Profesionistët e lirë me të ardhura deri në 14 milionë lekë do të marrin mbrapsht tatimin e parapaguar brenda 30 dhjetorit të këtij viti. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Financave po ndërmerr hapat për kthimin e parave për rreth 29 mijë profesionistë të lirë.
Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Tatimore në Ministrinë e Financave, Arjana Dyrmishi, prezantoi sot në Komisionin e Çështjeve Ligjore aktin normativ për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Dyrmishi, theksoi se akti normativ synon rregullimin e pasojave financiare që kanë prekur profesionistët e lirë. Për ata që kanë paguar këstet e tatimit, do të kryhet rimbursimi, ndërsa këstet e papaguara do të anulohen, duke i kthyer llogaritë në gjendjen fillestare.
“Kur u hartua ligji i ri për tatimin për të ardhurat ishte parashikuar që etnitetet dhe individët e vetëpunësuar që ofrojnë shërbime profesionale dhe kanë një qarkullim deri në 14 milionë lekë nuk do të aplikohet norma tatimore 0 %, por ato do të trajtohen dhe përfshihen në skemën progresive të tatimit mbi të ardhurat. Kjo dispozitë ligjore kaloi në shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese, e cila me vendim 52 të 27 qershorit të këtij viti e ka shfuqizuar pikërisht germën dh të pikës 1 të nenit 69 si edhe nenin 4 të Vendimit të Këshillimit të Ministrave, që ka dalë për dispozitat zbatuese për ligjin për “Tatimin mbi të ardhurat” ku ishte parashikuar lista analitike e shërbimeve profesionale, por që i ofronin këto nene ose tatimpagues me qarkullim deri në 14 milionë lekë”, nënvizoi Dyrmishi.
Ky akt normativ u bë i domosdoshëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në qershor të këtij viti që rrëzoi nenin 69 që diskriminonte profesionistët e lirë nga tatimi prej 15%. Tatimi i profesionistëve të lirë do të fillojë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera.
Në këto kushte, tha Dyrmishi, Këshilli i Ministrave propozoi aktin normativ sipas të cilit të gjithë kategorisë së tatimpaguesve, të cilët kanë paguar këstin e tatim fitimit do t’iu bëhet rimbursimi nga administrata tatimore brenda datës 30 dhjetor të këtij viti.
“Ndërsa për të gjithë ata që nuk i kanë paguar por i kanë këstet në sistem të gjeneruara, nëpërmjet këtij akti normativ do t’i fshihen këto këste në mënyrë që në fund të këtij viti gjendja të jetë zero si gjendja fillestare”, theksoi Dyrmishi.
Ndërkohë, opozita ka kritikuar qeverinë për mënyrën e trajtimit të këtij grupi tatimpaguesish, duke e cilësuar si një tjetër dështim. Deputetja Dhurata Çupi tha se qeveria nuk dëgjoi profesionistët dhe shtresën e mesme që u prekën nga ligji, por u detyrua të ndryshonte kurs pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese.
“Ky është dështimi i radhës i qeverisë, një ligj i sjellë i detyruar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe paturpërsisht vini dhe thoni ne shmangim trajtimin e pabarabartë. Këtë ua thamë që kur miratuat gjobën, më shumë sesa tatimin mbi profesionet e lira . Tani vini dhe thoni ishte një tatim i pabarabartë këtë ua tha opozita, profesionstët e lirë, shtresa e mesme që tatohej nga ky ligj dhe ju nuk dëgjuat profesionistët e lirë sepse nuk ju pëlqen konsultimi publik pikërisht me target grupin që dëmtohej nga ky ligj. Ua tha opozita dhe nuk u pëlqeu mendimi i saj dhe tani që ua tha Gjykata Kushtetuese jeni të detyruar ta sillni ligjin”, tha Çupi.