Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, falënderoi Shqipërinë dhe Kosovën gjatë fjalimit të tij në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke e përmendur mes vendeve që janë angazhuar për të ndihmuar në stabilizimin e Gazës.
"Dua të shpreh mirënjohjen time për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mbështetjen unanime të planit tonë me 20 pika për paqen në Gaza dhe për miratimin zyrtar të Bordit të Paqes. Do të jetë një grup i rëndësishëm njerëzish. Gati 30 vende i janë bashkuar Bordit, të cilin kam nderin ta drejtoj. Jemi mirënjohës ndaj këtyre vendeve anëtare që kanë kontribuar me miliarda dollarë për ndihmën humanitare dhe rindërtimin, përfshirë Marokun, Bahreinin, Kazakistanin, Turqinë, Uzbekistanin dhe shumë vende të tjera. Paratë shkojnë drejtpërdrejt aty ku nevojiten.
Edhe vende të tjera po japin kontribute në nivele që nuk do t'i besonit. Kanë qenë të jashtëzakonshme.Dua gjithashtu të falënderoj vendet që janë angazhuar të dërgojnë trupa, forca policie dhe të ofrojnë trajnime për të ndihmuar në stabilizimin e Gazës, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe të tjera. Që kur mora detyrën, kam pasur nderin të ndihmoj në zgjidhjen e tetë luftërave dhe jam bërë mik me udhëheqësit e atyre vendeve", tha Trump.
Shqipëria është një nga vendet themeluese të Bordit të Paqes për menaxhimin e konflikteve dhe stabilizimin pas konflikteve, e iniciuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Bordi u themelua zyrtarisht në janar të vitit 2026 gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos dhe fokusi i tij i parë është procesi i stabilizimit dhe qeverisjes tranzitore në Rripin e Gazës.
Më 22 janar 2026, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 110 vota pro anëtarësimin e vendit në këtë organizatë. Më pas, në mbledhjen inauguruese të Bordit, më 19 shkurt 2026, kryeministri Edi Rama konfirmoi se Shqipëria do të kontribuojë me trupa ushtarake dhe personel policor në kuadër të forcës ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza. Po ashtu, vendi është angazhuar të marrë pjesë në ndërtimin e objekteve publike, banesave dhe infrastrukturës për fëmijët palestinezë.
Ndërkaq në komisionet parlamentare po miratohet me procedurë të përshpejtuar projektligji për pjesëmarrjen e Shqipërisë në operacionin ushtarak të Stabilitetit në Gaza. Shqipëria do të dërgojë maksimumi 40 ushtarakë, dhe kostoja për çdo mision 6 mujor arrin mesatarisht 1.7 milionë euro.








Komente
Komento