TIRANE-Shembja e Teatrit Kombëtar ka nxjerrë në pah qëllimin e vërtetë të rebelimit dhe skenarin e Presidentit Ilir Meta e opozitës për të ndërhyrë te reforma në sistemin e drejtësisë. Presidenti Ilir Meta me argumentin e kauzës së Teatrit Kombëtar mblodhi sot opozitën duke i prezantuar një plan me 11 pikë për daljen nga kriza. Por cfarë përmban kjo platformë që solli reagimin e ashpër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranës?

Në njoftimin për mediat pas takimit me opozitën, Presidenti deklaroi se "I informova për përpjekjet dhe propozimin e një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian. Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme".

Por çfarë është ky këshill dhe çfarë synon Ilir Meta? Burime për Report Tv nga tryeza e opozitës me Presidentin zbardhën detaje konkrete nga propozimet e kreut të shtetit. Ilir Meta kërkon ngritjen e një Këshilli Politik për të ndërhyrë në Reformën në Drejtësi. 

"Ka disa institucione që duhet të ishin ndërtuar. Opozita është ajo që e votoi reformën në drejtësi, ndryshimet kushtetuese. Duhet parë nëse ka nevojë për amendime, sipas presidentit duhet një këshill politik me përfaqësues të pozitës dhe opozitës për të arritur në një mirëkuptim sepse ndryshimet kushtetuese nuk janë çështje të Edi Ramës, por të gjithë popullit, që ka edhe një opozitë që duhet të ketë zërin e vet. Ka shumë gjëra që nuk po ecin, duhet parë nëse duam gjyqësor për Edi Ramën apo për të gjithë qytetarët" tha një burim nga brenda mbledhjes.

I njëjti burim sqaron edhe disa nga pikat që ka propozuar Ilir Meta. "Një prej pikave është largimi i Ardian Dvoranit si kryetar i KED-së sepse i ka përfunduar mandati, Gjykata Kushtetuese, mos ndryshimi i formulës së betimit, ndryshimet ligjore për reformën në drejtësi të bëhen nga një strukture si ajo që po punon për reformën zgjedhore, nga Këshilli Politik ku përfshihet edhe opozita. Një tjetër cështje e përfshirë është reforma zgjedhore, por edhe zgjedhja e kryetarit të KLSH-së".

Një tjetër burim po nga tryeza e paradites së sotme shkoi më tej duke thënë se Presidenti Ilir Meta i tha Lulzim Bashës dhe aleatëve të tij se këtë propozim me 11 pika, ku përfshinë Reformën në Drejtësi do ua shtronte edhe ndërkombëtarëve.

"Presidenti tha se kam një ide që do ua shtroj ndërkombëtarëve, që duhet një strukturë politike sikur është bërë për komisionin zgjedhor ku të përfshihet edhe opozita, pasi janë tema të përbashkëta. Që të përshpejtohet plotësimi i vakancave në drejtësi. Është detyrim i të gjitha palëve që politikat për integrimin duhet të kenë një konsensus. Sikur është një tryezë për të gjithë reformën, të gjitha kanë nevojë për një strukturë politike që të jetë edhe opozita" tha një tjetër burim për Report Tv.

Reagimi i ambasadës së SHBA-së në Tiranë ka qenë i menjëhershëm dhe i fortë. Fillimisht ishte vetë Kim që shkoi në Presidencë me urgjencë paraditen e sotme, por në mungesë të Presidentit që ishte me opozitën, zhvilloi një takim me këshilltarët e kreut të shtetit dhe më pas u largua pas porosive që la.

Disa orë më pas, pasdite ambasadorja e SHBA bëri një postim të ashpër duke i dërguar një mesazh të qartë dhe direkt Presidentit Ilir Meta dhe të gjithë atyre që janë pjesë e planit të tij. Ambasadorja e SHBA-së e cilëson këtë lëvizje si një sabotim të Reformës në Drejtësi .

"Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë" deklaron Kim. Ambasadorja Kim kërkon vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi, teksa përshëndet betimin e 3 prokurorëve të SPAK-ut. "Urime 3 prokurorëve për betimin. Mezi presim për ta plotësuar SPAK-un. Progresi në reformën në drejtësi duhet të përshpejtohet hap pas hapi" thotë Kim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:51
Soreca në krah të Yuri Kim: Nuk është koha për ndryshime, por zbatim të efektshëm të Reformës në Drejtësi

Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka reaguar në lidhje me 'ndërhyrjet' që kërkojnë të bëhet për reformën në drejtësi, duke u shprehur qartë se kjo nuk duhet të ndodh, por duhet që të ruhet reforma e përcaktuar që në fillim për drejtësinë dhe të rritet efikasiteti i saj në zbatim. Kjo për Sorecën  është e vetmja mënyrë që shqiptarët të përfitojnë nga drejtësia e pavarur dhe vendi të ecë para me integrimin.

"Zbatimi i reformës në drejtësi duhet të vazhdojë dhe të ruhet. Nuk është koha që të rihapet diskutimin mbi bazat e tij, por për të rritur efikasitetin e tij dhe forcimin e burimeve që disponon. Për të ofruar drejtësinë e pavarur që qytetarët shqiptarë meritojnë dhe për të çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj të integrimit",shkruan Soreca.

Ora 20:19
Basha distancohet nga parlamenti, por jo nga ndryshimet në reformën në drejtësi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për deklaratën e Ambasadores Yuri Kim se reforma në Drejtësi po tenton të sabotohet. Basha shprehet se për çdo ndryshim të kësaj reforme nga ky parlament do të jetë ilegjitim dhe nuk do të pranohet nga opozita jashtëparlamentare, por lë të kuptohet se nuk është kundër ndryshimeve që mund të vendosen jashtë parlamentit mes forcave politike.

"Çdo ndryshim kushtetues dhe ligjor në lidhje me reformën në drejtësi nga ky parlament është ilegjitim. Ndryshime të tilla u shërbejnë vetëm atyre që e përdorin pushtetin për të devijuar dhe për të minuar reformën, për të kontrolluar politikisht dhe për të kapur sistemin e drejtësisë", shkruan Basha.

Ora 19:39
Rama dokord me SHBA, mesazh Metës: Ferri është bosh, djalli është këtu

Kryeministri Edi Rama ka mbështetur dhe rënë në dakordësi të plotë me ambasadoren Amerikane Yuri Kim, e cila e quajti sabotim të reformës në drejtësi kërkesën e Presidentit Meta për të ngritur këshill politik për këtë reformë.

Duke zgjedhur dhe një shprehje të njohur të Shekspirit për të treguar se sa fortë po sulmohet reforma në drejtësi, Rama tha se vetë 'djalli' po e bën këtë punë.

"Ferri ka mbetur bosh, djalli është këtu", duke sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë presidentin Meta, akuzat ndaj të cilit se po tenton të kap reformën në drejtësi kanë qenë të shumta si nga ndërkombëtarët dhe nga vetë Rama.