Analistët, formati aktual i bisedimeve Kosovë-Serbi nuk garanton marrëveshje të shpejtë përfundimtare

Analistët, formati aktual i bisedimeve Kosovë-Serbi nuk garanton marrëveshje të shpejtë përfundimtare

Foto ilustruese

Delegacionet teknike të Kosovës dhe Serbisë përmbyllën këtë javë takimet e veçanta me ndërmjetësuesin e bisedimeve në Bruksel pa ndonjë rezultat për shkak të mospajtime mbi temat që duhet diskutuar.

I dërguari i Bashkimit Europian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se “është koha për përparim”, ndërsa i ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, tha të enjten se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, diskutoi për mundësinë e një marrëveshjeje me Serbinë, përgjatë mandatit të qeverisë aktuale.

Analistët në Prishtinë thonë se një marrëveshje përfundimtare është e vështirë pa një përfshirje të fuqishme të vendeve kryesore perëndimore.

Drejtori i Grupit Ballkanik për hulumtimin e politikave, Naim Rashiti tha për Zërin e Amerikës se është e qartë që ka një lodhje ndërkombëtare me procesin e bisedimeve dhe kjo sipas tij po përcillet me një rritje të angazhimit amerikan për të përmbyllur bisedimet me një marrëveshje.

“Kështu që po duhet të jetë një mesazh i qartë që të kërkohet marrëveshje, duhet të gjendet një marrëveshje. Tani u mbetët palëve, mbetet që Kosova të bëhet gati fuqishëm për të negociuar një marrëveshje të tillë, te shohim se Serbia a do të bëhet gati për negociata apo do të vazhdojë të manipulojë mes perëndimit dhe Rusisë siç po e shohim këto ditë dhe të shohim se çfarë sekuencimi ndërkombëtar të dialogut po krijon BE-ja”, tha ai.

Arbër Fetahu nga Grupi për studime juridike dhe politike thotë se përmbyllja e bisedimeve me Serbinë nuk varet vetëm prej qeverisë.

“Një ndër ta është edhe bashkërendimi trans-atlantik apo njëmendësia e të dyja palëve për të përfunduar dialogun Kosovë-Serbi. Nëse nuk ka incentivë të vërtetë dhe shumë serioze dhe shtetet e saj veç e veç si Gjermania, Franca dhe shtetet jashtë BE-së si Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës atëherë dialogu Kosovë-Serbi është vështirë i përfundueshëm marrë parasysh se nuk ka ndonjë presion tjetër që do të mund ta bëj marrëveshjen finale përpos këtyre superfuqive botërore të cilat kanë edhe fuqi por kanë edhe lehtë për ta imponuar një marrëveshje varësisht prej momentumit që ata krijojnë”, tha zoti Fetahu.

Për analistët, formati aktual i bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel nuk mund të garantojë një marrëveshje përfundimtare.

“Momentalisht dialogu është shumë fragjil, i paqëndrueshëm dhe çdo hipotezë mbi të nëse ne do të hedhnim mund të gabonim marr parasysh edhe trillerin politik që ndodh në dialog edhe shpeshherë edhe faktorët e jashtëm, ndrrimi i qeverive në shtete të fuqishme”, tha Arbër Fetahu.

“Nuk do të ketë marrëveshje finale me modelin çfarë ndodh në Bruksel me takime pak orëshe, do të duhet të konstruktohet një kornizë e qartë e fuqishme me përfshirjen e të gjithë akterëve ndërkombëtarë por edhe të gjitha vendeve të BE-së sidomos ato mosnjohëse që të jenë përreth këtij procesi për të shtyrë marrëveshjen përpara. Natyrisht do të kërkohet kompromise, cilitdo nivel të marrëveshjes do të kërkohet kompromise edhe nga njëra palë dhe tjetra edhe ato përgjegjësi i mbetën palëve ta shpjegojnë mirë këtë proces kah po shkon”, tha Naim Rashiti.

Të hënën, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se u ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për një takim para fundit të vitit, i cili mbetët në pikëpyetje për shkak edhe të mospërparimit në bisedimet teknike.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, u takuan dy herë gjate verës por pa ndonjë përparim. Vëzhguesit thonë se edhe nëse do të ketë ndonjë takim të ri sipas paralajmërimeve të zotit Borrell, vështirë të pritet ndonjë përparim, ndërkohë që Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, do të mbajë zgjedhjet e reja presidenciale e parlamentare në pranverën e vitit që po vjen./VOA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja