Komisioni Evropian rekomandoi dje për Këshillin e Ministrave të BE dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, një status me kushte. Mendoni se mori fund kalvari i procesit të nisjes së udhës së integrimit për Shqipërinë?
E si paska marrë fund? Nuk kemi bërë as 3/5 e rrugës.
KE vendosi për dhënien e statusit në dhjetor tre kushte, të cilat janë cilësuar dhe nga ambasadorët e fuqishëm në Tiranë por dhe nga politika të realizueshme, që janë: reforma parlamentare, miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë dhe ligji për Shërbimin Civil. Mendoni se politika do të arrijë që të përmbushë dhe këto tre kushte për të marrë përfundimisht statusin në dhjetor?
Tre aktet në fjalë jane aq shumë gati sa mund të ishin miratuar dhe një javë më parë në Kuvend e rekomandimi këtë të mërkurë për dhënien e statusit do kishte qenë pa bishta. Edi Rama, në konferencën për shtyp me ambasadorin Sequi, fill pas dorëzimit të raportit, rikujtoi çështjen e Këshillit të Qarkut Fier. Nëse opozita "ndal trenin në Fier" ai s'mund të arrijë në Bruksel.
Situata politike po nxehet shumë dhe për shkak të zhvillimeve në krahun e të përndjekurve politikë. Mund të ndikojë kjo dhe nëse nuk arrihet statusi në dhjetor, çdo të thotë për politikën shqiptare dhe Shqipërinë?
Larg qoftë mosmarrjes së statusit në dhjetor. E nëse nuk e marrim për shkaqe shqiptare, pra për moskryerjen e një, dy apo të tre akteve të sipërcituara, është një deshtim i madh i yni e me pasoja të rënda afatmesme. Nëse i kryejmë tre detyrat dhe ndonjë shtet anëtar i BE do luajë kapriciozin në dhjetor, turp për të.
Për hapjen e negociatave në vitin e ardhshëm, nëse vendimi i kryeministrave të vendeve të BE është pozitiv në dhjetor, është vendosur si kusht zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe disa elementë të tjerë ndihmës. Mendoni se politika shqiptare do ia dalë që të realizojë një process zgjedhor të pakontestueshëm?
Në të gjitha zgjedhjet nga viti 1991-2011, sa herë që qeveria e radhës ka humbur zgjedhjet e radhës rezultati është pranuar dhe sa herë që opozita e radhës ka humbur zgjedhjet rezultati është kontestuar me pretendimet për manipulime. Kjo është e vetmja e përbashkët e sjelljes së paleve ndaj rezultatit. Nëse humbet mazhoranca aktuale rezultati do pranohet dhe zgjedhjet do të quhen automatikisht të mira por nëse humbet opozita aktuale asaj do t'i takojë për herë të parë të sillet ndryshe nga e kaluara. A do ta bejë?
Dhe e fundit, pse Shqipëria ia ka dalë gjithnjë të jetë e fundit në rajon për gjithçka?
Për të njëjtat arsye për të cilat ka qenë e fundit dhe 100 vite më parë, e për të njëjtat arsye që dhe komunizmin e kishim më të keq se të kujdo tjetër në rajon e më gjërë se kaq.
Shkrimi u botua ne numrin e sotem te se perditshmes SHQIPTARJA.com
(Gre.M/Shqiptarja.com)