Pas deklaratave të ministrit të Financave Bode dhe guvernatorit të BSH Fullani që kanë pranuar faktikisht situatën e vështirë të financave publike, reagon ish-ministri prof. dr. Anastas Angjeli. Sipas tij, këto janë reagime tepër të vonuara, ndërkohë që rruga e shkurtimeve buxhetore është më e gabuara.

Prof. Angjeli, si i vlerësoni deklaratat e guvernatorit dhe ministrit të Financave dje në konferencën e parakushteve të reformës ekonomike?
Ata kanë pranuar një gjë që nuk mund të fshihet më, sikurse është fshehur deri tani: ekonomia shqiptare po vuan, jo vetëm pasojat e krizës globale, por dhe nga keqadministrimi i strukturave shtetërore. Rezultati është një dobësim i performancës së financave publike, i mundësive financiare të qeverisë e të bankës qendrore, një rënie e vazhdueshme e shifrës së ndryshimit të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ku e shihni ju më të keqen e situatës aktuale?
Në eurozonë ka një turbullirë, së cilës - tashmë pranohet hapur - nuk i ka shpëtuar ekonomia dhe financat shqiptare, madje këto ndodhen në vorbullën e saj. Financat publike të vendit vazhdojnë të tronditen dhe ndikimi përkeqësues në situatën ekonomike e sociale po rritet dukshëm. Mundësitë e qeverisë për manovra financiare po mbyllen. Por, në rast se do të ishin marrë disa masa të duhura në kohë, situata do të ishte më pozitive.

Për ç'masa e keni fjalën?
Ka katër vjet që rishikimi i buxheteve të shtetit në mesviti ka qenë me ulje të shpenzimeve. Është rruga më e gabuar, aq më tepër që shohim se shpenzimet operative rriten dhe ato për investime shkurtohen. Në një familje, nuk mund të mendohet t'i lesh anëtarët e saj pa bukë, se vdesin. Investimet në ekonomi janë jetike dhe duhet të shtohen me çdo kusht. Ndërkohë, zyrtarët e lartë nuk marrin masa në drejtimin e kundërt: rritjen e të ardhurave me çdo kusht. Kjo është lënë vazhdimisht pas dore, edhe kur u lejua rritja marramendëse e borxhit publik, e pakontrolluar nga ata që e kishin për detyrë një gjë të tillë. Qeveria duhet t'u japë oksigjen të ardhurave dhe për këtë ka rrugë të pafundme.

Ju që para disa vjetësh keni hedhur idenë e nevojës për një model të ri ekonomik. Duke filluar nga kryeministri Berisha, ministrat e linjës ekonomike e opinionistë pranë qeverisë, të gjithë kanë thënë se aktualisht ne kemi një model "të shkëlqyer", që na garanton suksesin. Ka ndryshuar ky mendim?
Faktet janë kokëfortë dhe këtë janë detyruar ta pranojnë edhe ministri i Financave dhe aq më tepër guvernatori. Modeli aktual nuk ka më "shkëlqim", i ka dalë boja me kohë. Kokëfortësia për të mbajtur me çdo kusht një model të pandryshuar nuk të lejon t'u përshtatesh situatave të ndryshuara dhe ekonomia e vendit e humb edhe atë avantazh që kishte arritur me ekonomitë e tjera. Qeverisë i kemi propozuar me kohë që të ulemi e të bisedojmë, të gjithë faktorët që kanë diçka për të dhënë, që kanë përvojën e duhur teorike e praktike, në mënyrë që vendi të përparojë, por kjo ka rënë gjithnjë në vesh të shurdhër.

Rezultatet aktuale tregojnë se situata do të përkeqësohet?
Deficiti buxhetor faktik për periudhën e 4-mujorit, në krahasim me programin, është realizuar në nivelin 11.4 miliard lekë përkundrejt 2.2 miliard lekë që ishte programi, duke arritur në përqindje, nivelin rekord prej 502%. Kjo situatë është shndërruar në fenomen kronik, më e theksuar edhe në vitet 2009, 2011, por tani është bërë një premisë e qartë, me ndikim të dukshëm në thellimin të mëtejshëm të borxhit publik dhe shtimit të mundësive për krijimin e një ambjenti më me risk të lartë, të pritshëm inflacionist. Në këto dy vite, duket se ky përkeqësim është i lidhur më shumë më faktorët e brendshëm të ekonomisë se sa të krizës së eurozonës. Lidhet drejtpërdrejt më politikat e munguara të rritjes ekonomike dhe të punësimit,me projeksionet tepër optimiste, veçanërisht për treguesit makroekonomikë dhe keqmenaxhimin e buxhetit të shtetit (vazhdimi i rënies ekonomike, rezultatet jo të mira në arkëtimin e të ardhurave, psh. detyrimet e prapambetura ndaj kompanive,etj).

Çfarë mund të bëhet në këtë situatë?
Në kushtet e një ekonomie në rënie kërkohet më shumë për të bërë në mbledhjen e të ardhurave nga administrata fiskale në luftën kundër evazionit, duke mos rënë pre e "situatës politike dhe asaj paraelektorale" me ndikim në "shthurje" të kësaj administrate. Dhe, meqenëse situata buxhetore nuk lejon hapësirë për një manovër të gjerë fiskale, kërkohet mbështetje më e madhe nxitëse dhe lehtësuese për funksionimin më efikas të biznesit vendas dhe të huaj. Banka e Shqipërisë, nga ana e vet,m duhet të rritë fleksibilitetin e politikës monetare (të interesave) dhe asaj të kreditimit në ekonomi, pa humbur vigjilencën ndaj rritjes së kredive të këqija. Qeveria duhet të pranojë publikisht dhe në mënyrë transparente gjendjen problematike të ekonomisë dhe situatës reale të financave publike në vend, gjendjen e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.

(gk/shqiptarja.com)