Analistët: Zgjedhjet në BE, rezultatet paralajmërim negativ për integrimin evropian, dialogun Kosovë-Serbi

Analistët: Zgjedhjet në BE, rezultatet paralajmërim negativ për integrimin evropian, dialogun Kosovë-Serbi

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që nxorën në pah një ndikim të rritur të partive të krahut të djathtë në Evropë, sipas analisteve me të cilat bisedoi Zëri i Amerikës, janë paralajmërim jo i mirë për procesin e integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Profesorja e shkencave politike në Universitetin e Romës Federiga Bindi dhe analistja e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, Maria Simoenova i thanë gazetares Garentina Kraja se zgjedhjet, zbuluan një pasqyrë të zymtë në Evropë nën hijen e luftës në Ukrainë, që sipas tyre do të vazhdojë të mbesë shqetësimi kryesor i bllokut evropian që ballafaqohet ndërkohë me krizë financiare dhe retorikën e nxitur kundër emigracionit.

Ballkani Perëndimor do të jetë humbësi kryesor i realitetit të ri politik në Evropë, i dalë nga zgjedhjet parlamentare evropiane sipas analistëve.

Zgjedhjet evropiane, që u mbajtën nga 6 deri në 9 qershor, shënuan një rritje të dukshme të partive të krahut të djathtë, ndonëse partitë kryesore pro-evropiane ruajtën epërsinë.

Analistët vlerësojnë se një nga ndikimet e para pritet të jetë ndaj politikës së zgjerimit.

Profesorja e shkencave politike në Universitetin e Romës dhe në Universitetin Boulder në Kolorado, Federiga Bindi thotë se integrimi i Ballkanit Perëndimor ka gati një dekadë që nuk është përparësi e politikave të Bashkimit Evropian dhe se ky orientim evropian, të cilën e quan “dritëshkurtër”, do të vazhdojë ta shoqërojë rajonin edhe gjatë pesë viteve të ardhshme të mandatit të 720 deputetëve të rinj të Parlamentit Evropian.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë humbësit e mëdhenj në tërë këtë situatë, sidomos për shkak të luftës në Ukrainë. Përpjekjet e Bashkimit Evropian për t’i integruar janë zvogëluar... Gjatë tetë viteve të fundit nuk po flitet më për Ballkanin, megjithëse ka mjaft prova se BE-ja mund të sjellë ndryshimin në këtë rajon. Ndikimi i BE-së është i dukshëm jo vetëm në Slloveni, dhe Kroaci, por edhe në pjesët e tjera të Ballkanit Perëndimor, në Bosnjë ose Shqipëri dhe në vende të tjera, shihet se sa shumë përpjekje kanë bërë këto shtete për t’u bërë anëtare të BE-së dhe fakti që Bashkimi Evropian nuk u përgjigjet dhe u jep përparësi shteteve të tjera, si Ukrainës, sinqerisht është jo e drejtë dhe gjithashtu dritëshkurtër... Evropianët janë plotësisht të hutuar nga Ukraina dhe kanë humbur perspektivën për çdo gjë tjetër”.

Ekspertja e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, Maria Simeonova thotë se ndonëse partitë e djathta rritën praninë e tyre në të gjitha 27 shtetet e Bashkimit Evropian, rezultatet në Francë dhe Gjermani ishin më tronditëset, duke lëkundur pozitën e udhëheqësve të dy shteteve kryesore të bllokut, të cilët kishin një angazhim më të madh për Ballkanin.

“Franca dhe Gjermania janë lojtarë të mëdhenj në rajon dhe si dy shtetet anëtare më të mëdha, ato luajnë rol thelbësor në proceset në Ballkan, në veçanti në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë... Prandaj do të ketë efekt negativ në nismat e reja për Ballkanin Perëndimor, meqë Presidenti Macron dhe Kancelari Scholz janë dobësuar shumë në vendet e tyre”.

Analistja Simeonova thotë se rezultatet e zgjedhjeve po ashtu do të “komplikojnë procesin e zgjerimit” të Bashkimit Evropian me shtetet e rajonit dhe zbehjen e përpjekjeve për t’u angazhuar me Kosovën dhe Serbinë për të çuar përpara procesin e normalizimit.

“Do të jetë më vështirë për Bashkimin Evropian, duke marr parasysh rezultatet e zgjedhjeve, të arrijë konsensus për zgjerim. Kjo nuk do të thotë detyrimisht se nuk do të ketë vullnet politik, apo se nuk do të ndërmarrë hapa konkretë. Por mendoj se prania më e madhe e partive të krahut të djathtë në parlament u mundëson atyre të frenojnë disa nga nismat më të guximshme që duhet të bëhen në raport me Ballkanin Perëndimor”.

Profesorja Bindi thotë se mungesa e vëmendjes së Bashkimit Evropian ka lënë prapa një situatë të brishtë, përfshirë edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku blloku ka një rol me peshë si palë ndërmjetësuese për të arritur një marrëveshje normalizimi mes të dy vendeve, që sipas saj, ka mbetur pas për shkak të luftës në Ukrainë.

“Çfarë do të mund t’u ofrojë Bashkimi Evropian këtyre shteteve për të arritur paqen? Kur (ish Përfaqësuesja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Catherine) Ashton negocioi marrëveshjen, ne kishim diçka për të ofruar, por tani është e qartë që anëtarësimi është një synim afatgjatë. Nuk kemi asgjë për të ofruar dhe kjo gjendje nuk ndihmon”.

Zonja Bindi thotë se mungesa e vëmendjes së BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor ka krijuar hapësirë për fuqi të tjera në rajon.

“Politika e jashtme është si fizika. Kur ka boshllëk, ai ka prirje të mbushet. Ka aktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë që janë të interesuar ta mbushin këtë boshllëk. Rusia me tërë palën serbe, Kina është gjithandej, pastaj Turqia në mesin e myslimanëve dhe shtetet e Gjirit, që kanë investuar në Bosnjë dhe Shqipëri. Andaj (BE-ja) po humb mundësinë në oborrin e saj, në një rajon, për të cilin duhet të përkujdeset më shumë”.

Analistët thonë se rol të veçantë në dinamikën e zhvillimeve në rajon në muajt e ardhshëm do të kenë zgjedhjet presidenciale amerikane, që mbahen në nëntor, të cilat sipas tyre, mund të përcaktojnë edhe shpejtësinë e veprimeve të udhëheqësve evropianë në Ballkanin Perëndimor./ VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Korçë/ Makina përplas biçikletën, 1 plagosur

Aksident në Korçë/ Makina përplas biçikletën, 1 plagosur