TIRANË - Ambasadori gjerman në vendin tonë Hellmut Hoffmann i është drejtuar me apel zgjedhësve shqiptarë për të ushtruar të drejtën e votuar, një mundësi kjo për të marrë sipas tij, përgjegjësitë e një qytetari aktiv. Në një mesazh në prag të zgjedhjeve vendore të së dielës, Hoffmann thotë se procesi i votimit dhe shpallja e rezultate është një test i rëndësishëm për demokracinë shqiptare, e ndaj thekson, kryediplomati gjerman, ato duhet të zhvillohen në mënyrë transparente e ligjore.
 
“Zgjedhjet në një sistem demokratik janë shumë të rëndësishme, sepse qytetarët kanë kështu mundësinë të përcaktojnë se kush do të duhet të drejtojë fatet politike të vendit. Zgjedhëset dhe zgjedhësit shqiptare/ë mund të vendosin ditën e dielë, se kush do të përfaqësojë interesat e tyre në nivel lokal vitet e ardhshme. Kjo është një mundësi për të bashkëformësuar të ardhmen e Shqipërisë dhe shpresa ime është, që shumë shqiptarë të përdorin të drejtën e tyre për të zgjedhur. Vetëm kush shkon të votojë merr përsipër përgjegjësitë, që i takojnë një qytetari aktiv! Pikërisht në një vend, që është kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, zgjedhjet vëzhgohen me vëmendje të veçantë në nivel ndërkombëtar, duke qenë se janë një test i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë, e për këtë arsye është tejet e rëndësishme që ato të zhvillohen në mënyrë transparente dhe ligjore”, -
thotë Hoffmann në mesazhin e tij për shqiptarët. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)