Ministri i Shtetit, Taulant Balla, sot në Komisionin e Ligjeve
Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ditën e sotme ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Deputeti socialist kërkoi miratimin e nismës së Partisë Socialiste “Për anulimin e masave administrative” për tre fashat e përfshira në projektligj: Falja e gjobave për ndërtimet pa leje në fshat, faljen e gjobave të kohës së pandemisë që nuk janë shlyer ende, si dhe falja e gjobave të vendosura po në zonat rurale nga Ujësjellës-Kanalizimet, kryesisht ato ndaj bujqve dhe fermerëve.
Në fjalën e tij ministri Balla vlerësoi praktikën e mirë që Kuvendi ka ndjekur, duke ngritur një grup pune, i cili punoi gjatë për të hartuar një politikë të tillë.
“Si përfaqësues i Këshillit të Ministrave dhe në emër të ministrive dua të shpreh dakordësinë tonë në parim sa i përket miratimit të këtij projektligji, për anulimin e masave administrative”, tha ministri gjatë fjalës së tij në Komision, duke sjellë shembuj nga praktika të ngjashme në disa vende të Bashkimit Europian.
“Nisma, duhet të informoj kolegët nuk është një nismë që nuk gjendet në vende të tjera, dhe këtu i referohem kryesisht vendeve të BE. E gjej plotësisht në të njëjtën linjë të ndërmarr në disa vende të BE dhe është e njëjtë me një të tillë në Itali dhe Francë, sa i përket shkeljeve të vogla administrative, ku janë zbatuar anulime masash të ngjashme për ndërtimet e vogla pa leje, duke synuar siç thotë parlamenti italian uljen e barrës financiare ndaj qytetarëve”, sqaroi ministri Balla.
Ai solli si shembull edhe nxitjen e formalizimit në zonat rurale në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ku vende si Hungaria dhe Polonia, në të njëjtën frymë që vjen nga grupi parlamentar i PS dhe nga kolegu Braçe, kanë zbatuar politika për faljen e gjobave ndaj subjekteve rurale për ndërtimet, ose aktivitetet e tyre në shkëmbim të një formalizimi të mëvonshëm.
Sipas ministrit, parimi i parashkrimit për masat administrative është dyvjeçar, ndaj projektligji ‘bie tërësisht në linjën e një standardi të vendosur nga parlamentet e vendeve te BE’, ndërsa sugjeroi disa saktësime.
“Në këtë kontekst unë sa i përket shprehjes në parim, sepse për këtë jemi këtu, dua të shpreh dakordësinë e qeverisë për miratimin e këtij projektligji. Dhe ndërkohë në komunikim me Ministrinë e Drejtësisë do të sugjeronim disa saktësime të natyrës të teknikës legjislative. Me qëllim që qoftë në titullin e ligjit, pra do të ishte mirë që anulimi i masave administrative të shoqërohej dhe me identifikimin e karakterit ndëshkues të vendosur ndaj subjekteve që ushtrojnë veprimtari bujqësore dhe blegtorale, në mënyrë që mos ketë një karakter të përgjithshëm dhe që mund të përdoret për qëllime të tjera, por të identifikohet plotësisht sektorët në të cilat ndërhyhet”, tha Balla.
Në fund ai shpjegoi edhe disa teknikalitete proceduriale:
“Dhe po ashtu sa i përket teknikës legjislative, idea është që në nenin 1 të përcaktohet qëllimi i ligjit, pra në fakt neni 1 është i tillë, por në formën që e kërkon dhe teknika legjislative neni 1 të jetë qëllimi i ligjit, neni 2: cilat janë kriteret për faljen administrative që në fakt janë të përcaktuar të gjitha në draftin përkatës dhe në këtë mënyrë e vendosim projektligjin në formën që kërkon edhe kodifikimi”.
Lajmi kryesor: