Amerika dhe diaspora shqiptare
tek “Albania” e Faik Konicës

Amerika dhe diaspora shqiptare<br />tek “Albania” e Faik Konicës
TIRANË - Pa lulka retorike, duke hyrë drejt e në thelb të çështjes, fjalën e kemi për pikëtakimet e hershme të revistës "Albania" me SHBA-të, falë penës mjeshtërore së Faik Konicës. Janë pikëtakime që shfaqen fillimisht si gurë themeli, dhe që, në rrjedhë të viteve, do vijnë duke u strukturuar për të shfaqur godinën e fuqishme të diasporës shqiptare në kontinentin e ri. Është ajo farë e parë e miqësisë dhe e dashurisë midis dy kombeve tona, hedhur me dorë të sigurt nga Konica në ugaret e "Albania-s" që pas vitit 1896. Dhe fara do lulëzonte, do jepte frytin e vet të shëndetshëm të ditëve tona.

Për herë të parë, emërtimin shqip "Shtetet e Bashkuara t'Amerikës" e hasim tek "Albania" e 30 shtatorit 1897; tre numra më pas, këtë tog-emër e shohim të shfaqet në një formë edhe më të konsoliduar tipografikisht, me germën "e" midis dy vizash: "Shtetet-e-Bashkuara t'Amerikës". Duket sikur Konica kërkon këtu, nën shembullin e frëngjishtes (Etats-Unis) të përforcojë e të nxjerrë në pah idenë e bashkimit të këtyre shteteve, që përbën fuqinë e tyre.

Numrat e parë të "Albania-s" i shfaqin SHBA-të në rubrikat "Kopshta e Shkencës" dhe "Të Ra" [Lajme të reja], ku nuk mungojnë kërshëria dhe entuziazmi konician për Amerikën "e çudirave", të përparimit, të shkencës, punës e fitimit, për Amerikën e zbulimeve të mëdha për njerëzimin, nga "tejgrafia e tejzëri", siç quan ai telegrafinë e Morsit dhe telefoninë, gjer te sinkrongrafi i Squier dhe 800 zbulimet e Edisonit, "Mbretit të Gjetësve", përkrah Vanderbild "mbretit të arit", Rockefeller "mbretit të vaj-gurit" dhe Carnegie "mbretit të çelikut".

Është për Konicën Amerika e madhërishme, e përmasave gjigande, kur "Albania" u mëson shqiptarëve se "E para udhë e hekurt në SHBA u bë më 1827"; se në Çikago u ndërtua "një shtëpi i gjithë me aluminium... dhe kjo shtëpi ka 64 metra lartësi edhe 17 kate"; se në SHBA "mund ta forcojnë [ngrijnë] rakinë e ta shesin copa-copa si sapun"; se Kisha Shën-Sofia e New Yorkut mban brenda 70 000 mijë besimtarë.

albania faik konica

Është Amerika e urave më të gjata në botë, e rekordeve në transport mallrash, në komunikime telefonike dhe shfrytëzim të thëngjlltoreve (qymyrit). Por është edhe Amerika e barazisë gjinore, e lirive dhe të drejtave, Amerika e forcës së ligjit dhe e lulëzimit të talenteve në krejt fushat e zhvillimit njerëzor. Në mënyrë të veçantë, duke komentuar Shopenhauerin dhe John Stuart Mill, Konicës i bën përshtypje liria e gruas amerikane, shkalla e lartë e emancipimit të saj, tek i mëson lexuesit shqiptar se: "Në Shtetet-e-Bashkuara t'Amerikës gratë mundin kudo të jenë advokatka... e gjykimtarka [gjyqtare] me shkallë në Universitete"; se "po ngacmove një grua, ajo i drejtohet policisë", se ka në SHBA 60 000 gra të diplomuara, ndër të cilat "10 000 janë mjekesha; se, gratë bëjnë punë të mëdha e fort të vyera, siç është rasti i Znj. Robling Emily, inxhiniere, e cila përfundoi punimet e urës së Brooklin (Manhatan), të filluara nga burri i saj, apo edhe rasti i Znj. Kannam që ushtron funksionin e "minisotreshës në Utah ".

Pa u ndalur hollësishëm në kuriozitete të tjera të tipit konician për Amerikën "çudibërëse" –  ku ka "sëmurëtore" (spital) edhe për "zogjtë e sëmurë" (Çikago), ku ka rekord në vetëvrasje e vrasje dhe të dënuarit me vdekje ekzekutohen me "fuqi elektrike", ku japin koncerte artistë "çilimij" apo e "çunat e çuditshëm", siç shprehet Konica për fëmijët mrekullibërës (jep këtu shembullin e pianistit 5 vjeçar Pepito Rodriguez që dha koncert "për pesë-dhiet net e sipër") –, na tërheq vëmendje interesimi i Konicës për të ndjekur hap pas hapi konfliktet politike në arenën ndërkombëtare, ku SHBA, që në fund të shekullit XIX, fillojnë të luajnë rol pozitiv madhor, për t'u shndërruar gradualisht në faktor të rëndësishëm ndërkombëtar për paqen e sigurinë në botë, për lirinë dhe pavarësinë e kombeve dhe vendeve, sidomos të vegjël. Kështu, gjatë konfliktit Spanjë-Kubë, Konica sheh, që në janar 1898 se SHBA vihen përkrah Kubës fqinje kur nënvizon:

"Dobësia e tyre [e kubanëve] gjejti një krahë për t'u pështetur; Shtetet-e-Bashkuara t'Amerikës, të cilat e kanë afro fqinjë Kubën, i dhanë të  kuptonjë Espanjës që s'durojnë më të shohin një popull të shtypet gjer në vdekie; duan Kuba të ronj'e lirë". Në muajt mars-korrik 1898, "Albania" e Konicës, në tre numra të saj, ndjek nga afër konfliktin ushtarak Spanjë-SHBA, derisa "Amerikanët, pas disa mundimeve dhe luftërave u bënë të zotërit e Santiagos... Lufta atëherë, konkludon Konica, është për të u-mbaruar".

Pasqyrimi tek "Albania" i rolit madhor të SHBA-së në arenën ndërkombëtare që në fund të shekullit XIX, shfaqet kështu, nën penën e Konicës, si një ogur i bardhë e i mbarë për vetë shqiptarët në një nga çastet më kritike të historisë së tyre pas Luftës së parë botërore kur Shqipëria rrezikonte të humbiste pavarësinë e saj dhe të copëtohej.

Sepse do të jetë po Konica që vite më vonë, përkrah Nolit dhe nga gjiri i "Vatrës" patriotike, do të falënderonte presidentin amerikan Wilson dhe SHBA-të për ndërhyrjen e tyre vendimtare në shpëtimin dhe lirinë e Shqipërisë, në mbrojtje të të drejtave të saj. Dhe, për të dytë herë në historinë e kombit shqiptar, do të ishin po SHBA-të dhe NATO që do të ndërhynin ushtarakisht, në fund të shekullit XX, për shpëtimin e Kosovës martire nga dora gjakatare serbe.

Jo rastësisht shohim tek "Albania" një shkrim të bukur - zgjedhur plot mençuri nga Konica -, nën pendën e presidentit Roosevelt se ç'do të thotë karakter kombëtar amerikan. "Karakteri është që ka rëndësi, si te kombi, si te njeriu. Është një gjë e mirë të ketë mendie të holla e të larta në një komp...,  por është një gjë një mij herë më e mirë të ndodhen ato mirësira të shëndosha q'i mbledhim bashkë nën emrin karakter : të kënaqurit me pakë, të mos-lëvizurit nga një qëllim, kuptimi i detyrës që ka secilido të mos ngasë qetësinë edhe besimet e fqinjëve, një zemër të mirë e, bashkë me të gjitha këto, edhe një dashuri të flagtë për gjithë punët e dreqta [drejta]. Këto janë mirësitë q'i e bëjnë me të vërtet një komp të madh (Roosevelt – Kryetari i Shteteve-të-Bashkuara)."

Duke cituar kështu presidentin Roosevelt, Konica jep, as më shumë as më pak, vetë thelbin e shpirtit amerikan, konkretisht Madhështinë Kombëtare, sintetizuar kjo në motive të shenjta, në qëllime të larta, që përbëjnë tërë atë mision historik të SHBA-së për mbarë njerëzimin, në rrugën e përparimit. "Dhe kur Roosevelt flet për "mendiet e holla e të larta në një komp", për "dashurinë e flaktë për punët e drejta", doemos, nuk ka si të mos shohim në këto fjalë vlerën e tyre aktuale, kur klasa politike shqiptare, për fat të keq, shfaqet sot e dështuar në misionin e saj gjatë periudhës së tranzicionit demokratik, tranzicion aq shumë i tejzgjatur sa asgjë nuk e përligj.

Po te "Albania", në nëntor 1903, Lulo Malësori (pseudominimi i patriotit Milo Duçi), në shkrimin "Atdhedashuria", do fliste për gjestin fisnik të ministrit amerikan Alexander Stewart që hoqi dorë nga fitimet e tij në tregti (përllogaritur në 5-6 milionë dollarë) thjesht për t'iu kushtuar detyrës kombëtare me përkushtimin e një patrioti të madh. (Në parantezë: e kundërta ndodh sot e kësaj dite tek ne, kur politikanë e deputetë shqiptarë, gjyqësori dhe vetë administrata shtetërore, e mbajnë me dhembë kolltukun e postit veç për të vjelur miliona e për të mjelur mirë lopën shtet).

Si dhamë si një prelud madhështinë e SHBA në faqet e "Albania-s", që gjenia koniciane e pikasi që herët, krahas misionit dhe rolit të tyre historik për mbarë njerëzimin, le të përqendrohemi te diaspora shqiptare në Amerikë, sintetizuar te Federata Panshqiptare "Vatra",   ura lidhëse e fuqishme midis kombit tonë të vogël dhe kombit të madh amerikan, aleatit strategjik të popullit shqiptar.

Në qershor 1898, një shënim i shkurtër i "Albania-s" tërheq vëmendjen e lexuesit se "Amerika [si kontinent], heq vit për vit mijëra të mjerësh qi lëshojnë Evropën për të vajtur atje të bëhen vendas e të gjejnë një copë bukë". Jepet kështu me dy fjalë vetë thelbi i emigracionit ekonomik, kur shqiptarët e parë vajtur në SHBA në fund të shekullit XIX numëroheshin ende në gishtat e dorës, sidomos të vajtur nga fshatrat e Korçës, dhe kur zunë të tërhiqnin familjarë e bashkëfshatarë tek propagandonin se "në Amerikë ka punë dhe fitohet". Nuk po ndalemi në fillimet e emigracionit shqiptar në Amerikë, që kanë përbërë tashmë objekt studimesh serioze, por do deshëm të theksonim, bazuar te Konica, dy elementë të veçantë të emigracionit të hershëm ekonomik shqiptar.

E para, kurbeti ynë, historikisht, në brazdën e mbijetesës shqiptare, ka përbërë "një tragjedi familjare a fisnore", mbushur me lot (kujtojmë "Moj e bukura More"), një sakrificë, një vajtje drejt së panjohurës, shpesh fatale. Dhe Konica, me lot në sy, citon te "Albania" në shkrimin e tij "Të gjeturit punë n'Europë" vargjet tragjike të Çajupit, kur thotë: "Qysh të vejë puna mbarë / Për të zeztë shqiptarë? / Shkretojnë Atdhenë, / Te perëndon dielli venë."

"Nëndë herë në dhietë – vijon ai -, jemi të fortësuar [detyruar], për të mirë të tyre, t'u këshillojmë [shqiptarëve] të mos tunden nga vendi", ndonëse nënvizon që në fillim të shkrimit se "Shqiptari punon kur gjen punë", dhe se "Në gjithë viset e botës, shohim bashkatdhetarë t'anë të vajtur për të punuar". Kundërshtimin e tij që shqiptari të mos braktisë vatanin (guri i rëndë në vend të vet!) në kushtet konkrete të fillim-shekullit XX, Konica e argumenton gjatë dhe tepër realisht duke parashtruar rreziqet, vështirësitë, mjerimet që e presin "punëtorin shqiptar" (siç thotë ai), kur jashtë vendit "i huaji përgjithësisht nuk është i dashur e përgjithësisht shkon për i lik", kur i huaji nuk njeh gjuhën, detyrohet të shesë lirë krahun e punës, diskriminohet në gjithçka, e mbi të gjitha nuk njeh "zanate te veçanta". Për Konicën, zgjidhja ideale e kohës do të ishte që shqiptari të emigronte "në vise t'afërme – bie fjala n'Austie a gjetkë – të punojë pa fitim nonjë mot në një bushat [fshat] për të mësuar se si ritet e si shtohet bagëtia, si nxiret fitim andej", si dhe "të mësojë methudhat [metodat] e bujqësisë të popujve të qytetëruar, e të kthehet pastaj në vendin t'onë". Komentet për vlerën aktuale të këtij mësimi të madh konician në epokën e "emigrimit të trurit" janë më se të tepërta.

E dyta, kurbeti shqiptar, ka ruajtur përherë lidhjet e fuqishme me tokën mëmë dhe historikisht, krejt diaspora shqiptare në Europë e në kontinentin e ri, është përpjekur me sukses të organizohet e të ruajë frymën kombëtare dhe patriotike, të shndërrohet në dritare e atdheut me botën e përparimit dhe qytetërimit perëndimor, duke u bërë kësisoj mjeti përçues i ideve të reja. I lidhur fort pas diasporës shqiptare dhe figurave të ndritura të Rilindjes sonë, vetë Konica ishte i ndërgjegjshëm që në fillim për rolin politik madhor që do të luante emigracioni dhe diaspora shqiptare për fatet e vendit.

Jo rastësisht e shohim atë, në shtator 1901, të shprehë një mendim të hollë filozofik, në polemikë me publicistin italian Ugo Ojetti, kur shkruan në frëngjisht: "Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, të lindur apo intelektuale". Duke shfletuar gjithnjë "Albania-n", shohim se kontakti i parë i Konicës me shqiptarët e Amerikës i bërë publik, do të ndodhë më 29 tetor 1901, kur ai mori letër nga një shqiptar i Bostonit me inicialet N.S.K.

Me këtë rast, Konica shkruan: "Kemi edhe n' Amerikë, e më tepër në Boston e në New York, disa shqiptarë. Të nxehtë e të vërtetë atdhetarë, këta vëllezër e kanë gjithnjë në Shqipëri zemrën. Shpesh na gëzojnë me letra e shumë herë na dërguan atdhetarisht ndihmën e tyre". Del e qartë në këto radhë se Konica ka marrë letra dhe ndihmë (morale e materiale) nga të pakët shqiptarë të Amerikës që me botimin e numrave të parë të "Albania-s" në fund të shekullit XIX, pikërisht kur fillon e shkruan me entuziazëm për "Shtetet-e-Bashkuara t'Amerikës".

Tanimë, hapet te "Albania" një faqe e re kushtuar drejtpërdrejt diasporës shqiptare të Amerikës dhe çuditërisht, i njëjti shqiptar i Bostonit me inicialet N.S.K., si dërgoi fillimisht një vjershë kushtuar princit Aladro Kastrioti, (për nga gjuha që ai përdor në vargje, duket që është me origjinë nga zonat e Jugut), do të dërgonte më pas, po te "Albania", edhe një tablo me ngjyra që paraqiste Skënderbeun duke çarë më dysh një dem me shpatë. Konica e boton këtë tablo te "Albania" dhe i kushton shkrimin "Palla e Skënderbeut" ku, në mënyrë të veçantë, përshkruan kapelen e lartë shqiptare që mbahej mbi krye nga stradiotët shqiptarë të Mesjetës. Këta stradiotë, thotë Konica, "quheshin 'capelets' [kapellasit]... emër [që] u ish dhënë prej kësullës së veçantë që kishin... [që] nuk ngjiste me as një tjatër...; ka qenë një kësullë e kuqe, e gjatë e e thyer, po thua si festia moriate." Për fat të keq, ende nuk e dimë kush qëndron prapa inicialeve N.S.K. të shqiptarit të Bostonit, por dimë që tablonë e tij "Palla e Skënderbeut", Aladro Katrioti e ka pasur në zyrën e tij të punës dhe mburrej me të.

Vitet 1904-1905, shënojnë një etapë të veçantë në intensifikimin e marrëdhënieve të "Albania-s" me shqiptarët e Amerikës. Konica merr letra prej tyre dhe u dërgon jo vetëm "Albania-n", por edhe libra që ka botuar vetë, sidomos "Hartën etnike të Shqipërisë". Në nëntor 1904, ai jep lajmin se "Muarmë letra nga New Yorku. Mësojmë se shqiptarët qi ndodhen aty, të bashkuar e të nxehtë, s'e harrojnë atdhenë. Jo vetëm nuk e harrojnë, po përpiqen t'i bëjnë të mirë. U gëzuam,  si do të gëzohen edhe të gjith' atdhetarët e mirë". Ndryshe nga kontaktet e para në rrafsh individual, e shohim Konicën përherë e më shumë të nënvizojë idenë e bashkimit dhe të organizmit të shqiptarëve të Amerikës dhe në shtator 1905, ai jep lajmin në frëngjisht se "Shqiptarët e Bostonit sapo themeluan një shoqëri. Parashikojnë gjithashtu botimin e një gazete në gjuhën shqipe.

Shpresojmë që miqtë tanë do dinë ta vënë së shpejti në zbatim këtë projekt". Po në këtë numër të gazetës së tij, Konica vë në dijeni lexuesin edhe se "Shoqëria shqiptare e Bostonit" kishte demaskuar në atë qytet një batakçi shqiptar të quajtur Leonidas Dossi, i cili hiqej si "agjenti kryesor politik i komiteteve shqiptare" dhe se, nën emrin "Shaban bej Goça", kishte bërë mashtrime e vjedhje fillimisht në Londër (ku ishte demaskuar nga vetë Konica me shkrimin "Beware of Pick-pockets!"), dhe më pas në Boston. Konica, edhe një herë nuk e kursen penën e tij të ashpër për të demaskuar gjer në Boston Leonidha Dosin alias Shaban bej Goça, i cili, ashtu si Gaspër Jakova më parë nga Italia, u orvat të intrigojë në kurriz të Konicës dhe të gazetës "Albania".

"Për fatin e keq të “beut”, nënvizon Konica, ekzistojnë në Amerikë një mijë shqiptarë të cilët – të ushqyer me ndjenja kalorësiake të Shqipërisë së lashtë të virtytshme: ndershmëria, çiltërsia, kulti i fjalës së dhënë [besa], respekti ndaj mirëbesimit – u indinjuan nga ideja se një keqbërës i poshtër guxon të përdorë emrin shqiptar për të shpërdoruar dashamirësinë e njerëzve seriozë të lidhur me kauzën tonë." E veçantë këtu është se Konica jep shifrën "një mijë shqiptarë në Amerikë" në vitin 1905, si dhe boton pjesë nga letra që ka marrë nga Bostoni prej "një atdhetari me ment, me zemrë e nder", që firmos me inicialet S.P. [Sotir Peci], të cilin e shohim, në janar 1906, të shfaqet te "Albania" me emrin e tij të plotë si drejtor i gazetës "Kombi".

Tanimë, një faqe e re çelet te "Albania" në marrëdhëniet e saj me "Kombin" e Bostonit dhe me pas, me Shoqërinë "Besa-Besën", një faqe e ndritur, që do premtojë për një të ardhme të guximshme drejt "Vatrës" flakadane, e cila nuk do vonojë të themelohet nga binomi Noli-Konica. Nis kështu një etapë e dytë zhvillimi për vetë Rilindjen shqiptare në hovin e saj final drejt shpalljes së pavarësisë së vendit, drejt asaj mëvetësie kombëtare që kish kërkuar aq shumë mund, lot, gjak e sakrifica ndër shekuj.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Ardit Bido: Vota e shqiptarëve ishte një sfidë për ty, Vangjel, Përgjigju!

Ardit Bido: Vota e shqiptarëve ishte një sfidë për ty, Vangjel, Përgjigju!