Çamçakiz

(10/9/2000)Të duket e çuditshme kur men don se deri në çfarë pike ngadhënjimi i demokracisë tek ne i ridimensionoi, për të mos i thënë i zhvlerësoi, disa gjëra a dukuri të thjeshta fare. Dikur-atëhere isha ende pedagog i ri në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja-bananet, koka-kola, kontraceptivët, mjekrat dhe çamçakizat, për shembull, ishin gjë tepër e rrallë, gati mollë të ndaluara, objekte ëndrrash e dëshirash të ndrydhura thellë në shpirtin e tromaksur. Ç'është e vërteta, për bananet shteti totalitar nuk kishte ndonjë paragjykim; shija dhe përmbajtja e tyre ushqyese nuk binte në kundërshtim me ideologjinë sunduese të kohës, ndoshta ...normat e rrepta të moralit të zymtë nacional-komunist kishin rezerva për formën dhe ngjyrën e tyre; koka-kola, dihet, ishte pije degjeneruese, ai që guxonte të thoshte të kundërtën, edhe po ta kishte mbiemrin Kola, pendohej e thoshte:"Ah, ç'më bëri Koka; për kontraceptivë as që mund të bëhej fjalë, sepse shteti dhe partia e vetme ndiqnin një politikë lindshmërie të lartë: Atdheu socialist kishte nevojë për sa më shumë ushtarë, madje flitej për popull-ushtar gjithmonë në qëndrim gatitu! e me nerva të tendosura të mbështetura në tabanin kombëtar, aq sa në farmaci duhej të kishe mik të fortë që të gjeje prezervativë qoftë edhe të skaduar; përsa i përket mjekrës, ishte thjesht e ndaluar të mbaje të tillë, ndonëse kjo nuk figuronte në asnjë dokument ligjor, por bëhej përjashtim vetëm për ndonjë aktor që duhej të luante rol diversanti. Së fundi, edhe çamçakizët nuk shiheshin me sy të mirë, megjithëse për ca kohë Durrësi prodhoi një lloj çamçakizi disi të çuditshëm, por linja e prodhimit të tij nuk vonoi të mbyllej për arsye që nuk u thanë asnjëherë publikisht. Gjithsesi, ata pak njerëz që kishin ndonjë mundësi të kufizuar për të dalë jashtë shtetit, i kënaqnin së tepërmi fëmijët e të rinjtë kur u sillnin ndonjë pako me çamçakiz të vërtetë. E kam vrarë gjatë mendjen përse çamçakizi i pafajshëm shihej me dyshim thuajse klasor në ato kohëra të errëta. Mbase nga ndonjë lloj diskriminimi krahinor për shkak të tri shkronjave të para të kësaj fjale, ndoshta edhe për arsye ideologjike, siç e dëshmon incidenti që më ndodhi në vitin 1973 me zëvendësrektoren e universitetit të Tiranës: ajo shoqëronte rektorin e një universiteti francez dhe, në një çast, m'u desh jo vetëm t'u përktheja, por edhe t'i nxirrja në fotografi për kujtim dy kolegët e nderuar. Tek pozonin hijerëndë, francezi tha me humor: Cheese! (Fjalë angleze që kur e shqipton - çiiz- të bën të dukesh sikur po buzëqesh edhe po të kesh dëshirë t'ia shkrepësh të qarit). Unë e përktheva, duke shpjeguar edhe arsyen përse thuhet kjo fjalë, që në shqip don të thotë thjesht "djathë", por zëvendësrektorja m'a ktheu rëndë-rëndë:"Ne, shqiptarët, buzëqeshim natyrshëm, se jemi të lumtur". Unë, sidoqoftë, i propozova, me shaka sigurisht, një fjalë shqiptare, "çamçakiz", por ajo ma preu, kësaj radhe me një ton qortues:"Edmond, çamçakizi është shpikje e imperializmit amerikan". Veç ja, më në fund, edhe tek ne triumfuan demokracia dhe ekonomia e tregut, rrjedhimisht, së bashku me shumë gjëra të tjera, ushqimore ose jo, vërshuan furishëm në gojën e psikologjinë tonë, edhe Koka-Kola, edhe Ban Nania edhe Çam Çakizi. Por, nga këta të tre, vetëm i fundit u tregua shumë hakmarrës; sot ai na është bërë si rrodhe e nuk na shqitet lehtë. Kështu, jo vetëm në fakultetin ku jap mësim, por edhe gjetkë, madje në institucione tejet serioze, kam parë çamçakizë të ngjitur (pas përdorimit, natyrisht) në pllakat e dyshemeve, poshtë karrigeve apo tryezave, prapa dyerve etj. Madje, para një viti e ca, tek përktheja për një kryeministër të huaj që vinte për herë të parë në Shqipëri e u prit përzemërsisht në sallonin luksoz të presidencës së Republikës, pastaj në sallën më të mirë të kryeministrisë sonë, vështrimi më hasi pa dashje diku, në një qoshe muri, ca si njollëza që të kujtonin bindshëm gjurmët e çamçakizit të shkulur përdhunshëm nga vendngjitja e tij e paligjshme, por e rehatshme. Gjithsesi, çimçakizi e ka një të mirë: jo vetëm që i mbron dhëmbët nga prishja (sipas Federatës botërore të dentistëve), por edhe t'i ul nervat kur je i tensionuar; jo më kot sportistët përtypin petë çamçakizi gjatë ndeshjeve. Prandaj edhe politikanëve tanë të nderuar u rekomandohet (nga Federata botërore e psikiatërve) të përtypin sa më shumë çamçakiz gjatë fushatave zgjedhore si edhe në çdo veprimtari tjetër social-politike të tyren; kështu, ata do ta shkarkojnë mllefin dhe babëzinë vetjake tek çamçakizi dhe jo te shpirtrat e xhepat e njerëzve të thjeshtë e halleshumë; unë u sugjeroj atyre, me shumë përulësi, që, duke përtypur çamçakiz, të përfytyrojnë sikur shtypin e bluajnë me dhëmbë kokat e njëri-tjetrit, çka duhet t'i lehtësojë goxha. Në këtë mënyrë, të nesërmen, kur të takohen me kundërshtarët e tyre në debate e tryeza të rrumbullakta, ata do të jenë më pak agresivë dhe do të kenë mundësinë të buzëqeshin para kamerave televizive duke thënë jo cheese!, por çamçakiz!. Vetëm kujdes se mos e ngjisin këtë të fundit, pa e pasur mendjen, në ndonjë vend të papërshtatshëm, çka mund t'u bllokojë trafikun e rënduar të barkut!

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Zaloshnja: 3/5 të pakënaqur me qeverinë, ndërkohë treçereku të pakënaqur me opozitën…