Një operacion i Gardës së Financës kundër një organizate italo-shqiptare të përfshirë në trafikun e drogës ka çuar në arrestimin e 9 personave në provincat e Firences dhe Sienës në Itali.

Tetë të dyshuar janë dërguar në burg, ndërsa një tjetër është vendosur në arrest shtëpie, me urdhër të Prokurorisë Antimafia të Qarkut të Firences. Sipas hetimit të kryer nga Njësia e Policisë Ekonomiko-Financiare të Firences dhe nga SCICO, baza operative e rrjetit kriminal ishte në Toskanë, ndërsa kanalet e furnizimit shtriheshin të gjithë Lombardinë.

Sipas mediave italiane, hetimet nisën në vitin 2023 pas sekuestrimit të 20 kilogramëve kokainë në San Gimignano. Sipas hetuesve, grupi kishte një strukturë të tipit familjar, përdorte sisteme komunikimi të enkriptuara dhe mekanizma të sofistikuar mbrojtës për t’iu shmangur kontrolleve.

Drejtuesit e organizatës, dy shtetas shqiptarë rezidentë mes Castelfiorentinos dhe Colle Val d’Elsas, menaxhonin strategjitë, magazinimin, çmimet dhe destinacionin e drogës.

Anëtarët e tjerë kujdeseshin për transportin dhe shpërndarjen, duke shfrytëzuar edhe aktivitete të transportit rrugor të mallrave për të simuluar dërgesa të ligjshme. Lënda narkotike fshihej në pako dhe dorëzohej duke u paraqitur si dërgesa të një kompanie të njohur ndërkombëtare.