ANALIZË/ Çfarë përfitojnë
fermerët me marrjen e NIPT-it 

TIRANE- Ka dy pamje që nuk mund të mos të të bëjnë përshtypje, kur flitet për fermerët dhe fiskalizimin e tyre. Pamja e parë e shprehur në shifra tregon se janë më shumë se 11 mijë fermerë që paraqitin kërkesë për të përfituar një dokument zyrtar që i identifikon ata si shitës së prodhimeve të tyre përtej konsumit familjar (dhe për të cilën përfitojnë vlerën e 20% të çmimit të shitjes) dhe pamja tjetër që tregon për një takëm njerëzish që i tremben këtij “formalizimi”.

Në fakt, kemi të bëjmë me një pikë kthese. Ka shembuj që tregojnë se, në disa rrethe, jo thjesht fermerë të veçantë, por i tërë fshati kanë aplikuar për t’u pajisur me dokument identifikimi të shitjes së produktit të tepërt (e quajmë shkurt NIPT). Dhe këta janë ndikuar edhe nga mundësia për të përfituar nga mbështetja me grante, nga mbështetja me kredi, nga programet mbështetëse, qoftë në nivelin qeveritar, qoftë në nivelin komunitar, sikundër është bërë e njohur zyrtarisht. Ka shembuj të tjerë që kërkesën për t’u pajisur me NIPT e shohin me frikë, duke e vlerësuar si një rritje të detyrimeve tatimore etj. etj.
 
Le të flasim me “këmbë në tokë”!
Ekspertë jotatimorë kanë hedhur këto ditë në treg ide dhe komente të ndryshme. Sipas disave, legjislacioni tatimor në fuqi, “i detyron fermerët të paguajnë tatimin e thjeshtuar mbi fitimin prej 25 mijë lek, nëse kanë xhiro deri në 2 milionë lekë në vit, të paguajnë 7.5 % mbi fitimin, nëse kanë të ardhura deri në 8 milionë lekë në vit, të paguajnë tatimin mbi fitimin 15 %, nëse kanë xhiro mbi 8 milionë lekë në vit, duhet të deklarojnë dhe paguajnë tatimin mbi vlerën e shtuar çdo muaj, nëse kanë xhiro mbi 5 milionë lekë në vit dhe tatimin progresiv mbi të ardhurat personale, detyrimet për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, si edhe kanë detyrimet për mbajtjen e dokumentave përkatës tatimor, në perputhje me ligjin, etj”.

Në fakt këtu ka një ngatërresë, që unë nuk do të nxitohesha ta quaja të qëllimshme, por le të themi nga padija. Po flasim për fermerët! Vetëm për fermerët, aspak për shoqëri tregtare, apo subjekte tregtare.
Sipas ekspertëve në DPT, në bazë të ligjit të shoqërive tregtare, kjo kategori fermerësh nuk konsiderohen tregtarë e, në këtë kuptim, pajisja me NIPT e tyre bëhet vetëm për qëllime të kompensimit të TVSH- së deri në një qarkullim 5 milionë lekë. Përtej këtij qarkullimi, ata nuk përfitojnë kompensimin, por duhet të regjistrohen në regjim normal të TVSH-së pra si tatimpagues të TVSH-së. Këtë përcaktim, thonë specialistët, e bën ligji i TVSH-së.

Ka edhe nja dy pyetje pas këtij shpjegimit të mësipërm: A konsiderohen fermerët me të ardhura deri në 5 milionë tatimpagues? Pse nuk perdoret numri personal i tyre si individë, siç e përcakton ligji i procedurave, por kërkohet pajisja me NIPT për kompensimin e tyre?

Çfarë thotë ligji dhe aktet e tjera ligjore?
Udhëzim nr. 19, datë 3.11.2014 për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar shpjegon gjithçka. Sipas specialistëve, ekspertë të fushës së TVSH-së, ligji dhe udhëzimi 19 për skemën e fermerëve, por gjithashtu edhe teknika e aplikimit të skemës dhe qëllimi i saj në thelb për fermerët me qarkullim deri në 5 milionë lekë saktëson se nuk janë tatimpagues në kuptim të ligjit të procedurave.

Pajisja me NIPT e tyre kërkohet, sepse ata që blejnë produktet e tyre si p.sh. agrobiznesi ose grumbulluesit, përfitojnë 20 për qind TVSH të zbritshme dhe, me një faturë pa NIPT, do të ishin jashtë kontrollit fiskal. Kur norma ishte 6 për qind, ishte Kodi i Fermerit, por ky jepej nga drejtoritë e bujqësisë dhe specialistët e DPT thonë se komplikohej shkëmbimi i informacionit për transaksionet. Sot me 20 për qind kompensim për fermerët, duhet pasur situata në kontroll, sepse agrobiznesi dhe grumbulluesit e zbresin TVSH- në që u paguajnë fermerëve.

Specialistët theksojnë se, veç kësaj, pajisja me NIPT ndihmon dhe formalizimin e transaksioneve dhe, për qëllime të skemës së kompensimit ato faturohen, kështu që plotësohet zinxhiri i TVSH-së. Ky shpjegim teknik iu jep përgjigje edhe pyetjeve të mësipërme që i bëjnë, edhe ekspertët, edhe fermerët.

Pyetja tjetër është se pse nuk përfshihet kjo kategori te përjashtimet dhe nëse konsiderohen tatimpagues fermerët, çfarë detyrimesh tatimore kanë?
Sipas ligjit për transaksione deri në 5 milionë lekë, fermerët nuk kanë asnjë detyrim për të paguar, nuk u jepen as fatura tatimore. Kështu thotë ligji “Për TVSH-në”. Mbi 5 milionë xhiro vjetore, nuk konsiderohen më fermerë, por tregtarë dhe i nënshtrohen të gjitha detyrimeve tatimore. Edhe NIPT-in e marrin në Drejtoritë Rajonale Tatimore dhe jo në Qendrën Kombëtare të Rregjistrimit.

Kjo është e thjeshtë të kuptohet, nëse në ligj shikon se cili është objekti i tij. Fermerët nuk janë objekt i ligjit, pasi nuk janë tregtarë. Nëse një përcaktim nuk është në objektin e ligjit, nuk ka si të përcaktohet si i përjashtuar. Në nenin 147 të ligjit nr  92/2014 “Për TVSH” përcaktohet se “Prodhuesit bujqësorë përfitojnë të drejtën e kompensimit kur:

a) qarkullimi vjetor i tyre nuk tejkalon kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
b)furnizojnë mallra apo shërbime me prejardhje nga puna e tyre e kryer në njërën nga
aktivitetet e përcaktuara, sipas shkronjës “d”, të nenit 145, të këtij ligji;
c)mallrat dhe shërbimet u furnizohen personave të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit në Republikën e Shqipërisë;
ç) janë pajisur me një numër identifikimi të personit të tatueshëm, lëshuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore ku ushtron aktivitetin prodhuesi bujqësor, pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim, sipas nenit 106, të këtij ligji”.

Më e detajuar ky shpjegim është tek nenin 5 i udhëzimit nr.19 datë 3.11.2014.
Madje neni 53 i ligjit “Për Procedurat Tatimore” dhe pika 5/3 e udhëzimit i përcakton si individë të parregjistruar, që mund të shesin produktet e tyre edhe kur nuk duan të pajisen me NIPT që të përfitojnë nga kompensimi 20 për qind. Pajisja me NIPT nuk është e detyrueshme, bëhet vetëm nëse fermerët duan kompensimin.
 
Po përse kundërshtohet marrja e NIPT të fermerit?
Kjo kategori fermerësh, që nuk deklaron asnjë të ardhur apo shpenzim, nuk lëshon fatura tatimore, sipas udhëzimit të sipërcituar, konsiderohen thjesht fermerë dhe jo tregtarë.
Në ligjin e procedurave dhe udhëzimin përkatës përcaktohen normat procedurale tatimore. Në nenin 40 të tij dhe pikën 40 të udhëzimit përcaktohet regjistrimi i fermerit. Në udhëzim sqarohet që ky regjistrim, pra pajisja me NIPT kërkohet sipas Ligjit të TVSH-së. Dhe kjo shprehet qartë. Përndryshe nuk do të kërkohej regjistrimi i fermerit.

Cilat janë vështirësitë?
Ato më shumë vijnë nga padija, por edhe nga ngatërrimi i qëllimshëm i skemës së kompensimit të fermerit (dhe jo të tregtarit bujqësor). Sipas udhëzimit përkatës, për pajisjen me NIPT të fermerit, janë të detyrueshme këto të dhëna: a) të dhënat e identifikimit të fermerit; b) adresa e banimit, kontakte të personit; b) vendi i ushtrimit të veprimtarisë prodhuese bujqësore; c) fusha/(at) e veprimtarisë prodhuese bujqësore, në qoftë se është e përcaktuar, ose nëse fermeri kryen disa veprimtari prodhuese bujqësore, atëherë specifikohen disa duke filluar nga ajo që mban peshën kryesore;  ç) specimeni i nënshkrimit (firmës) të individit-fermer. 

Pas këtyre të dhënave, Drejtoria rajonale tatimore merr në shqyrtim aplikimet për pajisjen me NIPT të fermerëve sipas radhës së paraqitjes së tyre. Drejtoria e regjistrimit dhe shërbimit të tatimpaguesit në drejtorinë rajonale tatimore përkatëse asiston aplikantin fermer në plotësimin e aplikimit dhe, pasi kryen verifikimet përkatëse dhe vëren përmbushjen korrekte të kushteve për regjistrim, kryen regjistrimin e fermerit në regjistrin tatimor duke evidentuar dukshëm në faqen e regjistrimit faktin që i regjistruari është “fermer” dhe lëshon certifikatën e regjistrimit (NIPT-in) brenda një afati prej dy ditësh nga data e paraqitjes së aplikimit. 

Ky regjistrim dhe certifikata e NIPT-it lëshuar fermerit është e vlefshme vetëm për qëllime të përfitimit nga skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë sipas këtij ligji. Asnjë detyrim tjetër fiskal, asnjë penalitet, asnjë sekuestrim malli, as edhe “kupon tatimor”, sikundër po e servirin ata që nuk lexojnë dhe nuk njohin as këtë përshkrim të shkurtër të procesit të pajisjes me NIPT dhe të përfitimit të 20 % të çmimit të shitjes së produktit, që i takon dhe duhet ta marrë fermeri. Në bankë? Nëpërmjet Postës Shqiptare?

Ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe nuk ka asnjë pengesë që skema të funksionojë sikundër e kërkojnë fernerët, por jo tregtarët dhe grumbulluesit, të cilët duhet dhe po kontrollohen në vijimësi për abuzimet me nënçmimin e produkteve dhe me hiletë e tjera që kanë filluar t’u bëjnë fermerëve të thjeshtë. Sëmundjes së parë iu gjet “ilaçi”, duke kërkuar llogaritë bankare të fermerëve për të përftituar 20 % kompensim, sëmundjeve të tjera shumë shpejt autoritetet po u tregojnë “kurat” përkatëse ligjore dhe nënligjore.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Kontrata e kabullit nënujor në Abu Dhabi në ‘Studio Live’, Bejtja: Një korridor më shumë për Shqipërinë! Çoçoli: për 3 vjet e kthen vendin në eksportues

Kontrata e kabullit nënujor në Abu Dhabi në ‘Studio Live’, Bejtja: Një korridor më shumë për Shqipërinë! Çoçoli: për 3 vjet e kthen vendin në eksportues