Ne, gazetarët, jemi të privilegjuar. Në krahasim me njerëzit e thjeshtë, punët tona i mbarojmë më shpejt. Kur nuk na “sajdisin”, ngremë zërin, kur mbarojmë punë, rrimë urtë e mirë. Na ndodh kështu edhe kur kemi halle shëndetësore tonat, të miqve apo të të afërmëve.

Pavarësisht nga sa thuhet, sistemet; drejtësia, qeverisja, etj. ua kanë frikën gazetarëve dhe sa herë ka një gazetar në qarkullim, të gjithë, mirë a keq, i bëjnë sytë katër. E megjithatë, kjo që po ju tregoj, i kalon kufijtë e të përgjithshmes dhe tregon se disa sisteme janë “mafiozizuar” mirë. Si sistemi i shëndetësisë.

Në spitalet tona publike ka mjekë e infermierë të mrekullueshëm, kanë cilësitë më të mira të një shqiptari të rrallë: pasionin, dashurinë për punën, përkushtimin, sakrificën, por janë të vetëm. Janë individë që lëvizin në një mjedis të padepërtueshëm nga rregullat dhe etika profesionale. Eshtë e dukshme, se pas shumë vitesh dekompozim, vihen re përpjekje serioze për t’i dhënë një dorë të mirë shëndetësisë edhe si strukturë dhe administrim, por a është e lehtë?

Eshtë puna më e vështirë që mund të bëhet dhe ajo që ndodhi me arrestimin e doktor Luan Dragushës, e ilustron akoma më mirë. Shumë gazetarë tregojnë se kur janë paraqitur me të afërmit e tyre në strukturat publike pa thënë se janë gazetarë, e para gjë që u ka ndodhur ka qenë përpjekja e të gjithë strukturës për t’i adresuar në ato privatet. Justifikimet kanë qenë nga më të ndryshmet: Nuk ka kushte, nuk ka ilaçe, mungon kjo apo ajo aparaturë apo analizë. Kur gazetarët janë shprehur se janë gazetarë, kur kanë folur me strukturat më të larta, atëherë verpimet e mjekëve + inferemierëve kanë ndryshuar. Papritur në spitalin publik gjenden ilaçet, gjenden kushtet për të kryer shërbimin për të afërmin e sëmurë. Por nuk mbaron me kaq: sistemi pranon, por hakmerret. Edhe nëse në spitalet tona shkon me “rekomandim”, apo me pushtetin e një njeriu që nesër mund të jetë dëshmitar i parregullsive, kjo nuk shqetëson sistemin shërbyes sanitar. Hakmarrja e tyre nis shpejt: nuk i shërbejnë të afërmit, harrojnë t’i japin ilaçet, nuk i masin më tensionin, nuk i ndryshojnë serumin, nuk i pastrojnë dhomën etj. Reagimi ndaj faktit që një gazetar futi të afërmin në sistemin falas “me urdhër nga lart”,është gjithashtu i pamëshirshëm sa ndaj një qytetari të thjeshtë që nuk ka pranuar të shkojë në privat, apo ka shkuar të denoncojë sistemin në media.

Shkojmë të doktori i Shkodrës Luan Dragusha, në pranga për dy ditë e më pas i lënë i lirë. Qindra operacione të kryera falas, ndërkohë që mund të ishin “kaluar” me stil në privat. Dikush bën llogarinë e thjeshtë për një shifër rreth 2 milionë euro që do të fitoheshin privatisht nëse operacionet e të sëmurëve në zemër do të devijoheshin në privat. Atëherë?

Sistemi ende i sëmurë i shëndetësisë, lufton të nxjerrë jashtë trupat e shëndoshë brenda tij: i sulmon, i mërzit të lënë Shqipërinë, tamam si qelizat e çmendura të kancerit që kërkojnë të bëjnë të pamundurën të gllabërojnë ç’është e mirë. Drejtësia, policia, politika, prokuroria, gazetarët, shoqëria, opinioni publik, duhet të veprojnë si antibiotikët më të mirë: të dallojnë e të sulmojnë të keqen. Me rastin e doktor Dragushës, “antibiotiku” prokurori lojën e kujt bëri?  Të vrasjes së qelizave të mira?