TIRANE- Artistët më të talentuar shqiptarë dhe ata shqiptaro-amerikanë ekspozojnë sot në një nga lagjet më të famshme Manhattan të Nju Jorkut. Veprat që u përkasin piktorëve më të shquar me karrierë ndërkombëtare do të prezantohen së bashku në edicionin e katërt të këtij eventi të titulluar “Pop-up”.

Artistët pjesëmarrës janë: Alfred Mirashi Miloti; Artan Shabani; Bekim Zeqiri; Bertol Dragani; Blerti Murataj; Emil Bakalli; George Pali; Gjon Izano; Ilo Oxa; Klodian Deda; Klodiana Alia; Lorena Kalaja; Nazmi Hoxha; Pajtim Osmanaj; Yllka Gjollesha. Aktiviteti mundësohet nga rrjeti i Ndërmarrësve dhe Profesionistëve Shqiptarë (APEN), organizata e vetme joqeveritare që i shërben komunitetit shqiptaro-amerikan. Një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm, është artisti dhe kuratori shqiptar i këtij eventi, Alkan Nallbani.

Nallbani është një piktor i talentuar dhe veç kësaj ai deri më sot ka kuruar ekspozita të ndryshme në mbarë botën, duke përfshirë Shqipërinë, Italinë dhe “New Museum” në Nju Jork. Puna e Nallbanit njihet në skenën ndërkombëtare. Nallbani në “Pop-up” do të shpalosë disa prej veprave të tij, bashkë me veprat e përzgjedhura të artistëve që do të prezantohen sot në këtë ekspozitë.