Apolonia është një destinacion i preferuar për turistët shqiptarë dhe të huaj. Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti Apoloninë e kanë vizituar afro 13 000 vizitorë, shifër kjo rekord për gjysmën e parë të një viti që nga viti 2006, kur është krijuar Parku arkeologjik.

Drejtori i Zyrës së administrimit dhe Koordinimit të Parkut arkeologjik Apolonia, Marin Haxhimihali në një intervistë për Report Tv tha se numri i turistëve vendas ka shënuar një rritje me 41 % në krahasim me vitin e kaluar, kurse numri i turistëve të huaj me 54 %.

“Kjo tendencë është edhe në vazhdim, konkretisht këtë nivel të ardhurash nga biletat që ka rritje në 44%, kemi pasur vitin e kaluar deri në muajin shtator, çka na le të besojmë se kemi përpara muajt të mbarë të korrikut dhe gushtit që dihet që janë piku i vizitueshmërisë në trashëgiminë kulturore”, u shpreh drejtori Haxhimali.

Grupe turistësh  nga Polonia, Çekia, Britania e Madhe dhe  nga Gjermania kanë ardhur edhe këtë vit, teksa kanë  vlersuar vlerat arkeologjike historike, arkitekturore dhe kulturore të këtij parku.

“Kam qenë këtu para 10 vjetësh. Tani që rikthehem jam mrekulluar nga ndryshimet që shoh që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve.  Kjo tregon se çfarë pasurie ka ky vend dhe sa e rëndësishme është kultura për këtë vend”, u shpreh një turist gjerman.

“Për mua është hera e parë që vij në Apoloni, pasi kam dëgjuar dhe njohur më parë nga librat ose nga persona të cilët kane qenë këtu. Është hera e parë që vij dhe jam i mrekulluar me atë çfarë shoh dhe çfarë pasurie ka këtu dhe se sa e rëndësishme është kjo për turizmin. Të kesh vende të tila në funksion të turizmit është vërtet diçka e jashtëzakonshme”, deklaroi turisti tjetër.

Në rritjen e numrit të turistëve mendohet të kenë ndikuar punimet restauruese të bëra nga Ministria e Kulturës si dhe disa zbulimet e reja. Që prej 2006 qyteti antik i Apollonisë dhe zona përreth janë shpallur Park Arkeologjik Kombëtar.

Redaksia Online
E.S / shqiptarja.com