Në takimet me zëvendëspresidentin operacional. Birama Boubacar Sidibe dhe me zëvendëspresidentin e Shërbimeve Korporatave,Ahmet Tiktitk, ministri Cani, pasi parashtroi situatën makroekonomike dhe problemet e borxhit të vendit, u njoh me ecurinë e projekteve të BIZH dhe forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen me qëllim të realizimit të çdo projekti në afatin e parashikuar.
Në takimet e zhvilluara Cani u njoh nga afër me mundësitë e shumta që ofron Banka Islamike për Zhvillim për mundësinë e investimeve në fusha të ndryshme si dhe rritjes së bashkëpunimit.
Gjatë takimit me presidentin e Bankës Islamike për Zhvillim, Ahmed Mohamed Ali, kreu shqiptar i Financave, shprehu falënderimet për për kontributin e saj si një nga institucionet financiare ndërkombëtare të rëndësishme në financim dhe për gatishmërinë e bashkëpunimit.
E njohur si një financuese vetëm për projekte qeveritare, ministri kërkoi më shumë angazhim nga të dyja palët për ta bërë alternativën e tregut financiar islamik më të njohur dhe më të prekshme, si për qeverinë dhe institucionet publike, ashtu edhe për sektorin privat.
Ministri Cani, pas prezantimit të situatës ekonomike në vend, problemeve me borxhin e fshehur, marrëveshjeve dhe huave nga FMN dhe BB, sugjeroi që bashkëpunimi midis Bankës Islamike për Zhvillim dhe qeverisë shqiptare mund të përmirësohet ndjeshëm, në qoftë se banka hap një zyrë përfaqësimi në Tiranë.
Për ministrin, është e rëndësishme që publiku dhe biznesi të njihet më mirë me mundësitë që ofron Banka, duke renditur nga ana tjetër projektet e programit të qeverisë në fushat e infrastrukturës (rrugë), ujë, energji, turizëm, bujqësi, aeroporte, port etj. Po ashtu u diskutua mundësia e studimit më në detaje lidhur me alternativën e rinovimit të eurobondit me produktin “sukuk”.
Nga ana e tij, Presidenti i BIZH, Dr Ahmed Mohamed Ali, vlerësoi lart bashkëpunimin e BIZH me qeverinë shqiptare. “Vizita e Ministrit të Financave është e një rëndësie të veçantë për t’i çuar këto marrëdhënie më tej. Menjëherë strukturat përkatëse të fillojnë të përgatisin një delegacion të dedikuar për të vizituar Shqipërinë me synim të identifikimit të projekteve të mundshme. Çdo gjë e mundshme që përputhet me kriteret tona do të jetë në mbështetjen tuaj pa rezerva”, tha Ali.
Në fund të vizitës, palët ranë dakord për të vijuar më tej bashkëpunimin në të ardhmen, duke synuar që produktet e tregut financiar islamik të jenë një alternativë në zgjidhjen e problemeve me përfitime reciproke.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)