Andromaqi Gjergji, Portreti i panjohur
i akademikes së parë shqiptare

Andromaqi Gjergji, Portreti i panjohur <br />i akademikes së parë shqiptare
TIRANE - Më 20 maj të vitit 1928 lindi Andromaqi Gjergji. Dje ajo mbushi 85 vjet. Jubile që ia vlen të përmendet po të kemi parasysh jetën dhe punën e kësaj gruaje jo të zakontë, e cila vazhdon të punojë pa ndërprerë për t’i lënë popullit si trashëgim një vepër të madhe, por për t’i bërë shqiptarët të ndërgjegjshëm dhe krenarë për kulturën e tyre - sidomos atë materiale - që ata kanë pasur. Kjo kulturë me kalimin e viteve është shndërruar në thesar dhe si e tillë duhet ruajtur me kujdesin më të madh, jo të shkatërrohet e shpërdorohet, siç po ndodh kohët e fundit.

Andromaqi ka lindur në Korçë. Nuk është e tepërt të përmendet ndikimi magjik që ka pasur ky qytet në formimin e shumë personaliteteve, ndërmjet të cilëve Andromaqi ze një vend të veçantë. Jo vetëm nga shkollimi i ulët dhe i mesëm që kreu në këtë qytet, por nga lidhjet e pandërprera dhe të shumëllojshme që ka krijuar me ‘të. Njohja e thellë që ka përftuar prej një pune shumë të gjatë dhe frutdhënëse e vlerave, që mbart qyteti me fushën dhe malësinë e tij është pasqyruar më së miri në veprën e saj

Indro Montaneli në librin e tij “Shqipëria një e një mijë” ,1 qytetit të Korçës i ka bërë si asnjë tjetër një vlerësim të veçantë dhe shumë domethënës, të pangjashëm me asnjë qytet tjetër të Shqipërisë, që ai kishte vizituar. Jemi të detyruar ta përmendim këtë jo vetëm se ai flet shumë mirë për këtë qytet, por se është e vetmja dëshmi historike e shkruar, e lënë prej një vëshguesi të huaj dhe që duhet mbajtur mirë ndër mend, aq më tepër që në ndonjë përkthim, nga po citojmë më poshtë nuk është dhënë e saktë: “E çuditshme! Qyteti më lindor i Shqipërisë është në të njëjtën kohë, më perëndimori….

Njëzet e pesë mijë banorët e Korçës janë njëzet e pesë mijë borgjezë dhe e kanë bërë qytetin e tyre një Milano të vogël të Shqipërisë jugore. Rrugët e tij të pastra, shtëpitë e tyre të sakta dëshmojnë për një rend qytetar (civil); prodhimet me dorë të qilimave dhe fabrika e madhe e tij e prodhimit të birrës dëshmojnë për një rend ekonomik. Fushat përqark, të pastruara me zell, të pikturuara me dashuri dëshmojnë ndërhyrjen dhe veprimin e popullit mbi tokën e tij. Në se më në fund do të thahet këneta e Maliqit, ajo do të bëhet një hangar i madh gruri, një pllajë me një klimë të ëmbël që do të thotë se është i krijuar nga njerëz prej brumi shumë të mirë“.2

Andromaqi është shprehur për qytetin e Korçës: “Unë i detyrohem shumë qytetit tim të lindjes, sepse me gjithë vështirësitë e periudhës që kalonte pas Luftës së Dytë Botërore, vazhdonte të ishte një ndër qytetet e para me tipare europiane: me rrugë të shtruara, me shkolla ku jepnin mësim mësues të kualifikuar, qyteti ku kishte librari plot me libra, revista, tekste shkollore, shqip e në gjuhë të huaj, dy shtypshkronja, bibliotekën, dy kinema, parqe, lulishte me një pazar nga më të bukurit në Ballkan”.

Andromaqi është e bija e Llambi Jorgjit, i cili ka ardhur në Korçë prej SHBA në një kohë shumë kritike për fatet e vendit, në vitin 1920. Ai nuk u kthye më nga kishte ardhur, por bleu këtu shtëpi dhe krijoi familje. Në të njëjtën kohë u angazhua me përkushtim në krijimin dhe veprimin e institucioneve të Shtetit shqiptar, të cilat morën formë pas viteve 1920, sidomos mbas shpalljes së Mbretërisë më 1 shtator të vitit 1928, kur Andromaqi kishte disa muaj që kishte lindur. Nga detyrat e rëndësishme që ka kryer Llambi, ka qenë ajo e sekretarit të Prefekturës të Korçës.

Me një kujdes të admirueshëm ka pasqyruar të shkruar në ditar çdo veprim të kryer në detyrën e ngarkuar, deri edhe orët e ditës së punës të tij, që në shumicën e rasteve i kalonin ato të caktuara me ligj. Mbresa të pashlyeshme të le gjendja e tij emocionale e krijuar mbas përfundimit të një pune të gjatë dhe të lodhshme që ka pasur të bëjë me krijimin për herë parë të arkivit të Prefekturës, që përveç sistemimit e klasifikimit të dokumentave të gjetura ka përfshirë dhe dokumentat e krijuara rishtaz.

Nuk mund të mos të të prekë shënimi: “Sot jam shumë i kënaqur mbasi përfundova krijimin e arkivit”. Në arkivin e krijuar prej Llambi Jorgjit ka pasur edhe dokumenta me shumë vlerë, si ato të lëna nga dora e Th. Gërmenjit etj. Llambi ka qenë aq i kujdesshëm, sa ka shënuar në ditar edhe martesën e parë civile të një qytetari, mbas hyrjes në fuqi të Kodit të parë Civil të shqiptarëve më 1 prill të vitit 1929. Llambi është ati edhe i dy djemve, Kristaqit dhe Ilo Jorgjit.

Të dy me prirje të thella në fushën e arkivave. Kristaqi është njëri prej filatelistëve e numizmatëve më të mirë të Shqipërisë. Arkivi i tij përmban edhe dokumenta me vlerë, sidomos për shoqërinë “VATRA”, anëtar i së cilës ka qenë dhe ati i tij. Pasioni i Ilo Jorgjit për të dokumentuar zhvillimin e sporteve në qarkun e Korçës është i njohur . Nga gjiithë këto del, se Andromaqi nuk është një dukuri e rastit, por rrjedhojë e ndikimit të qytetit mbi ‘të si dhe e kultivimit familjar.

Të shkruash për veprën e një akademiku, sidomos kur kjo vepër është shume e gjerë, si në volum, ashtu edhe në cilësi, duhet të jesh në mos akademik, të paktën i fushës. Kështu e kërkojnë parimet e njohura të rrënjosura në shekuj. E thënë me gojën e popullit duhet të jesh i një sëre, me atë për të cilën po shkruan. Por kur guxon dhe lapsin e merr jo si i zanatit, se fjalët të dalin nga zemra, mirë është që askush të mos të të qortojë.

Kur flasim për akademizmin duhet ta kuptojmë atë, në më të shumtën e rasteve, si dukuri që krijohet nga shkalla më e lartë e idealizmit, atdhedashurisë, përkushtimit, dijes dhe profesionalizmit.

Andromaqi u pranua në Akademinë e Shkencave të Republikës të Shqipërisë në mars 1999, mbasi kishte marrë më parë gradën e doktorit të shkencave historike (1980) dhe atë të profesorit më 1994. Sipas kujtimeve të një të afërmi të Andromaqit i pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme, kryetari i Akademisë, Z. Ylli Popa, me rastin e pranimit të Andromaqit si anëtare të Akademisë, ndër vlerësimet e shumta që kishte bërë pati thënë: “Franca, femrën e parë, Jursenar-in 3 e pranoi në akademi pas 300 vjetëve të krijimit të saj, ndërsa ne Andromaqin, pas 30 vjetëve”.

Për të mos u zgjatur me këtë personalitet të shquar, Margaritën dëshiroj të them - siç themi ne për këdo emrin të parin- , se prej saj në bibliotekë kam në origjinal librin: “Letra miqve të saj e të tjerëve”.4 Kur lexon në titull “miqve të saj”, në vend të ”miqve të mi” kupton që libri nuk është botim i akademikes në fjalë.

E gjithë lënda që përmban libri është e Margaritës, por përmbledhja e saj me shënime e shpiegime të hollësishme është punim origjinal i Mishelë Sard-it (Michele Sard) e Jozef Brami (Joseph Brami), të cilët në bashkëpunim me Eljana Dezon Xhons (Elyane Dezon –Jones) i kanë kushtuar këtë libër prej 720 faqesh botuar prej “Galimard” më 1995 jo Margarita Jursenar-it, por kujtimit të arkivistit të parë të saj, Grace Frick, prej punës së palodhur të të cilit është themeluar e gjithë lënda e librit.

Ky arkivist ka lënë kopjet prej karboni të origjinalëve të një pjese të mirë të letrave që ruhen në Bibliotekën Houghton të Universitetit të Harvard-it. Pra, ka qenë vëmendja dhe kujdesi i dikujt tjetër, e arkivistit të saj, që bëri të mundur shpëtimin dhe ruajtjen e kësaj pjese të veprës të Margaritës. Kushtimi që i bëjnë këtij autorët e librit është plotësisht i përligjur.

Ndërsa “Margarita” jonë ka qenë vetë autore dhe vetë arkiviste. Cilësitë e saj si arkiviste e shkëlqyer u dukën jo vetëm në grumbullimin dhe ruajtjen e dokumentacionit ku ka mbështetur veprën e saj, por edhe të një sërë objektesh që kanë bërë koleksione të vyera, dëshmi e pa kundërshtueshme e jetës materiale të shqiptarëve vendosur në një rrjet muzeumesh të kulturës popullore të krijuara para viteve 1990, por që fatkeqësisht mbas këtyre viteve u shkatëruan dhe, ashtu si njerëzit, morën rrugët e Botës.

Vepra e saj nuk ka qenë rrjedhojë vetëm e një studimi të gjatë dhe të pashembullt të pirgjeve të librave të autorëve të vendit dhe të huaj mbi kulturën materiale të popullit, mënyrës së tij të jetesës etj, por mbi të gjitha e njohjes në imtësi të truallit shqiptar, jetës të njerëzve që në mijëvjeçarë janë ngulur në këto troje. Me një durim të pasosur, nëpërmjet ekspeditave të shumta brenda dhe jashtë vendit ka qëmtuar në skutat më të largëta të tij shejëza nga më të ndryshmet, që i kanë shërbyer për të studiuar në teren veshjet tona kombëtare, për të mbritur në përfundime shkencore të një niveli mjaft të lartë.

Objekt i studimeve të saj ka qenë edhe jeta në diasporat shqiptare, si arbëreshët e Italisë dhe ata të Greqisë. Me qëllime studimi ka shkelur në atë kohë edhe hapësira të ish Jugosllavisë, të banuara prej shqiptarëve. Nuk është nxituar në dhënien e përfundimeve, aq më pak të shprehura në mënyrë të prerë për çështje të rëndësishme. Fjalët “mund të jetë kështu”, apo edhe nënteksti i tyre janë të pranishme në shumë faqe të veprës së saj.

Për librin “Veshjet Shqiptare Në Shekuj” i është dashur të studiojë lloje të panumërta veshjesh, modele, motive, ngjyra e stile të ndryshme. Materialet me të cilat janë bërë këto veshje, vendet nga kanë ardhur etj kanë qenë objekt i veçantë i studiuses. Numri i madh i veshjeve, që ndeshen sot në vendin tonë shpiegohet edhe prej vrundullave të shumta historike që kanë kaluar shqiptarët, sepse siç ka bërë të ditur një shkencëtar tjetër i madh (në mos gabohem, Çabej), që në kohët e vjetra ilirët dhe më pas edhe shqiptarët, kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme në një proces rrudhje dhe ngushtimi (restriksioni), asnjëherë faktorë dhe pjesëmarrës të një zgjerimi (ekspansioni).

Në rrethana të tilla, duke u zbythur vazhdimisht, ata kanë sjellë me vete në trojet e sotme edhe kulturën që mbartnin prej vendeve nga vinin. Nga ana tjetër, kur aautorja është e bindur dhe e sigurt, nuk nguron t’i japë përfundimet të sigurta, duke i mbështetur në prova bindëse. Kështu, ndërmjet gjetjeve arkeologjike të pasqyruara në figurat 162 ( burrë me fustanellë, gur i gjetur në Maribor , Slloveni - shek. V p.e.r.) dhe 163 (burrë me fustanellë , faqe 174 - 175 të librit “Veshjet Shqiptare në Shekuj”, botim i vitit 1988 ka përcaktuar, se fustani ka qenë një pjesë e hershme veshjeje e përdorur nga fiset e ndryshme ilire, që ngjan me veshjet e keltëve, prej nga e trashëguan skocezët.

Po kështu “Zoma” e vjetër greke dhe “cinctusi” romak, funde të shkurtër të përdorur prej kalorësve - sipas Andromaqit - janë i vetmi element i veshjes greko – romake, që mund të përqaset deri në një farë mase me fustanellën ilire të këtyre shekujve, e cila paraqitet shumë më e zhvilluar. Janë shumë të rëndësishme për mendimin tim, vrojtimet dhe përfundimet e saj lidhur me diversitetin kulturor brenda vetë popullit, të shkaktuara këto kryesisht nga diversiteti fetar, gjinor, krahinor dhe pasuror.

Pra nuk mjafton vetëm: una raca, una facia (një racë, një fytyrë) për të shtuar edhe të njëjtat zakone. Këto veshje autorja i trajton edhe nga pikëpamja e vlerave monetare. Tegelët prej kallpodani e kristogajtani,5 apo edhe lloje veshjesh të tjera të kushtueshme dhe shumë të kushtueshme që kanë pasur ndër ‘to përbërje ari e argjendi, në atë kohë kanë qenë të zakonshme.

Këto lloj veshjesh, përveç një dukje të bukur të sforcuar sillnin edhe një shtrëngim të madh te një pjesë e popullsisë, e cila këtë dukje - në shumë raste të kotë - e paguante shpesh me rrënim të gjendjes ekonomike të saj. Për të parandaluar shpenzimet e tepërta në veshje, dasma e vdekje, që me sa duket ishin bërë shqetësim i madh, ka pasur ndërhyrje të autoriteteve morale të kohës.

Kështu Kodiku i Korçës dhe Selasforit, faqe 37 6 na bën të njohur se, komuniteti i Varoshit të Korçës në vitin 1826 kishte ndaluar vënien prej nuseve të monedhave të floririt ndër festet. Ndalime të tilla i bërë edhe prej komuniteteve të tjera, si ai katolik i Shkodrës, i cili me anë sullesh vendosi në vitin 1840 të kufizonte shpenzimet e tepërta. Këto ndalime u përsëritën edhe më vonë, derisa në vitin 1910 i shpalli ato (sullet) në formë të shkurtuar.7 Në Korçë, në vitet 1920 u ndalua që dasmat të mos zgjasnin si më parë, një javë, por vetëm dy ditë.

Nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së Andromaqi Gjergjit as formulat e përshëndetjes, pjesë e etikës qytetare të kohës, që kanë qenë të ndryshme midis besimeve të ndryshme. Andromaqi në librin tjetër të saj8 ka hyrë thellë në jetën e popullit, të cilën përpiqet ta zbërthejë me kujdes të pashoq. Dukuritë që shfaq jeta e shqiptarëve, ajo nuk i kufizon vetëm në rrafshin etnografik, por i shtrin edhe në marrëdhënie juridike të rëdësishme, siç janë ato të pronësisë.

Studiuesja Gjergji e ndjek hap pas hapi çifligun dhe, nëpërmjet tij, marrëdhënien juridike të pronësisë mbi tokën, lëvizjen e ndërrimin e zotërimit të saj nëpërmjet marrëdhënieve kontratore, që janë rritur mbas fillimit të shthurjes së lëtij sistemit të çifligut. Është mjaft interesante përmendja e shembujve në këtë drejtim. Andromaqi ka vërtetuar që kontrata të tilla janë lidhur edhe me personalitete të rëndësishme, siç është rasti i Mustafa Pashë Gjiritit, [9] , që ka shitur në fshatin Rrëmbec toka, prona të tij.

Këto ishin vetëm disa prej vlerave që dalin nga vepra e madhe e Andromaqi Gjergjit. Duke i uruar asaj jetë të gjatë dhe shëndet të mirë dëshiroj ta mbyll këtë shkrim me fjalët e Edi Shukriut në librin “Gra të Shquara të Shqipërisë”: “Andromaqi është një vlerë kulminante e shkencës shqiptare dhe ndër më të shquarat në etnologjinë europiane dhe botërore”.

                                                                                              ***

1Indro Montanelli , ALBANIA UNA E MILLE, G.B. PARAVIA & C., dalë nga shtypi më 30 gusht 1939. Autori ka qenë një prej gazetarëve më të shquar dhe jetgjatë në Itali. Ka jetuar deri pas viteve 1990.
2 Indro Montanelli …..faqe 49-50.
3 Yourcenar (Margueritë de Crayencour, e quajtur Margaritë), grua e letrave, me shtetësi franceze dhe amerikane (lindur në Bruksel më 1903 dhe vdekur më 1978 në Mount Desert, Maine, SHBA. Mori famë prej veprës së saj “Kujtimet e Hadrianit “(1952), ka botuar romanet (puna në të zezë, 1968),” Orientalet e saj të reja” (1938), esetë (nën fitimet e inventarit, 1978), kujtimet familjare (kujtimet e besimtarit 1973) të zotëruara prej miteve të Antikitetit etj. Ka qenë gruaja e parë anëtare e Akademisë franceze zgjedhur më 1980 (Larousse 1997).
4 Lettres a ses amis et quelques autres.
5 Tegelë me fije ari të përdredhur për qëndisjen e pajës nga ana e nuses dhe gajtanë të qendisur po me fije ari për të stolisur kostume të shtresës së pasur.
6 Materiale dokumentare për Shqipërinë Juglindore të sh. XVIII- Fillimi i sh. XX, botim i A. Shkencave të RPSSH 1981.
7 “Leka” nr. 4, prill 1937, faqe 170.
8 “Mënyra e jetesës në sh.XVIII- XX “ botim i vitit 2002.
9 Guvernator i Kretës (Gjiritit), i njohur për rreptësinë e tij, por edhe në të njëjtën kohë për ndershmërin e drejtësinë që mbante. Nip i Mehmet Aliut të madh, të dy nga Pojani i Korçës ngjitur me Rrëmbecin, fshatin e origjinës së Andromaqit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.05.2013

Redaksia Online
(b.m/sqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024