Ankimet për 25 prillin, shtyhet vendimi për Gjirokastrën: Raporti i ‘PEI’ i paqartë! Shqyrtohet Vlora, KAS rrëzon PD për prova shtesë, pranon LSI për informacion për pajisjen

KAS ka shtyrë vendimin për ankimin e PD dhe LSI për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës. Kjo për shkak se socialistët pretenduan se raporti i të dhënave të kryqëzuara të pajisjes së identifikimit biometrik për raste të dyshuara të votimit të dyfishtë nuk ishte i qartë.

Por pavarësisht kërkesës së përfaqësuesit të Partisë Socialiste Eridian Salianji, mbështetur edhe nga anëtarët e KAS, që nënkomisionerja Lealba Pelinku të detajonte nëse rastet e dyshimta për votim të parregullt, përfshinin rastet kur operatori teknik ka vendosur gishtin në pajisjen PEI, për të qartësuar votuesin sesi bëhet votimi, Pelinku shprehu gatishmërinë për ti qartësuar palët vetëm me shkrim.

Pasi ka shtyrtuar ankimimin për Vlorën, KAS ka vendosur të rrëzojë kërkesën e PD për prova shtesë nga institucionet dhe e tjera publike, ndërsa ka pranuar kërkesën e LSI për të marrë informacion në sa qendra votimi nuk ka funksionuar pajisja PEI në këtë qark. Me kërkesën e dy anëtarëve do të kërkohet edhe informacioni i kryqëzimit të të dhënave të Pajisjes PEI për këtë qark.

Teksa PD dhe LSI kanë paraqitur pretendimet e tyre për Vlorën, kurse, përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji i kërkoi opozitës mos vijonte më me kërkesat e tjera ankimore pasi sipas tij nuk po sillte asnjë gjë të re dhe i kërkoi KAS të refuzojë shqyrtimin e ankesave.

Akuzat më të forta për Gjirokastrën kanë qenë për votim të dyfishtë, por këtë e mohoi në mbledhje përfaqësuesi i PS i cili tha se ka zero shanse të ketë ndodhur, ndërsa për problemet teknike thotë se duhet të përgjigjen personat përgjegjës. Ivi Kaso i PD nga ana tjetër theksoi  se provat sipas tij janë të qarta dhe i mbetet në dorë KAS të vendosë nëse paligjshmëria shkakton pavlefshmëri dhe a duhet përsëritur procesi ose jo.

Për qarkun e Vlorës mbledhja do të vijojë sërish nesër. Administrata e KQZ dje përfunduar shqyrtimin e materialeve zgjedhore për 24 kutitë me materiale zgjedhore për qarkun e Beratit, për të gjetur parregullsi me kërkesë të LSI-së. Për shkak të volumit të materialit zgjedhor dhe shqyrtimit të imtësishëm që do t'i bëhet këtyre, KAS ka vendosur që vendimi përfundimtar për qarkun e Beratit të jepet po nesër, nëse do të ketë apo jo rinumërim.

(Kliko këtu ) Ankimimi i PD për Qarkun e Gjirokastrës

(Kliko këtu ) Ankimimi i LSI për Qarkun e Gjirokastrës

(Kliko ketu) Për të lexuar ankimin për Vlorën

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:04
Silva Caka: Persona në karantinim të ardhur nga Greqia shërbyen si komisionerë e numërues të PS! KAS të zbatojë ligjin, faktet flasin për manipulim të zgjedhjeve

 

Ish-deputetja e LSI, Silva Caka i ka bërë thirrje KAS që të zbatojë ligjin pasi, sipas saj, faktet tregojnë për manipulimin e procesit të zgjedhjeve.  Në një deklaratë për mediat, Caka tha se nga hapja e 24 kutive me materiale zgjedhore në Berat rezultoi se ka më shumë fletë votimi, sesa votues në listë. Po ashtu, Caka shprehet se ka edhe shtetas që janë lejuar të votojnë disa herë, fenomen ky sipas saj i përsëritur në të 12 qarqet.

Ajo akuzon se në Gjirokastër, persona që u futën në vend nga Greqia pas vendosjes së karantinës, kanë shërbyer si komisionerë dhe numërues për llogari të Partisë Socialiste

"Masakra zgjedhore e 25 prillit tashmë konfirmohet me fakte të reja. Për Gjirokastrën dhe Beratin kanë dalë prova të tjera, të cilat rrezojnë plotësisht procesin kriminal të 25 prillit.

Rilindja, më 25 prill, përdori administratën publike, grupet e strukturuara kriminale, Policinë e Shtetit, por më e rënda ka të bëjë me deformimin e vullnetit të qytetarëve brenda në kutitë e votimit.

Operacioni për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit filloi para ditës së votimit, u ekzekutua ditën e votimit dhe vazhdon ende, në sytë e gjithë shqiptarëve, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Është provuar me fakte konkrete, nga hapja e kutive të Beratit, manipulimi I procesit zgjedhor dhe nderhyrja drejtpërdrejt në kuti, ku rezulton se ka më shumë fletë votimi, sesa votues në listë.

Një tjetër fakt i rëndë, është që shtetasit janë lejuar të votojnë disa herë, fenomen që është përdorur gjerësisht në të 12 qarqet e vendit. Ky fakt na nxjerr në përfundimin se kjo masakër është e orkestruar me urdhër të Edi Ramës.

Në Gjirokastër, rezulton se janë futur shtetas nga Greqia pas datës 19 prill, kur u vendos karantinimi antikushtetues dhe i qëllimshëm, të cilët kanë shërbyer si komisionerë dhe numërues për llogari të Partisë Socialiste, ndërkohë që e drejta kushtetuese e votës, iu mohua mijëra shqiptarëve të tjerë, që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Pra, duket qartë se Partia Socialiste, përdor standard të dyfishtë, ku nga njëra anë iu mohon qytetarëve të drejtën për të votuar, nëpërmjet një karantinimi që zgjati vetëm 1 javë dhe nga ana tjetër, persona që duhet të ishin nën karantinë, dalin komisionerë, votues dhe numërues, në shërbim të partisë në pushtet.

Këto janë fakte shumë të rënda, të cilat rrëzojnë tërësisht procesin kriminal të 25 prillit.

I bëjmë thirrje Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, të zbatojë ligjin, sepse faktet flasin vetë. I bëjmë thirrje KQZ-së të mos bëhet pjesë e axhendës kriminale të Edi Ramës, për të vulosur masakrën e zgjedhjeve.

Lëvizja Socialiste për Integrim, është e vendosur për të bërë transparencë deri në fund, për këtë farsë zgjedhore dhe do të denoncojë çdo ditë me fakte e prova të reja", tha ajo.

Ora 13:52
Ivi Kaso: KAS po shkel çdo standard zgjedhor dhe ka si qëllim të fshehë masakrën zgjedhore

 

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, i ka konsideruar skandaloze vendimet e fundit të KAS për të mos pranuar kërkesat e PD për prova shtesë.

Kaso ka thënë se në KQZ po shkelet çdo standard zgjedhor dhe ka si qëllim të fshehë masakrën zgjedhore.

"Për të zbuluar dimensionin e plotë të masakrës zgjedhore për masakrën e 25 prillit. Ditë pas ditë po zbulohen parregullsi dhe shkelje që e kanë karakterizuar këtë proces. Refuzimi i KAS për të mos i marrë këto prova është një shkelje e cila shkon kundër interesit të qytetarëve shqiptarë, që është zbardhja e asaj që ka ndodhur më 25 prill. Ky vendim i KAS shkon në drejtim të kundërtën me transparencën.

Vetë anëtarët e KAS artikuluan nevojën e plotë për të sqaruar lidhur me zgjedhësit që kanë votuar më shumë se një herë.

Në do të vazhdojmë me kërkesat tona për shpalljen e pavlefshmërisë në zonat e tjera. Por do të donim që institucioni që administron ankimimet zgjedhore të ngrihet në nivelin e detyrës së tyre", tha Kaso.  

 

Ora 12:55
KAS rrëzon kërkesën e PD për prova shtesë, pranon kërkesën e LSI për të marrë informacion në sa QV nuk ka funksionuar pajisja PEI

 

KAS rrëzon kërkesën e PD për marrjen e provave shtesë. Por ka pranuar kërkesën e LSI e cila i kërkoi KAS të marrë informacion në sa qendra votimi për qarkun e Vlorës nuk ka funksionuar pajisja PEI.

Ora 12:10
PD e LSI paraqesin pretendimet për Vlorën, përfaqësuesi i PS, Salianji: Opozita të tërhiqet nga kërkesat e tjera, s’po thotë asgjë të re

 

Edhe gatë shqyrtimit të ankesave të PD dhe LSI për zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Vlorës ka pasur diskutime. Përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji i kërkoi opozitës mos vijonte më me kërkesat e tjera ankimore pasi nuk po sillte asnjë gjë të re teksa i kërkoi KAS të refuzojë shqyrtimin e ankesave për Vlorën. PD dhe LSI kanë paraqitur pretendimet e tyre, duke hedhur akuza për shitblerjen e votave, për shpërndarje legalizimesh, punësime vetëm gjatë zgjedhjeve etj.

Diskutimet në mbledhje:

Përfaqësuesi i PD: Është qëlluar në Selenicë në një lokal me simpatizantë të PD, nga një simpatizant i PS, çka bëri që demokratët mos marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit. U pa dhe në rezultat ku kjo zonë ishte dobët për PD.

Janë përdorur funksionet publike dhe financimet e jashtëligjshme për blerjen e votave dhe dhënien e legalizimeve. Ne vlerësojmë se shitblerja e votave përbën shkelje të rëndë të nenit 78, mjaftueshëm për të shopallur të pavlefshme. Blerja e votave nuk u realizua vetëm me të holla, por dhe bonuse, të mira materiale. Në Vlorë janë konstatuar ndihma ushqimore për qëllime zgjedhore, është përdorur nga disa figura

Në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, në datën 25 shkurt 2021 Këshilli Bashkiak i Vlorës ka miratuar një vendim për dhënien e kredive të buta në kundërshtim me nenet që në  periudhën 4-mujore para zgjedhjeve ia ndalon.

Më 24 prill 2021, Agjencia në Vlorë ka shpërndarë tollona nafte për të ndikuar vullnetin e zgjedhësve. Vendosja e shtetit në shërbim të partisë duke përdorur burimet shtetërore, administrata publike u vendos Sa i përket punësimeve në administratë, kemi apsur mundësi të parashtrojmë shtimin prej rreth 13 mijë punonjësish në një periudhë 4-mujore.

Qindra qytetarë në Vlorë kanë marrë këto ditë njoftime nga IKMT për prishje banesash e biznesesh, qartazi pas fushatës duke iu premtuar më parë se nuk i prishej. Shteti përdoret si mekanizëm për të qenë në funksion të plotë të partisë.

Po ashtu në kërkesën tonë, vihet dhe përdorimi i të dhënave personale, jo vetëm në Tiranë e Durrës, por edhe në Vlorë dhe gjithë SHqipëinë.

Përfaqësuesja e LSI: U vendos karantina për shqiptarët me banim në Greqi e Maqedoninë e Veriut, dhe ky është një mohim i të drejtës kushtetuese. Dëshmon për vullnet të orientuar politikisht ndaj qytetarëve me banim në Greqi e Maqedoni. Edhe pse nuk kishte dalë akt rregullues, duket se vetëm mbi bazën e njoftimit publik në pikën kufitare me Greqinë kërkonin akt vetëkarantimi ndërkohë që s’kishte vendim publik në Fletoren Zyrtare. Pati ndikim të drejtpërdrejtë në mospjesëmarrjen e këtyre votuesve në zgjedhje.

Kërkesa erdhi në bazën e një akti që nuk kishte hyrë në fuqi. Një akt i tillë në situatën konkrete, si nisi implementimi i tij me detyrimin për formularin dhe karantinën, pa marrë parasysh edhe testin PCR apo të tjera. për të vlerësuar impaktin, mjafton të marrim rezultatin e pjesëmarrjes në zgjedhje në 10 vitet e fundit, ku rezulton pjesëmarrje më e ulët në 2021. Pjesëmarrja më e lartë e zgjedhësve e konstatuar në ato pararendëse kanë qenë determinante për LSI.

LSI ka arritur të sigurojë një mandat deputeti në 2013, 2017, kurse në 2021 jo prej vendimeve antikushtetuese. Treguesit e KQZ tregon qartë pse vendimi i Ministrisë ka patur për qëllim të godasë politikisht LSI.

Edhe vendimi i KQZ për iratmin e tabelës përmbledhëse për Vlorën, kandidatët dhe subjektet është i paligjshëm dhe duhet të prishet pasi ndodhemi në kushtet. Të shpallen të pavlefshme zgjedhjet për qarkun e Vlorës.

Eridian Salianji (PS): Do thoja që në aspektin primar, ankimi nuk qëndron, s’duhet shqyrtuar. Kodi Zgjedhor në pjesën për pavlefshmërinë e përcakton si ngrihet kërkesa për pavlefshmëri. Kërkohet KQZ, i shpall zgjedhjet të pavlefshme me një ose disa QV. Në asnjë prej kërkesave në asnjë prej kërkesave nuk është respektuar ana ligjore e proceduriale, si ankimimi për një qv, po ankohen për të gjithë qarkun.

E tepërt të dëgjoj të njëjtën kërkesë. Dy ndryshime vura re, Vlora për Pallatin e Kulturës, e ndryshme nga Gjirokastra e Vlorë dhe e dyta falënderimi për patronazhistët. Duhet të ecim shpejt, të rrëzohet kërkesa dhe të shpallet vendimi përfundimtar.Opozita të tërhiqet nga kërkesat ankimore, s’po thotë asgjë të re.

Ora 11:22
Ankimi për Gjirokastrën, Salianji: Zero mundësi për votim të dyfishtë! Anëtari i KAS, Braho: KQZ të nisë procedimin! Kaso: Ne jemi pro hetimit

 

Diskutime ka pasur në mbledhje e KAS për ankimin e rezultatit të zgjedhjeve për Gjirokastrën. Akuzat më të forta janë për votim të dyfishtë, por këtë e mohon në seancë përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji i cili thotë se ka zero shanse të ketë ndodhur, ndërsa për defektet teknike thotë se duhet të përgjigjen personat përgjegjës.

Ivi Kaso i PD nga ana tjetër thekson se provat tashmë janë të qarta dhe i mbetet në dorë KAS të vendosë. Edhe anëtari i KAS, Ledio Braho ka kërkuar nga KQZ të fillojë procedimin nëse nuk e ka nisur ende për votimin e dyfishtë, për komisionerët dhe administratën zgjedhore. Ilir Rusmajli thotë se ka a dyshim për 2 persona që mund të kenë votuar 2 herë dhe një grup votuesish për të cilët dikush tjetër mund të ketë vënë gishtin.

Diskutimet në mbledhje:

Eridian Salianji: Duhet të thirren në seancë kryekomisioneri dhe nënkomisionerja sepse raporti PEI është i paqartë, i paplotë. I vetmi rast dyshues është  ku një person që ka vajtur në dy qv të ndryshme. Duhen sqaruar rastet e tjera ku thuhet se ka raste të dyshimtë se gishti është vendosur nga operatori, problemet teknike nuk mund të bëjnë pis procesin.

E them me bindje të plotë, zero raste të votimit të dyfishtë, problemet teknike duhet të vijnë ti sqarojmë operatorët.

Ivi Kaso: Ne jemi pro hetimit në cfarëdolloj raste, për ne janë të gjitha raste të dyshimta që kanë ndodhur, nëse kas konsideron që këto raste janë të mjaftueshme për të marr vendim, jemi dakord nëse ju mendoni që vlen për hetim të mëtejshëm po ashtu jemi dakord

Anëtari i KAS, Koli Bele: Me të drejtë kur e lexon raportin për të dhënat e kryqëzuara, ka paqartësi, sepse thotë vetëm raste të dyshimta dhe nuk jep sqarime në asnjë prej rasteve. Do ishte e udhës që të paktën nënkomisionerja ose edhe komisioneri të na japin shpjegime

Ilir Rusmajli: Ka dyshim për 2 persona që mund të kenë votuar 2 herë dhe një grup votuesish për të cilët dikush tjetër mund të ketë vënë gishtin, është kaq e thjeshtë. prova që u kërkua është në tryezën tonë. Në këtë zyrë bëhet transparencë dhe jo propagandë

Anëtari i KAS, Ledio Braho: I kërkoj administratës së KQZ që të zbatojë detyrën të paktën për rastet e komisionerëve apo administratës zgjedhore që është konstatuar në kushtet e votimit të dyfishtë. Në dijeninë time jemi në kushtet e një vepre penale të konsumuar nga këta komisionerë. Administrata e KQZ-së duhet të procedojë nëse nuk ka proceduar ende.

Avokati i LSI: Ne e gjejmë shumë të qartë këtë tabelë, është sqaruar me hollësi që kanë qenë 73 raste. 12 shenja gishtash kanë përdorur tentativa ose votim për 70 persona. Po ashtu është një listë emërore, rezulton të jetë vetëm inicialet e personit, datëlindja, nr. I votimit, dhe qarkut përkatës. Është shumë e qartë kjo gjë.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Altin Dumani me daljen në media sfidoi hapur presionet politike dhe mediatike! Ka fituar besimin e publikut dhe kanë qenë të suksesshëm

Spahiu: Altin Dumani me daljen në media sfidoi hapur presionet politike dhe mediatike! Ka fituar besimin e publikut dhe kanë qenë të suksesshëm