ITALI - Antonio Conte ka konfirmuar zyrtarisht largimin nga Napoli, duke mbyllur aventurën e tij dy vjeçare në klubin napolitan, me një trofe të Serie A (2024-25). Trajneri italian foli në një konferencë të përbashkët me presidentin Aurelio De Laurentiis, menjëherë pas fitores 1-0 ndaj Udinese.

Conte zbuloi se vendimi për largimin ishte marrë prej kohësh dhe nuk kishte lidhje me projektin apo buxhetin e klubit.

“Një muaj më parë telefonova presidentin dhe nuk kërkova asgjë. As për projektin dhe as për zvogëlimin e investimeve. E ndjeva që rrugëtimi im këtu po shkonte drejt fundit”, deklaroi Conte.

Nga ana tjetër, De Laurentiis theksoi se klubi duhet të respektojë kufijtë financiarë dhe nuk mund të konkurrojë ekonomikisht me gjigantët evropianë.

“Napoli nuk mund të jetë si Real Madridi, Barcelona apo klubet më të mëdha angleze. Ne duhet të respektojmë disa buxhete dhe nuk mund të shkojmë përtej tyre”, u shpreh presidenti napolitan.

Gjatë konferencës nuk munguan edhe debatet mes dyshes. De Laurentiis deklaroi se pa dëmtimet e shumta Napoli mund ta kishte fituar sërish titullin kampion, por Conte nuk ishte dakord.

“Jo, nuk pajtohem. Përballë kishim një Inter shumë të fortë dhe të përforcuar”, u përgjigj trajneri italian.

Conte shprehu zhgënjimin për klimën që kishte rreth ekipit gjatë sezonit, duke folur për tensione dhe kritika të vazhdueshme.

“Te Napoli dështova në një aspekt, nuk arrita ta bashkoj ambientin. Pashë shumë helm dhe përçarje kundër meje dhe lojtarëve të mi. Kush përhap helm është një i dështuar”, deklaroi ai.

Megjithatë, tekniku italian e konsideroi eksperiencën në Napoli si një periudhë të rëndësishme në karrierën e tij.

“Të stërvitja Napolin ishte prestigj dhe nder. Falenderoj presidentin De Laurentiis për këtë mundësi. Kanë qenë dy vite pozitive”.

Conte kujtoi edhe momentin më të bukur në drejtimin e klubit.

“Dita më e bukur ishte kur fituam dhe festuam titullin para tifozëve tanë”.

Trajneri italian foli edhe për momentin e vështirë pas ndeshjes ndaj Bologna në muajin nëntor, kur kishte menduar edhe largimin.

“Pas Bolognës thashë se nuk dua të bëj kampionate anonime. Nuk i kam bërë kurrë dhe nuk do t’i bëj kurrë”.

Në fund, Conte komentoi edhe zërat për pankinën e kombëtares italiane dhe mundësinë që Pep Guardiola të marrë drejtimin e Italisë.

“Është përmendur edhe Guardiola. Por a është gati Federata për një trajner të këtij niveli? Duhet të ketë fonde dhe status për ta mbështetur”, tha ai.