Një shqiptar ka pranuar se ka tentuar të ndihmojë kontrabandimin e pesë shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar me anë të një kamioni.

Ibrahim Sollaku, 33 vjeç, banues në Wilton Avenue, Southampton, u arrestua në Bournemouth më 5 nëntor.

Në të njëjtën kohë, autoritetet në Belgjikë arrestuan një tjetër të dyshuar dhe ndaluan pesë shqiptarë që kishin ndërmend të udhëtonin.

Duke u paraqitur të hënën në Gjykatën e Kurorës në Winchester, Sollaku pranoi fajësinë për komplot për të ndihmuar emigracionin e paligjshëm, si dhe për posedim me qëllim shpërndarjeje të drogave të klasit A. Dënimi ndaj tij do të shpallet më 15 janar.

Sollaku u arrestua pas një operacioni të përbashkët të Njësisë Rajonale për Krimin e Organizuar të Jugperëndimit (SWROCU) dhe forcave ligjzbatuese belge.

Sipas SWROCU, nga banesa e tij u sekuestruan mbi 90 doza kokaine të destinuara për shitje në rrugë.

Zëvendëskryeinspektori i Detektivëve Adam Smith deklaroi: “Kriminelë si Sollaku synojnë të përfitojnë shuma të mëdha parash duke lehtësuar udhëtime të paligjshme.

Çmimet e larta që ata vendosin shpesh ndihmojnë në forcimin e rrjeteve të tyre kriminale, duke shkaktuar edhe më shumë dëme në komunitetet tona, zakonisht përmes shpërndarjes së drogës dhe shfrytëzimit të personave të cenueshëm.

Sa më shumë informacion të kemi për të identifikuar të dyshuarit dhe viktimat e mundshme, aq më mirë mund të godasim rrjetet që qëndrojnë pas këtyre veprimtarive.”

SWROCU bëri të ditur se një burrë 55-vjeçar nga Bournemouth, i arrestuar në të njëjtën kohë me Sollakun, vijon të jetë në liri me kusht (nën garanci policore).