Anton Gjuravçajt, “Nata në
Sion”,një roman shkruar ndryshe

Anton Gjuravçajt, “Nata në<br />Sion”,një roman shkruar ndryshe
Kontakti i parë me romanin e dytë të Anton Gjuravçajt (“Nata në Sion”) është edhe pranimi i një proze të veçantë dhe të shkruar ndryshe, që do të mund ta quanim thjesht antoniane. Dhe mendja na shkon menjëherë tek Anton Çehovi, jo vetëm sepse të dy autorët kanë të njëjtin emër (Anton) por edhe për faktin se të dy ishin mjekë, në profesionin e tyre bazë. Por jo vetëm kaq. Të dy vijnë në fushën e letrave si artistë me karakteristika të theksuara individuale.

Çehovi me lirizmin e tij të thellë që përcjell fundin e një bote aristokratike dhe Gjuravçaj me zhbirilimet e tij të thella që shoqërojnë fundin e një sundimi 500-vjeçar. Është edhe një Anton tjetër në letrat shqipe. Ai quhet Anton Pashku dhe vjen duke i paraprirë një proze thellësisht subjektive. Subjektive është edhe proza e Gjuravçajt.

1.“Nata në Sion” është një roman që të provokon qysh në frazën e parë. Ç’do të thonë fjalët (që, sipas autorit, janë një formulë magjike): “Ne e tjerët jemi këtu. E pse tjerët? Mirë e përcolle, turku të vë shalën në shpinën e tyre.”? Ç’do të thonë?

Madje që në titull (“Nata në Sion”) kemi të bëjmë, gjithashtu, me një provokim: ku bie ky vend (Sioni), për natën e të cilit është shkruar një roman? Mos është Mali i Shenjtë, prej nga vjen sionizmi i kohës sonë, që në shqiptimin e përditshëm na tingëllon me “z”, zionizëm?

Pavarësisht pyetjeve të kësaj natyre, ne dhe të tjerët; shqiptarët dhe osmanlinjtë në Ballkan (në trojet shqiptare); si dhe përplasjet e të dy qytetërimeve (evropian dhe aziatik) përbëjnë tematikën po aq provokuese të romanit “Nata në Sion” të Gjuravçajt.

2. Përse të merret provokuese tema në romanin e Gjuravçajt? Sepse nuk kemi thjeshtë një roman historik (apo me sfond historik). Nga fillimi deri në fund kemi të bëjmë me një diskurs historik. Aty ngrihen pyetje gjithfarëshe dhe, madje, pyetje mbas pyetjesh. Si ka funksionuar institucioni i pashait (Rashid Pasha)? Po kështjella dhe administrimi i saj? Si u krijua kasabaja me mejhanet e veta (mejhania e vjetër, mejhania e re), me xhaminë, Rrugën e Kovaçëve, Sheshin e Hallkave, Shkallën e Hanës etj?
Të gjitha ngjarjet dhe episodet e romanit janë të lidhura me këta institucione e toponime, madje, gjenerohen prej tyre ose së bashku me ta.

3. Nga kjo qasje, unë e kam quajtur “Natën në Sion” një roman të shkruar ndryshe që kërkon edhe një lexues me kërkesa ndryshe. Ky “lexues ndryshe” e njeh historinë e popullit të vet. Prandaj mund të marrë pjesë në çfarëdo diskurs që lidhet me të. Di edhe shtrembërimet që i janë bërë asaj historie dhe vazhdojnë t’i bëhen edhe sot e kësaj dite. Prandaj është i gatshëm në çdo kohë të ketë një mendim të vetin, jo thjeshtë për të mbajtur përmendsh data e beteja të fituara (apo të humbura, e njëjta gjë është), por për të nxjerrë në çdo rast përfundime inteligjente për të tashmen e të ardhmen e vet dhe të komunitetit ky bën pjesë si individ (“në kasabanë që nuk ishte larg qendrës së vilajetit”, f.226) apo si qytetar i përbotshëm (diku më afër Perëndimit).

Lexuesi i Anton Gjuravçajt është i familjarizuar edhe me prozën gojor të gjuhës shqipe: një narracion i kursyer në fjalë dhe i parënduar me përshkrime që e shpërqendrojnë subjektin. Kështu që ai (“lexuesi ndryshe”) tërhiqet nga episode heroiko-tragjike të mbrujtura me dhimbje dhe ironi therëse deri në palcë. I tillë është episodi i Hanës përballë një bote mashkulliste të egër që mbizotëron gjithë romanin (f.255). Imazhi i saj, i denatyruar prej zyrtarëve të kasabasë dhe të kalimtarëve të rastit poshtë kështjellës, të mbetet i gjallë në mendje dhe s’mund ta zhgulësh sysh çfarëdo që të lexosh më tej.

Ironi e dhimbje i kanë shkaktuar lexuesit më herët edhe dy “episode femërore” (nëse do të mund t’i cilësonim kështu): nata e aventurës së Aishes me burrin e saj qiellor (të dashurin, pra) dhe java e orgjisë së Fatimes me ushtarët që ruanin shtëpinë e saj, më saktë, të bashkëshortit të saj, ndaj të cilit po hakmerrej seksualisht (respektivisht në f.206 dhe 140)...

Por do të ishte i mangët mozaiku i imazhit femëror në këtë roman të Gjuravçajt, nëse mbështetemi vetëm në episodet e mësipërme. Dramë më vete është nëna e Martinit, plaka që gërmonte me thonjtë e duarve tokën për të gjetur varrin e djalit të vetëm. Por, kur Martini i saj (konvertuar në Mahir) kthehet gjallë e shëndosh, ajo nuk e pranon. Dhe vajtimi i saj nuk dëgjohet më. Nusja e të birit “në vend të plakës pa një shpend... E kërkuan plakën gjithkund, por ajo humbi pa shenjë.” (f.263).
Mjaft poetik është edhe imazhi i Katrinës në kapitullin e fundit të romanit (f.301). Ajo është e brishtë dhe më shumë një ëndërr se realitet. Është dashuria e madhe e Hasanit, që, për Katrinën, ishte Hans, siç mund të ishte një kushdo student austriak. Por kështjella e përpiu dhunshëm Hasanin e vet, vetëm e vetëm se ai vishej si një evropian...

Përmbyllje
Romani “Nata në Sion” është organizuar në shtatë kapituj të gjatë, pa tituj a nëntituj. Secili ndër të shtatë kapitujt qëndron si njësi narrative më vete: ka një linjë subjekti që mund të qëndrojë edhe pa linjat e subjekteve të kapitujve të tjerë, ashtu si edhe grupi i personazheve të një kapitulli nuk është se bashkëvepron mjaftueshëm me grupin e personazheve të kapitullit tjetër.

Element koheziv i romanit (sipas këtij këndvështrimi) është kasabaja dhe rrethinat e saj. Madje, do të ishim më të saktë po të thoshim se është një kryengritje e kudogjendur përreth kasabasë, kështjellës dhe logut, ku është ngritur fushimi i Rashid Pashës që ka mbërritur aty në krye të ekspeditës së bujshme kundër kryengritësve. Këta të fundit nuk duken shumë në roman dhe për pasojë nuk ia cenojnë aspak autoritetin vetë pashait (sulltanit), por trupat e tij (të pashait) pësojnë çdo ditë e më tepër humbje.

Çfarë është më në fund një prozë e shkruar ndryshe? Është mënyra e tregimit. Ajo që quhet narracion. Narratori i Anton Gjuravçajt është dhe s’është vetë autori edhe kur flet në vetë të parë edhe në vetë të tretë. Gjithsesi ai narracion është në çdo rast i subjektivizuar, sepse u referohet grupeve të ndryshme që, shpesh herë, shprehin qëndrime krejtësisht të kundërta. Prandaj ia vlen të studiohet edhe si pasurim i prozës shqipe. Ai është një narrator i gjithëditur që nxit diskursin dhe merr pjesë aktive në të.
Ndoshta edhe vetëm për këtë tip narratori romani “Nata në Sion” është një prozë e shkruar ndryshe.
Lezhë, 17 qershor 2017
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit