TIRANË- Enkelejd Alibeaj nuk i ka kursyer një përgjigje Sali Berishës, me këtë të fundit që e përjashtoi nga ftesa e tij për ribashkim. Alibeaj e bën atë shkak të përçarjes së demokratëve, por jo vetëm. Edhe disfatën e madhe që pësoi në 14 maj, për kryetarin e dorëhequr të PD-së, fajtor është Berisha dhe aleanca e tij më Ilir Metën.

“Humbësi i madh i zgjedhjeve të 14 majit paska gjetur sot armiq të rinj, duke publikuar dhe listën e të përjashtuarve të radhës. I zhytur në disfatën që i solli demokratëve dhe opozitës, sindroma e komunizmit i rikthehet si përherë kur humb duke shpallur grupe armiqësore.

Shqiptarët e kanë të qartë se shkaku i përçarjes së opozitës është Sali Berisha, sikundër aleanca e tij me Ilir Metën ka prodhuar këshilltarë të LSI me votat e demokratëve në çdo këshill bashkiak. Bashkëpunimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës në kurriz të demokratëve dhe shqiptarëve është një nga arsyet pse pati refuzim masiv në 14 maj dhe që e mban në këmbë regjimin e Edi Ramës”, shkruan Alibeaj.

Ky reagim i tij, erdhi pasi sot Sali Berisha u përpoq të evidentojë se nuk ka asnjë ndasi me deputetët nga kampi tjetër, që sipas tij, në bllok bënë fushatë për kandidatët e primareve më 14 maj. Në këtë grupim, ai përjashtoi Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Bashën.