Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka ndarë mesazhin e presidentit amerikan, Donald Trump teksa mbajti fjalimin e tij në Kongres.
“Epoka e artë e Amerikës ka filluar tani”, thuhet në mesazhin e shpërndarë në rrjetet sociale, duke cituar deklaratat e Trump.
"Revolucioni që filloi në vitin 1776 nuk ka përfunduar, ai vazhdon ende sepse flaka e lirisë dhe pavarësisë vazhdon të digjet në zemrat e çdo patrioti amerikan.” - Presidenti Trump në fjalimin drejtuar kombit “State of the Union” 2026”, shkruan ndër të tjera ambasada amerikane.
Presidenti amerikan, Donald Trump mbajti fjalimin më të gjatë në historinë e SHBA-ve, teksa foli për rreth 1 orë e 48 minuta në Kongresin Amerikan.
Trump përdori seancën e përbashkët të Kongresit amerikan për t’i paraqitur arritjet e administratës së tij, duke i cilësuar ato si agim i një “epoke të artë”.
Trump shtrëngoi duart me të katër anëtarët e Gjykatës Supreme që morën pjesë në fjalimin e tij në Kongres, pavarësisht kritikave të ashpra që ai u bëri ditë më parë pas vendimit kundër tarifave doganore.
"Gjykata Supreme ka nxjerrë një vendim të pafat", tha presidenti.
Ndër të tjera, Trump tha se Irani ka raketa që mund të godasin Europën dhe paralajmëroi se së shpejti mund të arrijë SHBA-në.
Sipas tij, Irani është mbështetës i terrorizmit dhe pretendoi se regjimi ka vrarë 32 mijë protestues.
Lidhur me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se po vriten 25 mijë ushtarë çdo muaj dhe shtoi se po punohet që këtij konflikti t'i jepet fund.
Komente










