Anila Basha, kur martohen miqtë

Anila Basha, kur martohen miqtë
Një vajzë aktive që nuk rri dot në një vend. Prandaj dhe shpenzimet më të mëdha janë ato për karburant. Përveç të dielës, kur përpiqet ta bëjë pushim absolut, në apartamentin e saj 2+1 në periferi ku jeton vetëm. Dhe na e tregon si është kjo jetesë me të mirat dhe të këqijat e saj, si për shembull ku shumë miq kanë krijuar familje e nuk ta kanë ngenë.


Me kë jeton?

Jetoj vetëm në një shtëpi dy dhoma e një kuzhinë, në një zonë në periferi të Tiranës.

Cila është gjëja më e bukur e të qenit single?

Nëse e keni fjalën për shtëpinë, aty rri si të duash, bën çfarë të duash pa pasur presionin e mamit mbi kokë se e ke lënë dhomën rrëmujë apo pse nuk e ngritur tavolinën p.sh. Nëse e keni fjalën për jashtë dyerve të shtëpisë, ke një liri të pafundme për të bërë gjërat si i mendon.

Po gjëja më e keqe?

Kur kërkon të mbushësh kohën që e ke bosh dhe vëren se çdo person që merr në telefon dhe që deri dje kanë qenë miqtë e tu të pandashëm, kanë krijuar familjet e tyre dhe ty nuk ta kanë shumë ngenë.

Ke dalë në “blind date”, në takim të sajuar nga të tjerët me dikë që nuk e ke njohur më parë?

Pooo, dhe të më falësh, kush nuk ka dalë në takime të tilla…

Si ka përfunduar?

Përderisa jam single akoma, ka përfunduar si mos më keq apo jo?

Kush e ka “problem” beqarinë tënde?

Prindërit më shumë, unë pak më pak. Ata kanë qejf që unë të rregullohem si të gjitha vajzat e tjera, të kem një familje, fëmijë, një jetë të qetë, pa shumë strese.

Gënjen ende kur del në takim me dikë? Kë gënjen dhe si?

Si të gënjej? Pse duhet të gënjej dhe kë duhet të gënjej. Jo, jo nuk gënjej fare për gjëra të tilla.

Mbrëmjet e tua tipike të fundjavës si janë?

Pas punës nga ora 23.00, tani në verë me shoqëri nëpër pub-et e Tiranës, ose në fundjava me shoqëri nëpër rrethe. Gjithmonë aktive, nuk më ka shkuar ndonjëherë në mend që të ulem përpara televizorit me një gotë verë përpara dhe të shoh tërë natën filma.

anila bashaNë ç’orë kthehesh në shtëpi, kur del natën?

Varet, ka raste kur nuk më tërheq ambienti dhe jam shumë e lodhur në orën 1 pas mesnate jam në shtëpi, ndërsa kur gjendem në shoqëri gazmore dhe argëtohem, mund të qëndroj deri në 4 të mëngjesit. Sepse të dielën e kam pushim.

Kur e ke dëgjuar për herë të parë urimin “me një fat të mirë” ose “në dasëm”?

Nuk e mbaj mend se kur e kam dëgjuar për herë të parë. Mos ka ndodhur që kur kam qenë 20 vjeçe? Nuk e mbaj mend, më beso. Por e dëgjoj shumë, shumë shpesh. Ka ditë që e dëgjoj dy apo tri herë në ditë, ka ditë të tjera që s’kujtohet kërrkush ta thotë.

Çfarë mendon kur e dëgjon?

“Aman të njëjtën gjë më thonë, sikur u kam mbetur këtyre në derë”.

Të pëlqejnë dasmat e të tjerëve?

Po më pëlqejnë shumë. Dhe shkoj në të gjitha dasmat që më ftojnë. Dhe kërcej shumë.

Po për tënden a mendon?

Dikur mendoja, tani sikur kam harruar ta mendoj. Por ja tani që ma kujtove, prapë them që do të jetë një dasëm shumë e madhe ajo imja.

Shumica e miqve dhe mikeshave të tua janë të martuar apo single?

Të martuar, pak ka që janë single.

Sa shpesh fton njerëz në shtëpi?

Shumë rrallë, për të mos thënë asnjëherë. Vetëm ndonjë ditë të diele që përtoj të dal nga shtëpia. Por vetëm një, jo shumë sepse të dielën e dua qetësi pa njerëz.

Për çfarë shpenzon më shumë?

Karburant, lëviz shumë me makinë. Nuk rri dot në një vend.

Sa herë në javë gatuan?

Asnjëherë, ose shumë, shumë rrallë. Skuq ndonjë vezë apo bëj ndonjë supë.

Cili është specialiteti yt?

Dikur kam pas bërë shumë mirë tavë kosi, nuk di nëse arrij ta bëj dot tani. Në familjen time në Lushnjë, të gjithë lëpinin gishtat kur unë bëja tavë kosi.

Mund të gatuash edhe vetëm për vete?

Po, po gatuaj, por një vakt mund të ha, pjesën e mbetur e hedh.

Cilin nga këto numra shërbimesh ke në celular: taksi, ambulancë, polici, elektricist, hidraulik, shërbim taksi…

Numrat e shërbimit Vodafone për rastet kur kam nevojë emergjente për zgjidhjen e problemeve me celularin. Të tjerët i kërkoj po të më duhen.

Deri kur do vazhdosh të jesh single?

Pse ka kohë dhe planifikim një gjë e tillë? Nuk e dija. Dhe nuk e di se deri kur do të vazhdoj të jem single.

(MapoOnline/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Kategoria e Parë/ Përcaktohet kalendari i kampionatit nga java e 8-të deri në javën e 12-të

Kategoria e Parë/ Përcaktohet kalendari i kampionatit nga java e 8-të deri në javën e 12-të