Në këto tre ditë, Tirana do të jetë qendra europiane e diskutimeve për median dhe rregullimin audioviziv, sepse në kryeqytet kanë nisur punimet e konferencës së 63-të të Platformës Evropiane të Autoriteteve Rregullatore (EPRA), rrjeti më i madh dhe më i vjetër i rregullatorëve të medias në Europë.

Kjo është hera e  parë që Shqipëria mirëpret këtë aktivitet ndërkombëtar, ku marrin pjesë delegacione nga 42 vende europiane. Organizator i konferencës është Autoriteti i Mediave Audiovizive, ndërsa punimet do zhvillohen në Tiranë deri më 22 maj 2026.

Konferenca u çel nga kryetarja e Bordit të EPRA-s, Stephanie Comey, e cila falënderoi Autoritetin e Mediave Audiovizive për organizimin e takimit në Tiranë. Në fjalën e saj, ajo theksoi se EPRA funksionon si një forum i hapur dhe i pavarur nga ndikimet politike.

“EPRA është një forum i hapur, jo politik dhe neutral në operacione. Anëtarët duhet të ruajnë të njëjtat vlera dhe neutralitetin institucional”, deklaroi Comey.

Siç e do tradita e këtij rrjeti, Konferencën e ka hapur Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi, si enti pritës i eventit. Krasniqi paraqiti një panoramë të zhvillimeve kryesore në peizazhin audioviziv në Shqipëri, duke u fokusuar te roli rregullator i AMA-s, kuadri ligjor dhe përafrimi me standardet europiane.

Në prezantim u evidentua edhe strategjia e AMA-s për periudhën 2024–2026, e fokusuar në rritjen e transparencës, forcimin e efikasitetit institucional dhe harmonizimin e legjislacionit shqiptar me kuadrin europian, përfshirë AVMSD, EMFA dhe DSA.

Gjithashtu, u prezantuan ndryshimet ligjore që janë në proces, të cilat synojnë rritjen e përgjegjësisë së platformave digjitale, mbrojtjen e lirisë së medias, garantimin e pavarësisë editoriale dhe transparencën e financimeve publike në sektorin mediatik.

Në fjalën e saj, Krasniqi u ndal në punën e bërë për hartimin e regjistrit të transparencës së pronësisë së medias audiovizive, një bazë të dhënash e plotë dhe e detajuar deri te përfituesit fundorë dhe e aksesueshme në faqen zyrtare të AMA-s. Ajo u shpjegoi të pranishmëve konkretisht se si është mundësuar qasja e publikut në këtë bazë të dhënash.

Gjithashtu Krasniqi ka bërë një përmbledhje të shkurtër mbi aktivitetin kryesor gjatë 5 viteve të AMA-s me 550 vendime, mbi 60% e tyre me dakordësi unanime dhe me asnjë vendim të kontestuar nga shoqëria civile, industria dhe forcat politike.

"Gjatë 5 viteve janë marrë vendime për 38 gjoba për shkelje të përmbajtjes dhe 44 gjoba për pirateri televizive, me një vlerë totale mbi 80 milionë lekë", ka thënë Krasniqi, duke shtuar se nga 49 procese gjyqësore të përfunduar në Gjykatën e Shkallës së parë, 80% janë fituar nga AMA"

Në ditën e parë të konferecës së 63-të të EPRA-s në Tiranë u diskutuan temat e aksesueshmërisë së personave me aftësi të kufizuara, PAK, në transmetimet audiovizive, praktikat dhe sfidat e vendeve europiane për të përmbushur siç duhet detyrimet që rrjedhin prej ligjit në këtë drejtim. Vende si Spanja, Bullgaria, Lituania, treguan eksperiencën e tyre në praktikë, u bënë prezantime nga Observatori Europian Audioviziv dhe Këshilli i Europës si dhe u shfaq një mesazh i regjistruar nga Komisioni Europian.

Po ashtu u prezantua gjithashtu faqja e re e internetit e Platformës Evropiane të Autoriteteve Rregullatore, e cila është përmirësuar dhe vjen me një përvojë navigimi më të mirë dhe në telefonët celularë.

Me tej punimet e mbledhjes së 63-të të EPRA-s do të vazhdojnë me ëorkshop-e ku do të diskutohet mbi sfidat aktuale të tregut mediatik.

Pjesë në mbledhjen e 63 të EPRA-s ishin dhe Këshilli i Evropës si vëzhgues permanent, Observatori Evropian Audiovizual si vëzhgues permanent, Zyra e përfaqësuesve të OSCE për Lirinë e Medias si vëzhgues permanent, Bordi Evropian i Shërbimeve Mediatike (ish ERGA) si vëzhgues Ad-Hoc, Platforma 3Cat, Platforma Netflix, Forumi Evropian i Aftësisë së Kufizuar, Cullen International.