TIRANE-Një ditë përpara Kongresit të PS-së, 8 anëtarët e kësaj partie kanë përgatitur një mocion me 10 pika ku propozohen ndryshime brenda partisë.  Të udhëhequr nga Arta Dade, Eva Teqja, Ibrahim Sulaj, Irena Beqiraj, Luan Zhegu, Maqo Lakrori, Nazmir Bilani dhe Përparim Bodinaku, ata shprehen se me anë të këtij mocioni synohen një parti me liri, integritet dhe një parti që realizon një qeverisje të majtë demokratike.

Ndër kërkesat e parashtruara wshtw edhe heqja e mundësisë për kryetarin e Partisë për te qenë edhe kryeministër edhe ministër ose cdo funksion tjetër të këtij niveli, gjithashtu dhe kufizimi i mandatit deri në 2. Anëtarët e kësaj partie kërkojnë dhe pastrimin e klasës drejtuese në pushtet dhe në opozitë nga korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar. Kërkohet dhe ndryshimi i Kushtetutës dhe sistem të ri zgjedhor, që pushteti të mos përqendrohet vetëm te një person.

E përveç formatimit të partisë, anëtarët kërkojnë që paketa anti kck të funksionojë edhe për të gjithë personat që kanë kryer, kryejnë ose do të kryejnë funksionet e presidentit, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit, deputetit, kryetarit të bashkisë. Kjo kërkesë vjen një ditë para kongresit të PS-Së, i cili do të zgjasë 3 ditë dhe ku përveç ndryshimeve në parti do të raportohet edhe për qeverisjen.

Propozimet 
Numri i mandateve partiake të kryetarit, sekretarit të përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë kufizohet deri në dy

Funksionet e kryetarit, sekretarit të përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë janë të papajtueshëm me funksionet e presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit dhe kryetarit të bashkisë

Kandidatët e Partisë Socialiste të Shqipërisë për deputet, kryetar bashkie dhe këshilltar vendor propozohen nga organizatat socialiste të zonës zgjedhore vendore në të cilën ato veprojnë.

Në Partinë Socialiste të Shqipërisë njihet e drejta për oponencë kolektive të organizuar në forumet partiake vendimmarrëse qendrore Kongres, Asamble Kombëtare, Kryesi.

Oponenca kolektive merr formë të organizuar dhe funksionon vetëm pasi platforma e saj të jetë mbështetur me votim të fshehtë nga të paktën 20% e anëtarëve të partisë.

Ndëshkimi ligjor është i mundshëm pavarësisht kohës se kur provohet krimi elektoral dhe pavarësisht statusit politik të personit apo personave porositës, manipulues dhe vjedhës të votave.

Pastrimin e klasës politike drejtuese në pushtet dhe në opozitë nga korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar.

Ndryshim i Kushtetutës dhe sistem i ri zgjedhor, që pushteti të mos përqendrohet vetëm te një person

Verifikimi sistematik dhe pa asnjë përjashtim i pasurisë së të gjithë personave që kanë kryer, kryejnë ose do të kryejnë funksionet e presidentit, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit, deputetit, kryetarit të bashkisë.

Konfiskimi i pasurive të tyre të paligjshme; Dënimi sipas ligjit i personit abuzues, pavarësisht funksionit politik që ka pasur, që ka aktualisht apo që mund të ketë në të ardhmen.

Lajm në përditësim