TIRANË, 24 Shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ - Avokati i Popullit, i ka dërguar sot një rekomandim drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, Alket Mersini ku rekomandohet 'Fillimi i hetimit për veprën penale "Kryerja e veprimeve arbitrare", në ngarkim të punonjësit të komisariatit të Policisë, Robert Memelli dh ndaj zv/drejtorit të Policisë, Arben hyseni, për veprat penale, "Kryerja e vepimeve arbitrare" dhe "Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjëndjen e paligjshme".
Avokati i Popullit, ashtu siç është shprehur dhe disa ditë më parë dënon sërish aktet e dhunës ndaj qytetarit në Korçë nga disa efektivë të policisë dhe deklaron se individë të tillë nuk kanë vend në forcat e rendit.
Gjithashtu, Avokati i Popullit vlerëson marrjen e shpejtë të masave nga autoritetet policore ndaj pergjegjësve të dhunës dhe përkrah çdo nismë apo inisiativë të Policisë për përmirësimin e imazhit dhe punës në raport me qytetarin.
Avokati i Popullit do të vazhdojë të bashkëpunojë me Policinë nëpërmjet trajnimeve të ndryshme për ndërgjegjësimin e stafit policor në fushën e të drejtave të njeriut vecanërisht për parandalimin e rasteve të tilla të dhunës ndaj qytetarëve./a.g/








