Ambasada e Japonisë në Tiranë i dhuroi 150 libra të rinj bibliotekës “Agim Spahiu” në qytetin e Kukësit. Ky projekt, i njohur si “READ JAPAN PROJECT”, zhvillohet nga qeveria japoneze që prej vitit 2011, me qëllim dhurimin e librave në gjuhën angleze rreth Japonisë për bibliotekat universitare dhe bibliotekat publike në vendin tonë.
“Kjo nismë është një urë miqësie që forcon lidhjet kulturore dhe nxit shkëmbimin e vlerave mes Shqipërisë dhe Japonisë”, u shpreh kryetari i Bashkisë Kukës Albert Halilaj, gjatë takimit me Ambasadoren e Japonisë, Kato Kikuko.
Ambasadorja Kato u shpreh se librat e dhuruar në bibliotekë do të ndihmojnë të rinjtë e Kukësit të njohin më mirë Japoninë.
“Librat në gjuhën angleze do t’i ndihmojnë të rinjtë kuksianë, të cilët nuk e kanë informacionin e plotë për Japoninë, që të kenë më shumë akses dhe të marrin më shumë njohuri për kulturën japoneze. Donacioni, por edhe mbështetja në të ardhmen, janë në kuadër të forcimit të marrëdhënieve mes Japonisë dhe Shqipërisë, Bashkisë Kukës dhe Ambasadës së Japonisë. Shpresoj që ky bashkëpunim të jetë afatgjatë dhe të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha ambasadorja.
Librat e rinj janë përzgjedhur nga zhanre të ndryshme të botimeve japoneze, të përkthyera në anglisht, dhe do të shërbejnë si një mënyrë komunikimi me kulturën orientale. Ato mbulojnë një gamë të gjerë tematikash, përfshirë politikën, ekonominë, shoqërinë dhe kulturën japoneze.
Gjatë vizitës në Kukës, ambasadorja e Japonisë, krahas ndalesës në godinën e bibliotekës ku bëri edhe dhurimin e librave, vizitoi edhe punimet e nxënësve të talentuar në një ekspozitë pikture të hapur posaçërisht për vizitën e diplomates japoneze.
Komente










