Qershori ka rikthyer pesimizmin në ekonomi. Pas një rritje me 1.1% në maj, Banka e Shqipërisë thotë se ky tregues ka regjistruar rënie me 0.6% në muajin e kaluar. Sektorët kryesor që kanë ndikuar negativisht janë shërbimet dhe ndërtimi.
Treguesi i besimit në shërbime ra me 3.8% në qershor, për shkak të vlerësimeve më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, dhe për nivelin e ulët të kërkesës. Praktikisht ky sektor, ku përfshihet edhe turizmi nuk duket shumë optimist për ecurinë aktuale të biznesit.
Për shkak të uljes së kontratave për prona, edhe ndërtuesit janë shprehur pesimistë, duke bërë që besimi në ekonomi nga ky sektor të ulet me 0.8% për qershorin, ndërsa pritshmëritë për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar me rënie.
Ndërsa sa i takon tre kategorive të tjera, tregtia, industria dhe konsumatorët janë në rritje. Më konkretisht tregtia është 2.8% më optimiste, për shkak të volumit të lartë tregtar, kjo si rezultat edhe i normalizimit disi të çmimeve të hidrokarbureve në qershor, çka është reflektuar edhe në kosto më të ulta për transportin.
Si rezultat i shtimit të porosive për eksport, industria e ka rritur me 0.6% besimin në ekonomi. Kurse konsumatorët raportojnë përmirësim të situatës së tyre financiare, ndaj kanë rritur po me 0.6% besimin në ekonomi.
Komente









