Afërsisht 1.2 miliardë lekë ka paguar Kuvendi gjatë vitit që lamë pas, vetëm për paga dhe kontribute të sigurimeve shoqërore, të deputetëve, stafeve të tyre dhe administratës.
Raporti, i bërë publik nga vetë Parlamenti këtë të premte, evidenton se ky zë, përfaqëson në fakt 66% të totalit vjetor të buxhetit të 2025. Pesha rritet, dhe shkon në 77 %, po t’i shtosh këtu dhe përfitimet financiare mbi pagën që marrin deputetët, që nga dietat për udhëtime, kompensimi i qerasë, telefonit e karburantit apo honorareve për marrjen pjesë në komisione, vlera e të cilave vitin e kaluar ka shkuar në 200 milion lekë ose pak më shumë se 2 milion euro.
Edhe shpenzimet për delegacionet parlamentare jashtë vendi janë të konsiderueshme: 60 milion lekë.
“Gjatë vitit 2025 janë lëshuar 116 urdhra udhëtimi jashtë shteti, për 437 pjesëmarrës në aktivitete jashtë vendi (deputetë dhe staf politik e administrative), nga të cilët 186 deputetë dhe 60 staf politik“, thuhet mes të tjerash në raport.
Vetëm 5 % e buxhetit rezulton të ketë shkuar për investime, dhe ato të natyrës deri diku modeste.
1.2 milionë lekë janë shpenzuar për krijimin e një aplikacioni të ri të Kuvendit, pasi institucioni thotë se ai që ekzistonte më herët nuk i përshtatej kushteve të kohës.
Ndërsa për transkriptimin e të dhënave audio video të Kuvendit bazuar ne inteligjencën artificiale, një projekt i ri që synon zbardhjen e diskutimeve në parlament e komisione përmes teknologjisë, gjatë 2025 u paguan 30 milionë lekë, edhe pse ky është një projekt për të cilin do të duhet të paguhet edhe nga buxheti i vitit aktual.
Po ashtu në raport rezulton se 60 milionë lekë kanë shkuar për udhëtime jashtë shtetit të deputetëve dhe stafit politik e administrativ të Kuvendit (bileta, dieta dhe akomodim).
Në analizë, Kuvendi ka bërë të ditur edhe përbërjen e burimeve njerëzore, ku deputetët zënë 32% të numrit total të punonjësve në Kuvend.
“Përbërja e burimeve njerëzore (sipas numrit faktik të vitit 2025) është: deputetët zënë 32 % të numrit faktik për vitin 2025, stafi politik 14 %, nëpunësit civile 44% dhe punonjësit mbështetës zënë 10% të totalit të numrit faktik,” thuhet në analizën e Kuvendit.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente







