Shkrimtarja shqiptare Anilda Ibrahimi, autore e disa romaneve të vlerësuara në Itali, rrëfen në një intervistë për Corriere della Sera universin femëror që përshkon veprat e saj, kujtesën e Shqipërisë patriarkale dhe raportin me emigrimin, gjuhën dhe letërsinë. Autorja, që jeton prej vitesh në Romë, flet për gratë që “vuajnë, por nuk dorëzohen kurrë”, për nostalgjinë ndaj vendlindjes dhe për fuqinë shpëtuese të leximit në vitet e diktaturës.
Intervista e plotë për Corriere Della Sera
Shkrimtarja shqiptare Anilda Ibrahimi mbërrin në Alto Adige në kuadër të “Quo Vadis? Festival i kulturave dhe gjuhëve”. Autorja do të zhvillojë dy takime, të enjten në Mediateca Multilingue në Merano (ora 17:30) dhe të premten në Nuova Libreria Cappelli në Bolzano (ora 17:30), në një rrugëtim përmes romaneve të saj, që sjellin në qendër jetën dhe sfidat e grave.
Në Itali, Ibrahimi ka botuar pesë libra me shtëpinë botuese Einaudi, mes tyre “Rosso come una sposa”, “L’amore e gli stracci del tempo” dhe romani më i fundit “Volevo essere Madame Bovary”. E rritur në Vlorë dhe e diplomuar për letërsi në Tiranë, ajo jeton në Romë prej vitit 1997.
Si janë gratë në romanet tuaja?
“Vuajnë. Mbajnë mbi supe peshën e jetës. Por nuk i përshkruaj kurrë si viktima. Kanë forcë për të përballuar gjithçka dhe një energji të veçantë. Dhe brenda tyre jeton një solidaritet i fortë femëror. Në kuptimin më të thellë dhe më autentik të fjalës”
Me cilin personazh ndiheni më e lidhur?
“Me Sabën, protagonisten e ‘Rosso come una sposa’. Një grua që, edhe pse përballet me dhunë dhe abuzime, nuk pranon të nënshtrohet. Nuk pranon të jetë viktimë. Dhe, ndoshta pa e kuptuar vetë plotësisht, vazhdon betejat e saj me vendosmëri të madhe. Përmes Sabës, e martuar që në moshë të vogël, kam treguar një grua që riparon. Që qep me gjilpërë dhe pe plagët dhe padrejtësitë e jetës, gjithmonë me dhembshuri. Kam dashur të tregoj se si, në Shqipërinë patriarkale të fillimshekullit XX, ku poligamia lejohej, edhe dy gratë e të njëjtit burrë mund të krijonin një lidhje motrash, sepse e kuptonin se mënyra e vetme për t’u përballur me patriarkatin ishte të qëndronin bashkë.”
Nga ajo Shqipëri e fillimshekullit XX ka kaluar një shekull. Si ka ndryshuar jeta e grave?
“Në pothuajse të gjithë romanet e mi flas për emancipimin gjatë socializmit real, për gratë që në atë periudhë arritën një formë lirie. Besoj se pas rënies së regjimit gjërat ndryshuan sërish. Sot, nga larg, ajo që shoh në Shqipëri nuk më duket një ndryshim pozitiv. Nuk e kam fjalën për jetën luksoze të të pasurve të rinj në Tiranë, por për vështirësitë që vazhdojnë të përjetojnë zonat rurale.”
Po komuniteti shqiptar në Itali?
“Mendoj se është integruar mirë dhe sidomos gratë shqiptare kanë pasur një integrim të natyrshëm e të suksesshëm. Ndoshta më shumë se komunitetet e tjera.”
A keni menduar të ktheheni përfundimisht në Shqipëri?
“Sigurisht. Kur dua, kthehem. Por jo për të qëndruar. Jam e bindur se kush largohet, nuk kthehet më. Uliksi e mallkoi për njëzet vjet ishullin e tij dhe kur më në fund u kthye, nuk e njohu më. Largimi, për mënyrën si e shoh unë, është përfundimtar. Të kapesh pas së shkuarës të pengon të kuptosh atë që ndodh përreth. Bëhet një mendim fiks që kontrollon gjithçka. Në rastin tim, jam kapur pas kujtesës dhe e kam përdorur mirë në të gjithë romanet e mia.”
Si është marrëdhënia juaj me shqipen dhe italishten?
“Në vitin 2008, kur botova librin tim të parë, thashë se ‘banoja’ në italisht. Sot do të shtoja se në Itali kam gjetur jo vetëm një gjuhë, por edhe një mënyrë të të shprehurit. Ndoshta edhe sepse jam rritur në diktaturë, ku fjalët kontrolloheshin dhe njerëzit mësonin të komunikonin me minimumin e mundshëm. Shqipja mbetet gjuha ime amtare. Gjuha e ndjenjave.”
Po raporti me leximin?
“Kam lexuar shumë që fëmijë dhe adoleshente, si shumë njerëz të brezit tim. Në atë kohë ishte një nga të paktat gjëra që mund ta bëje vetëm, sepse kolektivizmi ishte pjesë e fortë e diktaturës. Leximi më ndihmonte të dilja nga përditshmëria dhe ndoshta falë letërsisë nuk e ndjeva kurrë plotësisht izolimin e vendit tim nga bota. Historitë që lexoja bëheshin pjesë e jetës sime dhe unë jetoja bashkë me personazhet.”
Cilët janë autorët tuaj të referencës?
“Letërsia ruse dhe franceze e shekullit XIX. Autorë italianë të shekullit XX si Italo Calvino. Pastaj autore si Flannery O’Connor, Agota Kristof dhe Elizabeth Strout.”
Kush është Anilda Ibrahimi
Anilda Ibrahimi është një nga zërat më të njohur të letërsisë shqiptare në Itali. E lindur në Vlorë në vitin 1972, ajo studioi Letërsi Moderne në Tiranë dhe punoi për disa radio, televizione dhe gazeta shqiptare. Në vitin 1994 u largua nga Shqipëria drejt Europës, fillimisht në Zvicër, ku shkroi për një gazetë të emigrantëve kosovarë dhe botoi përmbledhjen e saj të parë poetike, “Cristallo di tristezza”. Prej vitit 1997 jeton në Itali, ku vazhdoi punën si gazetare dhe bashkëpunoi me Këshillin Italian për Refugjatët.
Në vitin 2008 botoi romanin e saj të parë, “Rosso come una sposa”, që rrëfen historinë e disa brezave të një familjeje shqiptare në jug të vendit gjatë shekullit XX. Në qendër të veprës së saj janë gratë shqiptare, jeta e tyre, forca, plagët dhe solidariteti mes tyre. Përmes një stili të qartë dhe ironik, Ibrahimi përpiqet të japë një portret tjetër të Shqipërisë dhe grave shqiptare, larg stereotipeve folklorike apo paragjykimeve që, siç thotë vetë, i ka hasur shpesh në Perëndim.
Edhe pse shkruan në italisht, shqipja për të mbetet “gjuha e ndjenjave”. Romanet e saj ndërthurin kujtesën, emigracionin dhe identitetin, duke krijuar një univers tërësisht femëror që shtrihet nga Shqipëria tradicionale deri te përvoja e jetës në Itali.
Komente






