Alibeaj në Report Tv: Kandidatët e Berishës s’pranuan dorën tonë të shtrirë! Vangjeli: Basha dëshpërim i fushatës, t’i kthente borxhin PD

Kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj kthehet pas në kohë dhe kujton ditët plot shqetësim para se të jepej vendimi për fatin e PD. Në një intervistë për Report Tv në emisionin ‘Kontrast’ me gazetarin Denis Minga shprehet se kandidatët e Berishës nuk pranuan dorën e shtrirë të PD që të futeshin në zgjedhje nën siglën e një partie të djathtë por shkuan drejt Partisë së Lirisë.

“Të gjithë kolegët sipas mënyrës së tyre kanë mbajtur qëndrim konstant prej 9 shtatorit, thuajse të gjithë janë shprehur pro apo kundër ruajtjes së PD, larg simptomave të korrupsionit, mbajtja e marrëdhënieve me aleatët strategjikë apo vorbulla rreth së cilës të krijohej lëvizje anti amerikane.

Ne kemi qenë të shqetësuar deri më 3 mars kur kemi qenë me dorë të shtrirë ndaj demokratëve e jo ndaj Sali Berishës. Tjetër është fenomeni që Sali Berisha pati për interesat e tij, ishte detyrim moral politik që të mbronim aktet derisa zgjedhja ishte tek ata dhe nuk e bënë për të kandiduar. Ky ishte momenti kur zgjodhën të kandidonin te një parti e majtë. Zgjodhën të përfaqësonin vlera që nuk na përkisnin ne. Moslargimi i Berishës pengoi bashkimin e bazës, dëmtoi Partinë Demokratike”, tha Alibeaj.

Sa i përket futjes në zgjedhje me vetëm 14 kandidatë ndërsa gara bëhet për 61 bashki, Alibeaj shprehet se do të ishte për një model të ri. Megjithatë ngre shqetësimin për mungesën e fondeve që s’janë dorëzuar ende nga KQZ dhe kanë ndikuar në fushatën e tyre elektorale.

“Përfaqësimi ynë me 61 kandidatë do të ishte për ata njerëz që besonin me model të ri, larg berishizmit, për të rrëzuar regjimin e Ramës. Ky model i ri është të bësh ndryshe nga ç’bën Rama. I kuptoj vështirësitë. Ende s’kemi marrë fondet. E bëjnë për të na penguar, ka edhe një masë të madhe presioni e asfiksie”, tha Alibeaj.

Një koment e pati edhe për Lulzim Bashën, i cili ka qëndruar larg syrit publik pas dorëheqjes si kreu i PD. Sipas Alibeajt, Basha ka qenë aktiv në fushatë në Tiranë. Analisti Lorenc Vangjeli i thotë se duhet të bënte më tepër vetëm për t’i kthyer ‘borxhin’ PD.

“Basha është dëshpërimi i kësaj fushate. Nuk i ktheu një borxh PD që e kishte projektuar kryetar e kryeministër të Shqipërisë dhe fushata e tij nisi e mbaroi në mënyrën më dembele me një shprehje në Twitter, do të duhej të bënte shumë më shumë se kaq. Duhet të ishte kudo, Shkodër, Tiranë, Durrës”, tha Vangjeli.

I pyetur nëse grupi parlamentar i PD rrezikon shpërbërjen pas zgjedhjeve vendore, Alibeaj tha se do të bëjnë ristrukturim të partisë menjëherë pas 14 majit.

“Nuk e mohoj faktin që një pjesë e anëtarëve të grupit parlamentar por i qëndroj asaj që kolegët e kanë pasur si merak para fushatës, cila do të ishte rruga më e mirë, me apo pa kandidatë, me apo pa këshill dhe pjesë më e mirë i kanë qëndruar kësaj. Unë s’bëj parashikime por është e qartë që PD është e pozicionuar pa Sali Berishën, kundër Edi Ramës, pro SHBA dhe lënie pas të figurave të vjetra. Kjo do të realizohet edhe vetë brenda PD. Do kemi proces të rinovimit të partisë”, tha Alibeaj.

Alibeaj nuk bëri një koment nëse do të kandidojë për postin e kreut të PD por theksoi se është e rëndësishme që Partia Demokratike të mos ketë në fokus vetëm liderin e saj. Sipas Vangjelit, në garë për kreun e PD duhet të jetë Enkelejd Alibeaj, Roland Bejko dhe Gazment Bardhi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:32
Vangjeli: Berisha 'thes çimentoje' në kurrizin e shoqërisë shqiptare! Alibeaj të kandidonte në 61 bashki, Bejko shpëtoi fytyrën e PD

Analisti Lorenc Vangjeli e cilëson Sali Berishën si ‘thes cimento’ që rëndon në kurrizin e të gjithë shoqërisë shqiptare. Në Report Tv, në emisionin ‘Kontrast’ me Denis Mingën, analisti tha se do të jetë 14 maji që do të përcaktojë një ekuilibër të ri në politikën shqiptare.

Sipas tij, beteja për zgjedhjet vendore nuk është vetëm mes forcave të mëdha politike por edhe mes vetë brenda demokratëve. Analisti Vangjeli e konsideron kandidatin e PD, Roland Bejko si politikanin që shpëtoi fytyrën e PD dhe i dha leksion politikës.

“Shkëputja nga Berisha është shkëputje e të gjithë shoqërisë sonë. Në moemntin e parë pacienti ndihet i dobët por shprehja që nuk mungon kurrë është tani lëviz sikur kam një thes cimento më pak në kurriz. Berisha është thesi i çimentos në kurrizin e të gjithë shoqërisë shqiptare. Arbitri ka dhe 24 orë për të dëgjuar komentet e politikanëve dhe hesht edhe arbitri suprem do jenë shqiptarë.

Përtej të gjithë parashikimeve dhe perceptimeve që krijojnë, në demokraci vendos shumica dhe të gjithë të tjerët duhet t’i binden. Kjo s’do të thotë që gjithmonë shumica ka të drejtë. Ka raste që edhe një individ i vetëm ka të drejtë. Këto zgjedhje janë 3 planëshe, do zgjidhen kryetarët e bashkive, këshillat bashkiakë dhe votim mes këtyre dy pjesëve të PD. Pavarësisht rezultatit, kjo do të japë një ekuilibër të ri.

PD e Alibeajt ndonëse i kishte të gjithë kundër duhet të kandidonte në 61 bashki dhe të kishte kandidatë për këshilla bashkiak. Bën dallim 1 detaj për kandidatin e Tiranës. Pavarësisht arsyetimeve të tjera, Bejko jo vetëm shpëtoi fytyrën e PD, i dha leksion politikës”, tha Vangjeli.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale