TIRANE-Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri Yuri Kim shprehet se reforma në drejtësi ka bërë përparim real dhe për këtë arsye ndodhet nën sulm nga ata që janë të frikësuar nga zbatimi i saj. Diplomatja amerikane deklaron se reforma ka bërë përparim të mjaftueshëm për të frikësuar ata që nuk e duan atë, por ende jo aq përparim sa të përmbushë kërkesat e popullit shqiptar. Yuri Kim teksa komenton për herë të parë opinionin shprehet se është në një mendje me Komisionin e Venecias për debatin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese duke fshikulluar të gjitha palët, përfshirë edhe Presidentin që e shpalli si fitore. Ambasadorja thotë se nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje, pasi asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor dhe asnjë nuk e kishte tërësisht drejt apo tërësisht gabim. Prandaj, Kim kërkon që Presidenca dhe Parlamenti të angazhohen në dialog përpara se të marrin listat e kandidatëve për emërimet dhe të ngrenë sa më shpejt Gjykatën Kushtetuese.

Shkrimi i plotë i ambasadores së SHBA-së
Katër vjet më parë, parlamenti – në përgjigje të kërkesave të popullit shqiptar – miratoi Reformën në Drejtësi. Pavarësisht gjithçkaje, zbatimi ka pasur përparim real: shumica e institucioneve të kërkuara janë ngritur, vetingu ka larguar gjyqtarë dhe prokurorë që nuk shpjegojnë dot pasurinë e tyre, dhe gjyqtarë dhe prokurorë të rinj po trajnohen dhe merren në punë. Reforma në Drejtësi ka qenë e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë në mënyrë që Shqipëria të sigurojë të ardhmen e saj si një anëtar edhe më me vlerë i NATO-s dhe anëtare e plotë e e Bashkimit Evropian.

Reforma në Drejtësi është në një fazë kritike. Ka bërë përparim të mjaftueshëm për të frikësuar ata që nuk e duan atë, por ende jo aq përparim sa të përmbushë kërkesat e popullit shqiptar për një sistem drejtësie që ka veçori integritetin dhe pavarënë. Prandaj, ata që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi janë në sulm. Ata që e duan Reformën në Drejtësi duhet të gjejnë frymëzim tek fryma e Skënderbeut, tani më shumë se kurrë.

Katër vjet pas përballjes me pengesa të shumta, është e natyrshme të ndjesh lodhje dhe ndoshta shkurajim. Por nëse shohim atë që është përftuar pavarësisht pengesave – dhe se sa shumë mund të përftohet për brezin e ardhshëm – atëherë ky është pikërisht momenti kur duhet të dyfishojmë përpjekjet dhe të shtyjmë përpara drejt synimit tonë.

Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias mbi Emërimin në Shqipëri të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ofron një mundësi për të gjitha palët që të bëhen bashkë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje. Asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor. Asnjë institucion nuk e kishte tërësisht drejt apo tërësisht gabim. Komisioni i Venecias pranon se ekzistojnë interpretime të ndryshme, legjitime të dispozitave ligjore, të cilat “çuan në emërimin me pikëpyetje të dy gjyqtarëve’ për të njëjtin vend në Gjykatën Kushtetuese.

Është me rëndësi që as presidenca dhe as parlamenti nuk është një gjykatë me autoritetin për të vendosur se si duhet ecur përpara kur në legjislacion ka një boshllëk. Komisioni i Venecias vë në dukje se “Varet nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë për interpretimin e dispozitave të Kushtetutës në një situatë që nuk parashikohet në procesin e hartimit.” Kjo këshillë thekson urgjencën e ngritjes së një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në vend që të ngecin në qëndrimet e tyre, tani është përgjegjësi e udhëheqësve të Shqipërisë që të ndjekin këshillën e qartë të Komisionit të Venecias: “Kultura dhe pjekuria demokratike kërkojnë përmbajtje institucionale, mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë midis institucioneve të shtetit.”

Opinioni i Komisionit të Venecias hap një shteg përpara. Me qëndrimin në detyrë të gjyqtarëve të tanishëm, është e mundur që gjykata të arrijë kuorumin në vitin 2020. Presidenca dhe Parlamenti duhet të angazhohen në dialog përpara se të marrin listat e kandidatëve për emërimet. Edhe një herë, duhet të ekzistojë të kuptuarit e përbashkët të zbatimit për të harmonizuar ndonjë interpretim mosdakordësues të ligjit.

Duke rikujtuar shembullin e Skënderbeut, Ambasada e SHBA është në një mendje me Komisionin e Venecias: përballë korrupsionit dhe padrejtësisë – armiku ynë i përbashkët tek dera – populli i Shqipërisë duhet të bashkohet dhe udhëheqësit duhet të përgjigjen për detyrimin e tyre për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale, për t’i dhënë qytetarëve Reformën në Drejtësi që iu detyrohen, dhe për të siguruar të ardhmen e Shqipërisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:29
Reforma në drejtësi/ Yuri Kim takon në rezidencën e saj ministren Gjonaj

Sipas burimeve të Report Tv ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka takuar sot në rezidencën e saj Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Të njëjta burime raportojnë se edhe në ditët në vijim Yuri Kim do të zhvillojë takime të ngjashme me aktorët kryesorë që lidhen me zbatimin e reformën në drejtësi.

Yuri Kim gjatë një editoriali për ecurinë e reformës në drejtësi tha se kjo reformë kaq e rëndësishme për vendin ndodhet në një fazë kritike, ku ka bërë përparime reale për të frikësuar ata që i tremben zbatimit të saj, por ende nuk ka shkuar në atë fazë që të kënaq popullin shqiptar. Kim tha se palët Parlament-Presidencë duhet të bashkëpunojnë për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të ndjekin rekomandimet e Komisionit të Venecias, ku nuk shpalli asnjë institucion tërësisht fajtor dhe asnjë që të kishte tërësisht drejtë.

Ora 19:57
Deklara e Kim për reformën në drejtësi, Basha: Vonesa e emërimit të gjyqtarëve të 'Kushtetueses' mban mbyllur dyert e BE-së

Pasi Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri Yuri Kim u shpreh se reforma në drejtësi ka bërë përparim real dhe për këtë arsye ndodhet nën sulm nga ata që janë të frikësuar nga zbatimi i saj, ka ardhur edhe reagimi i kreut  të PD-së Lulzim Basha. Ai thotë se çdo vonesë dhe zvarritje në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vonon daljen nga kriza politike dhe mban mbyllur dyert e BE për shqiptarët. Basha thekson se Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese shërben për plotësimin e 2 prej 15 kushteve.

"Çdo vonesë dhe zvarritje në emërimin e gjyqtarëve të GJK vonon daljen nga kriza politike dhe mban mbyllur dyert e BE për shqiptarët. Funksionimi i GJK shërben për plotësimin e 2 prej 15 kushteve për hapjen e negociatave dhe për rikthimin e legjitimitetit në qeverisjen vendore", shkruan Basha në Twitter.

Ora 19:03
Deklarata e fortë për reformën në drejtësi, Xhafaj del në krah të Yuri Kim

 Me mesazhin e fortë të Ambasadores Amerikane Yuri Kim se reforma në drejtësi ndodhet në një fazë kritike dhe se palët duhet të ecin para dhe të bashkëpunojnë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar deputeti socialist Fatmir Xhafaj, i cili ka qenë dhe Kryetari i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi. 

Ai ka shpërndarë në twitter mesazhin e ambasadores amerikane e cila kërkonte prej klasës politike shqiptare që të çojë përpara reformën në drejtësi e cila ndodhet në fazë kritike pasi po sulmohet nga ata që nuk e duan dhe kanë frikë nga drejtësia e re. Ndërsa në lidhje me vendimin e Komisionit tw Venecias, Kim shkruan se askush nuk ishte tërësisht faktoj në atë që ndodhi me Gjykatën Kushtuese, por nuk është rasti për të festuar pasi kjo tregon se nuk ka të pafajshëm në këtë mes, ku secili institucion ka luajtur rolin e tij për të shkaktuar këtë ngërç dhe përplasje për ngritjen e Kushtetuesen.

"Reforma në Drejtësi është në një fazë kritike. Ka bërë përparim të mjaftueshëm për të frikësuar ata që nuk e duan atë, por ende jo aq përparim sa të përmbushë kërkesat e popullit shqiptar për një sistem drejtësie që ka veçori integritetin dhe pavarur. Prandaj, ata që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi janë në sulm. Ata që e duan Reformën në Drejtësi duhet të gjejnë frymëzim tek fryma e Skënderbeut, tani më shumë se kurrë. Katër vjet pas përballjes me pengesa të shumta, është e natyrshme të ndjesh lodhje dhe ndoshta shkurajim. Por nëse shohim atë që është përftuar pavarësisht pengesave – dhe se sa shumë mund të përftohet për brezin e ardhshëm – atëherë ky është pikërisht momenti kur duhet të dyfishojmë përpjekjet dhe të shtyjmë përpara drejt synimit tonë. Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias mbi Emërimin në Shqipëri të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ofron një mundësi për të gjitha palët që të bëhen bashkë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje. Asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor. Asnjë institucion nuk e kishte tërësisht drejt apo tërësisht gabim. Komisioni i Venecias pranon se ekzistojnë interpretime të ndryshme, legjitime të dispozitave ligjore, të cilat “çuan në emërimin me pikëpyetje të dy gjyqtarëve’ për të njëjtin vend në Gjykatën Kushtetuese", shkruan ndër të tjera Kim.