Anders Fogh Rasmussen i dha sot lamtumirën NATO-s, ku ai mbajti postin e sekretarit të përgjithshëm për pesë vjet dhe u largua pa ia kaluar postin  pasardhësit të tij, Jens Stoltenberg.

Në shfaqjen e fundit publike, Rasmussen vendosi një tufë me lule në memorialin në kujtim të ushtarëve të rënë gjatë operacioneve të NATO-s, në selinë e Aleancës.

Ish-kryeministri liberal danez, i cili ishte i shoqëruar jo si zakonisht nga bashkëshortja, Anne-Mette, nuk bëri asnjë deklaratë.

Menjëherë më pas, Rasmussen drejtoi Këshillin e Atlantikut të Veriut, që mbledh ambasadorët e 28 vendeve anëtare, para një takimi me bashkëpunëtorët më të afërt dhe anëtarët e personelit, civil dhe ushtarak.

Mandati i tij, i nisur më 1 gusht 2009, përfundon zyrtarisht të martën më 30 shtator.

Pasardhësi i tij, ish-kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg, 55 vjeç, do të marrë funksionin të nesërmen, më 1 tetor.

Muajt e fundit të mandatit të Rasmussenit u shënuan nga kriza në Ukrainë, mbi të cilën ai mori qëndrime të prera. Në fillim të muajit shtator, gjatë samitit të NATO-s në Uells, vendet anëtare të Aleancës vendosën për krijimin e një force që mund të vendoset brenda disa ditëve në përgjigje të një krize dhe për mbajtjen e një pranie të vazhdueshme në lindje të Evropës./ATSH/