Me 622 vota, Aulon Kalaja është zgjedhur kryetar i Degës së Partisë Demokratike në Krujë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë ish-kandidati për deputet, përmes rrjeteve sociale, ndërsa përballë tij garonte Myftar Ismalaja që arriti të sigurojë vetëm 79 vota.

Kalaja, i cili pësoi lëndime në protestën 17 prillit që Sali Berisha organizoi në Tiranë, zotohet para demokratëe se strukturat e PD "do pasurohen edhe më shumë. Seksionet, grup-seksionet, kryesia, sekretariatet, departamentet, forumi i gruas, forumi rinor dhe çdo grupim tjetër që funksionon në familjen tonë politike".

"Ju sot më ngarkuat përgjegjësinë për të çuar përpara një projekt të madh politik. Më dhatë nderin të përfaqësoj opozitën e Krujës së Skënderbeut dhe Fushë-Krujës së Albanopolis. Çfarë nderi më të madh, mund t’i bëhet një politikani të ri?! Jam i vetëdijshëm që kemi shumë punë përpara dhe qëllimi i parë është bashkimi i opozitarëve në një drejtim, atë të fitores së Partisë Demokratike. Nuk do të jem gjë tjetër veçse një prej jush. Si çdo proces edhe ky, kishte frikërat e veta, pikëpyetjet, ngurimet, hamendësimet dhe kundërshtitë. Krejt normale për një parti të djathtë konservatore si kjo e jona. E kundërta do të ishte e çuditshme. Brënda forcës tonë politike nuk ka armiq, as kundërshtarë, por rival. Dhe rivaliteti sjell përherë progres. Prandaj një falënderim të veçantë kam për garuesin tjetër Myftar Ismalaja, që tregoi qytetari dhe maturi. Sot dhe neser i shtrij dorën çdokujt që kërkon të japë nga vetja dhe ju them se asnjë kontribut i juaji nuk do të humbasë, por do të llogaritet një më një. Ashtu siç është e nevojshme që strukturat tona duhet të rifreskohen, të hapemi, të ftojmë familjet e djathta, të thërrasim themeluesit, të vijnë të rinjtë, por të mbajmë të vjetrit, të përndjekurit që janë fibra e të djathtës, sepse forca jonë politike ka një nga vlerat e patjetërsueshme, ruajtjen e traditës. Prandaj me mua nuk nis “viti 0”, por unë jam kryetari i radhës, që do kem nderin të drejtoj një nga zonat më të mrekullueshme të Shqipërisë. T’iu shtrimë dorën dhe të painteresuarve, indifererentëve dhe të zhgënjyerve, duke iu bërë thirrje që te na bashkohen në këtë përpjekje për ndryshim",- shkruan Kalaja.

Nga ana tjetër, sot një anëtar i PD në Fushë-Krujë deklaroi publikisht ka vendosur të largohet, duke e cilësuar procesin për kreun e degës së Krujës si farsë.

Bëhet fjalë për Besmir Halitin, i cili përmes një reagimi publik njoftoi sot largimin nga PD dhe hodhi akuza të forta për manipulim të garës për kryetar.

Sipas tij, procesi është i dirigjuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, në favor të kandidatit Kalaja, ndërsa baza e partisë është anashkaluar plotësisht.

Reagimi i plotë i Besmir Halitit 

"Prej ditës së sotme deklaroj se nuk jam më anëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë

Gara që po zhvillohet sot për kryetarin e PD-së, dega Krujë, është një farsë e shpifur antidemokratike, e gatuar dhe e dirigjuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, si dhe nga grupe interesi të lidhura me të dhe me kandidatin e favorizuar, Aulon Kalaja, duke dhunuar dhe poshtëruar një masë të gjerë anëtarësh dhe strukturash. Dhunimi dhe poshtërimi që Flamur Noka u bën anëtarëve dhe strukturave të PD-së në Krujë dhe Fushë-Krujë është i paprecedent.

Kandidatura përballë z. Kalaja, përveçse është një kandidaturë e stisur dhe e propozuar në mënyrë antistatutore, është edhe një kukull e vendosur në garë si ornament. Emrat e miratuar nga Flamuri (sepse është botërisht e ditur që Flamuri është kryesia) nuk janë të rastësishëm. Janë përjashtuar nga e drejta për të garuar emra të rëndësishëm dhe me kontribute historike në PD-në e degës, kryesisht në Fushë-Krujë. Përjashtimi i tyre është i qëllimshëm dhe justifikon atë çfarë kam thënë më lart.

Emrat e këtyre kandidatëve janë propozuar në bazë të statutit, duke u mbledhur kryesia dhe aktivi i degës Fushë-Krujë; ndryshe nga Kruja, ku nuk ka pasur asnjë mbledhje të tillë zyrtare. E them këtë sepse z. Ismalaja vjen si propozim i degës së Krujës.

Baza nuk u pyet dhe as u mor në konsideratë mendimi i saj për asnjë çast. Influencat dhe grupimet e interesit, që i kanë zgjatimet deri në Partinë Socialiste, si dhe konfliktet e interesit që janë verbuese dhe fyese në këtë garë, u pyetën dhe, me arrogancë e paligjshmëri të pashoqe, u avantazhuan.

Bashkimi i dy degëve është një gabim trashanik politik. Koha do të na japë të drejtë neve që e kundërshtuam. Ndërsa krijimi i një gare farsë është një katastrofë për Partinë Demokratike të zonës së Krujës. Me këtë akt të turpshëm farse, ajo është e përçarë, e shkatërruar dhe e dobët.

Kam refuzuar farsën zgjedhore në verën e vitit 2017 midis Lulzim Bashës dhe Eduart Selamit, duke mos marrë pjesë dhe duke e braktisur Shqipërinë në vjeshtën e po atij viti për të studiuar dhe punuar në Itali. Jam kthyer në prill të vitit të kaluar dhe menjëherë kam filluar të jap kontributin tim modest për Partinë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duke menduar dhe shpresuar se, pas rithemelimit, kjo parti kishte nxjerrë mësime të mëdha nga e kaluara e afërt dhe e hidhur politike.

Shpresoja se do të bëhej një parti më e drejtë, një parti më e kujdesshme, një parti që respekton ligjin e saj; shkurt, një parti më demokratike. Por jo vetëm që nuk ka ndodhur asnjë nga këto, por rasti i turpshëm i Krujës tregon se gjendja e demokracisë dhe e respektimit të ligjit, të garës dhe të kontributit është përkeqësuar edhe më shumë që nga vera e vitit 2017.

Refuzoj me forcë dhe përbuzje edhe sot garën farsë për kryetarin e degës së Krujës mes z. Kalaja dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të xhaxhait të tij, z. Ismalaja. Do të kishte qenë më e ndershme, më e pranueshme dhe më burrërore nëse Flamur Noka, me miratimin në heshtje të z. Berisha, do ta kishte emëruar z. Kalaja. Është më e pranueshme vetoja sesa tallja. Por, siç duket, përvojën e gjatë në politikë e errëson arroganca.

Një anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë, një burrë i nderuar dhe i ditur, një herë më pati thënë: “Besmir, kjo s’ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë partia jonë.” Fjala ishte për aspiratat e vërteta për liri, demokraci dhe ligj.

Zoti Berisha, në foltoren e Krujës, mua personalisht më tha: “Ne s’kemi punë të ndërhyjmë në garën tuaj këtu.” E pra, jo vetëm që u ndërhy, por u dirigjua dhe u diktua në mënyrën më brutale.

Idro Montanelli thotë: “Për mendimin tim, e djathta nuk është ideologji. E djathta është një mënyrë e caktuar sjelljeje karshi asaj që është publike dhe ndaj shtetit.” Sjellja e djeshme dhe e sotme e PD-së, e liderëve dhe funksionarëve të saj të lartë — jo e të gjithëve — nuk më përfaqëson më.

Aspiratat e mia të djathta për një PD demokratike, të lirë dhe të drejtë nuk janë përmbushur dje dhe nuk përmbushen as sot. Janë fyer dje dhe po fyhen rëndë edhe sot.

Ndaj energjinë, dijen dhe aftësitë e mia — ato që janë — do t’i vë gjithmonë në shërbim të vendit tim, si patriot dhe nip e stërnip patriotësh. Por kurrë aty ku tallen me veten, tallen me të tjerët dhe tallen me vendin."

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:47
Mbyllet procesi zgjedhor në PD Kurbin, Edmond Shkoza shpallet kryetar i Degës

1776624811_PDzyrtare2023.png

Procesi zgjedhor në Degën e Partisë Demokratike në Kurbin është mbyllur.

Në garën për drejtimin e degës, Edmond Shkoza ka arritur të sigurojë mbështetjen e anëtarësisë duke fituar me 512 vota, përballë kandidatit tjetër, Vilson Bitraj, i cili arriti të marrë vetëm 249 vota.

Ora 19:22
Pukë/ Tension në zgjedhjen e kreut të PD: Fiton kandidati që nuk e mbeshteti qendra

Procesi zgjedhor për kreun e Partisë Demokratike në Pukë ka përfunduar sot me shpalljen e Demir Hysenit fitues

Sipas rezultateve, Hyseni ka marrë 275 vota, ndërsa kandidati përballë tij, Ferit Ringaj, ka siguruar 230 vota. Nga numërimi rezultojnë edhe 13 vota të pavlefshme.

Gara mes kandidatëve është zhvilluar në një klimë tensionesh, kryesisht për shkak të kandidaturës së Ringajt, i cili ishte i pozicionuar me grupin e rithemelimit.

Aktualisht, Ringaj mban postin e nënkryetarit të bashkisë, ndërsa Hyseni njihet për marrëdhënie të tensionuara me kryebashkiakun Rrok Dodaj, për shkak të denoncimeve të herëpashershme ndaj tij.