Altimari: Urat e Arbërit paraotoman
  simboli i një Europe të njësua

Altimari: Urat e Arbërit paraotoman<br />  simboli i një Europe të njësua
Është promovuar sot në Panairin e Librit “Tirana 2015” libri “Urat e Arbërit” studiuesit të njohur arëbëresh prof. Francesco Altimari. Urat si metaforë e simbolikë përdoren shpesh në art e letërsi, por në studimet me standard shkencor për historinë dhe kulturën e kombit shqiptar zbulimi dhe rizbulimi i “urave” ndërlidhëse të komunikimit e ndikimit  mes trojeve  të ndara nga luftërat, pushtimet, shpërnguljet dhe kufijtë nuk është aq i thjeshtë dhe i kollajtë.

Prof. Francesco Altimari, përmes librit të tij më të ri “Urat e Arbërit” ka arritur ta bëjë këtë. Instituti Italian i Kulturës në Tiranë  në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Naimi”, organizuan në Panairin e Librit, promovimin e veprës më të re të autorit profesorit të njohur arbëresh. Lidhur me vlerat e librit, pas përshëndetjes së drejtores së Institutit Italian të Kulturës, znj. Adriana Frisenna, kumtuan prof. Kolec Topalli, prof. Matteo Mandalà, prof. Sadik Bejko si edhe drejtore e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.

Francesco Altimari

Sipas studiuesve, libri “Urat e Arbërit” i prof. Altimarit, botim i bibliotekës albanologjike “Naimi” përbën një ngjarje për kulturën shqiptare, referuar kontributit të madh që autori ka sjellë në studimet albanologjike. Falë këtyre studimeve të reja, u shpreh prof. Sadik Bejko, Rilindja Kombëtare shqiptare rezulton t’i kete fillesat shumë kohë më parë se sa kishim kujtuar e shkruar: “urat” që ndërtuan arbëreshët ringjallën kombin shqiptar.  

“Urat e Arbërit, jo vetëm në këtë libër, por në gjithë kërkimet dhe botimet e këtij shkencëtari, -shkruan prof. Shaban Sinani në parathënie të librit,- do të mund të ishterrethi përkufizues brenda të cilit do të gjendeshin si brenda një projekti studimet e botuara prej tij, projektet e drejtuara, veprat që njohim dhe ato që do të njohim në të ardhmen: urat e Arbërit kryemot, ashtu siç e kishin gjithë rilindësit, por arbëreshët më së shumti; urat e Arbërit të kryehershëm, kur bota shqiptare fatmirësisht zhvillohej hap më hap me gjithë vendet e pellgut ndër- e mbi-Adriatik; urat e Arbërit para-otoman, me përndritjen humaniste të epokës së mendimit më të hershëm europeist. ...Dhe, natyrisht,urat e Arbërit të mbijetuar, urat e botës arbëreshe, të shumëfishta mes tyre: ura që ndërlidhin shekujt, ura që ndërlidhin arbëreshët e Sicilisë dhe ata të Kalabrisë, ura që lidhin arbëreshë e arvanitë dhe pastaj këta së bashku me kujtimin e një patria poesis, ura që bashkojnë pararilindjen me Rilindjen, ura në të cilat shtegtojnë edhe sot si kalorës të një urdhri ndriçimtar De Rada, Migjeni, I. Kadare dhe M. Camaj; ura përbashkuese të shqipes së autorëve më të vjetër arbëreshe me autorët klasikë të Veriut shqiptar; ura ekumenizmi që ndehen krenarisht e drejtpeshojnë njësinë shqiptare përmbi heterogjenitetin e proceseve historike, kulturore e fetare.  Ndër shenjat më të vjetra - sot simbol i një Europe të njësuar - ura duhet të jetë një kryeshenjë që ka lidhje jo vetëm me letërsinë dhe traditën kulturore, por dhe me vetë etnotipin e një kombi. Duke ia spikatur e certifikuar këtë shenjë shkencës shqiptare dhe lexuesve të saj, përkundër monumentalizimit tradicional të kështjellës krenare vetëruajtëse, Francesco Altimari e emancipon këtë dije metodologjikisht dhe si mendësi, e çliron prej gjithfarë kufijsh që, ndonëse ideologjikisht janë refuzuar, vazhdojnë të kenë fuqi veprimi pengues. Nëse kufijtë e atdheut shkojnë deri në atë thellësi ku shkon prekja me gjuhën e tjetrit dhe deri në atë gjerësi ku sapientia hermeneutica nuk ka punë, mund të thuhet se ky dijetar ia ka arritur të formësojë pa bujë dhe pa patetikë pikërisht ngushtësinë e shumë kategorive limes që shkenca shqiptare i ka pasur”.

Francesco Altimari

Ndërsa prof. Matteo Mandala vuri në dukje se në studimet për veprën e De Radës sërish nyja themelore njësuese është ura: urat midis romantizmit europian, bajronizmit, dhe veprës së poetit; urat midis shekullit të iluminizmit gjuhësor dhe shekullit të iluminizmit kombëtar; urat midis letërsisë së De Radës dhe mendimit poetik-letrar europian; urat midis letërsisë popullore dhe asaj refleksive; urat midis rilindësit arbëresh dhe lëvizjeve të mëdha kombëtare në vendet fqinje, si Risorgimento-ja dhe Neohelenizmi (duke përfshirë dhe rolin e vetë shqiptarëve për shpalljen e ideve themelore të tij, pa përjashtuar ato ekspansioniste); urat midis ideologjisë albaniste pararilindëse dhe lëvizjes kombëtare të shek. XIX (sidomos në studimet Arbëreshët për Rilindjen e Shqipërisë dhe Napoli, vatra kulturore e Rilindjes dhe vatra letrare e De Radës). Të gjitha këto ura kishin bërë që shqiptarët tashmë të kuptonin se ishin të vetët; që përbën shkallën e parë të vetidentifikimit kombëtar. Ndonëse studime të lidhura ngushtësisht me pyetjet shkencore për projektin letrar të De Radës, ato i përgjigjen në nënshtrat pyetjes se kur shqiptarët, copëtuar në sanxhaqe e vilajete, me ndarje historike dhe kulturore prej fundit të Mesjetës, për herë të parë rinisën të ndihen si të njëri-tjetrit.

Koncepti i Francesco Altimarit, që mendimi rilindës ndër arbëreshët nuk ka qenë një zhvillim ishullor as në kohë dhe as në hapësirë është shkompleksues ndaj dijes shqiptare, e cila, në një anë e ka pranuar deri me mbiçmim vlerësimin e lartë të poetëve europianë për De Radën, por në anën tjetër e ka pasur të vështirë ta shohë atë të lidhur e të ndikuar edhe prej lëvizjes kombëtare për bashkimin e Italisë dhe për më tepër me idetë politike me ndikim europian në atë epokë.

Urat e Arbërit është një vepër që dëshmon jo vetëm dije të re, por dhe ekdotikë dhe epistemologji të re, mendësi të re. Ai vjen tek lexuesi shqiptar i sotëm si një propozim për të ndryshuar mendje, për të parë përmes dritaresh interpretuese më në brendësi të botës arbëreshe, mbijetesës së italo-shqiptarëve (sipas emërtimit të E. Çabejt) dhe rolit të tyre për zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe të mendimit shqiptar.

Botimi i veprës “Urat e Arbërit” i Francesco Altimarit u bë i mundur edhe me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, Tiranë.

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Tre mjete përfshihen në një aksident në fshatin Kamenicë

Korçë/ Tre mjete përfshihen në një aksident në fshatin Kamenicë