Në zgjedhjet e 25 qershorit, Idrizi nuk doli fitues, por PDIU pretendon se ka marrë votat e duhura për të siguruar mandatin.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e hene, më datë 10.07.2017, ora 10:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite: A. Shqyrtimi i projekt vendimeve, “Për rezultatin e shortit per caktimin e relatorit te Kerkeses Ankimore nr. 2, paraqitur ne daten 08.07.2017, nga subjekti zgjedhor PDIU”, thuhet ne njoftimin e KQZ.
PDIU ka dorëzuar ankimimin në KQZ, duke kundërshtuar vendimin e Komisionit Zgjedhor duke miratuar tabelën përfundimtare në qarkun Tiranë, ku PDIU nuk mori asnjë mandat dhe kreu i saj Shpëtim Idrizi mbeti jashtë Parlamentit.
“Ankimimi i PDIU bazohet në pamjet filmike të numërimit të votave në GNV, që sipas Kodit Zgjedhor përbëjnë material zgjedhor. Pamjet filmike tregojnë se PDIU e ka fituar mandatin në Tiranë me disa dhjetëra vota më shumë sesa pragu 3%”- thuhet në njoftimin e PDIU.
PDIU arriti të marrë tre mandate në zgjedhjet parlamentare. Dy mandate PDIU i siguroi në Qarkun e Elbasanit Aqif Rakipi dhe Bujar Muça, ndërsa mandati i tretë në Dibër ku Reme Lala arriti të marrë votat e nevojshme.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com