Drejtori i Institutit të Policisë Shkencore, Dritan Zoto është pezulluar me udhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas një hetimi administrativ të nisur ndaj tij nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
 
Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë së Shtetit që thanë se ndaj Zotos, ka nisur një hetim administrativ në lidhje me kryerjen e një ekzaminimi grafik.
 
Sipas burimeve të policisë, Zoto ka urdhëruar ekzaminimin dhe kryerjen e një akti ekspertimi që ishte jashtë kompetencës territoriale që kanë laboratorët e Insitutit të Policisë Shkencore.
 
Afërsisht 6 muaj më parë, një shtetas nga Kosova mësohet se kishte kërkuar privatisht kryerjen e një akti- ekspertimi për një çështje që lidhej me një konflikt gjyqësor në Kosovë.
 
Një muaj më vonë Gjykata që kishte në shqyrtim konfliktin i kërkoi Institutit të Policisë Shkencore, kryerjen e të njëjtit akt- ekspertimi, çka ka bërë që ndaj Zotos të nisej një ankesë.
 
Pas kësaj ankese në Policinë e Shtetit, nisi edhe një hetim administrativ ndërsa tashmë Zoto është pezulluar deri në përfundim të këtij hetimi.
 
Në vendin e Zotos kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka urdhëruar komandimin e Bajram Marës, drejtues i një prej laboratorëve të Policisë Shkencore.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)