Ambasada e Turqisë në Tirane bën të ditur se lajmi i gazetës Shqiptarja.com të datës 5 gusht 2015 ku pretendohet që 150 turistë shtetas shqiptarë janë lënë të presin për tre ditë në Aeroportin e Antalya-s, është i pavërtetë.
 
“Ambasada mbasi ka marrë konfirmimin nga burime të ndryshme, përfshirë këtu autoritetet shqiptare, thekson se ky lajm është krejtësisht i pavërtetë”, thuhet në deklaratë. Ambasada krahas kësaj njofton se, si rregull, për shtetasit shqiptarë pasaportat e të cilëve nuk janë të vlefshme të paktën edhe 60 ditë nga data e mbarimit të afatit tremujor të lejimit të qëndrimit pa vizë, ka një pengesë ligjore për hyrjen në Turqi, situatë ligjore për të cilën që prej janarit 2015 janë njoftuar autoritet shqiptare dhe janë bërë njoftimet përkatëse edhe nëpërmjet rrjeteve sociale.
 
Me këtë rast, Ambasada e sheh me vend të sjellë ndërmend se duke pasur parasysh disa raste të veçuara, shtetasit shqiptarë që nuk kanë përmbushur kushtin e sipërpërmendur, për arsye ligjore nuk janë lejuar të hyjnë në Turqi; por rithekson edhe njëherë se mohon pretendimin për moslejim hyrjeje kolektiv, që përmendet në lajm”, thuhet në deklaratë. Shqiptarja.com kërkon ndjesë për këtë gabim.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)