalor me rreth 75 mijë zëra, më i madhi fjalor shqip për nga fjalësi, për të cilin ai punoi deri pak muaj para se të ndahej nga jeta, u pasqyruan gjithë përvoja e tij, njohja e thellë e gramatikës, drejtshkrimit dhe e leksikut të shqipes si dhe guximi për të propozuar zgjidhje sistemore e përmirësime të normës drejtshkrimore. Botuesi gjithmonë do të kujtojë pasionin, korrektesën shkencore dhe skrupulozitetin në çdo germë dhe presje, ndjeshmërinë deri në ekstrem edhe për dridhjen më të vogël të pakapshme për veshin e zakonshëm, por jo për këtë zë që i mungon sot shqipes. Fryma bashkëpunuese e tij është një shembull i shkëlqyer i punës në ekip në çdo aspekt të saj, që nga fryma e diskutimit, respektit reciprok, sugjerimet elegante dhe autoritare, dhe ajo që të bënte përshtypje ishte se ai dinte të dëgjonte dhe vlerësonte mbi çdo gjë argumentin. Me të vërtetë ishte një inspirues për të hulumtuar dhe atje ku në pamje të parë nuk kishte çfarë të shihje, dhe shpeshherë kjo provokonte debate intelektuale midis kolegësh dhe në fund të çdo debati, pavarësisht se në shumë çështje ai ishte njohës i thellë, të linte përshtypjen e bashkautorësisë. Prof. Dhrimoja kishte në radhë të parë si qëllim një përfundim korrekt, që një qoshe e errët të ndriçohej, dhe kjo ishte e rëndësishme, jo e thashë unë i pari në diskutim, pra kishte një mirësjellje të lindur në këto marrëdhënie delikate mes kolegësh dhe intelektualësh, duke u shfaqur gjithmonë si një bashkëpunues të cilit kolegët ja ndjejnë mungesën.

40 vjet studime për Standardin e Shqipes

Fusha tjetër me të cilën u mor gati 40 vjet, është ajo e normës së gjuhës standarde dhe e kultivimit të gjuhës. Mbeten të paarritshëm artikujt e tij “Norma dhe kodifikimi”, “Problemi i normës letrare kombëtare në kohën tonë”, “Formimi i gjuhës së sotme letrare”, “Gjuha dhe publicistika”, Gjuha dhe përkthimi”, “Çështje morfologjike të normës drejtshkrimore” etj. Penës së tij i përkasin me dhjetëra shkrime për problemet e normës drejtshkrimore e morfologjike si dhe këshillime gjuhësore për çështje të ndryshme të normës që botoi në një rubrikë të veçantë të revistës “Gjuha jonë”, kryeredaktor i së cilës qe për 11 vjet.
Prof. Aliu nuk e arriti dot 40-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, për jetësimin e vendimeve të të cilit derdhi edhe ai dijet dhe mundin e vet. Sot, kur polemika mes mbrojtësve të normës morfologjike e drejtshkrimore të gjuhës standarde dhe atyre që duan t’i ndryshojnë këto norma është ndezur sërish, zëri i tij i matur dhe i autoritetshëm na mungon. Por kumtet e tij për këto probleme gjenden në veprat që ka lënë. Kushdo që mëton të merret seriozisht me gjuhën shqipe apo me normën e saj, do të nxjerrë prej tyre përgjigjet që kërkon.

(Shënim-red: Gjuhëtari i shquar Profesor Ali Dhrimo (1939-2011), përkujtohet sot në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta në Panairin e Librit “Tirana 2012”)

(dhh/eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi